20-vjetori i gazetës Telegraf, flasin Feti Zeneli, Çelik Petriti, Bashkim Alibali, Luan Laze, Fatos Çerenishti
– E dobishme, korrekte, sjell informacion, bën balance, dhe këkron të veçantën.
– Ka larmishmëri rubrikash dhe prek problem që na shqetësojnë.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Këto ditë Telegraf mbush 20 vjet. Pra dy dekata punë intensive, informacione, debate, zhvillime, suksese, përballje duke arritur të mbijetojë në tregun mediatik ku shumë gazeta kanë falimentuar. Përgjegjësia, profesionalizmi, lajmi i saktë kanë qenë në themel të punës së suksesshme. Janë me mijëra lexuesit e saj nga jugu në veri. Janë me dhjetëra bashkëpunëtorët e saj nga të gjitha krahinat e vendit. Suksesi ke ka burimin te lajmi i saktë, te shtrirja gjeografike e problematika, te niveli i lartë i gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve cilësi këto që nuk i kanë munguar Telgraf në 20 vite. Ja si shprehen Çelik Petriti, Bashkim Alibali, Luan Laze, Fatos Çerenishti, Feti Zeneli… për Telegraf…

Feti Zeneli, publicist

Shtypi shqiptar është një sistem i larmishëm mediash, ku përfshihen gazeta, portale dhe media të pavarura online. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në informimin e publikut dhe në zhvillimin e debatit shoqëror pas viteve ’90. Megjithatë, cilësia e tij është e ndryshme: disa media kanë standarde profesionale të larta, ndërsa të tjera vuajnë nga mungesa e etikës gazetareske, sensacionalizmi dhe ndikimet politike ose ekonomike. Shtypi ndikon në opinionin popullor dhe shihet si domosdoshmëri informacioni në popull dhe jo vetëm! Pra, patjetër; shtypi shqiptar ndikon ndjeshëm në formimin e opinionit publik, sidomos në çështjet politike, sociale dhe ekonomike. Edhe pse besueshmëria e disa mediave është ulur për shkak të keqinformimit apo njëanshmërisë, shumica e njerëzve e konsiderojnë informacionin e përditshëm një domosdoshmëri – për të kuptuar zhvillimet, për të ndjekur vendimmarrjet publike dhe për të qenë pjesë e debatit shoqëror. Me përhapjen e mediave online, interesi për lajme është rritur, por njëkohësisht është shtuar edhe rreziku i manipulimit përmes “fake neus”. Po, a është realist dhe a ka pavarësi shtypi shqiptar në përgjithësi ndaj problemeve dhe fenomeneve? Në përgjithësi, shtypi shqiptar nuk është plotësisht i pavarur. Ndikimet politike, bizneset që financojnë mediat dhe lidhjet klienteliste shpesh ndikojnë në mënyrën si trajtohen temat. Ka gazetarë dhe media që ruajnë integritetin profesional dhe raportojnë në mënyrë objektive, por ato shpesh përballen me presione ose kufizime ekonomike. Realizmi dhe paanshmëria mbeten sfida të vazhdueshme për gazetarinë shqiptare. Por po jap një mendim edhe për gazetën “Telegraf” Gazeta “Telegraf” është një ndër botimet e njohura shqiptare me një traditë disa vjeçare në tregun mediatik. Ajo është pozicionuar si një media që trajton tema politike, sociale dhe ekonomike me ton kritik ndaj qeverisjes dhe institucioneve publike. Po kështu, një rubrikë e veçantë e saj është suplementi “Pena shqiptare”, çdo të premte, që mbush një boshllëk të shtypit profesional në këtë drejtim. Për lexuesit që kërkojnë një qasje më analitike dhe një këndvështrim kritik, “Telegraf” ofron një hapësirë të vlefshme informacioni. Megjithatë, si çdo media tradicionale në Shqipëri, edhe ajo përballet me sfida që lidhen me ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe përshtatjen me realitetin e ri digjital.
Çelik Petriti, shkrimtar

Për fat të keq shtypi ndikon në opinionin popullor dhe merret si dogmë në popull. Kjo ka shumë rëndësi për një gazetë. Në disa raste jep ushqimin më të duhur dhe është i domosdoshëm, por në disa raste duhet të jetë më kualitativ dhe jo spekulativ. Në disa gjëra nuk është realist, nuk është i paanshëm siç duhet të jetë shtypi. Kjo duket që nga përcaktoret që u vënë mediave ( i majtë- i djathtë)… Gazeta “Telegraf” bën një lloj përjashtimi në këtë drejtim, prandaj prej kohësh unë bashkëpunoj vetëm me këtë gazetë…U bënë mëse 12 vjet që nuk trokas gjetiu se jam vetvetja aty dhe ka frymë opozitare me çdo qeveri.
Bashkim Alibali “Mjeshtër i Madh”

Shtypi shqiptar megjithë të metat e tij punon me përgjegjësi se mediat vizive që kanë disa programe që nuk ndiqen me familjen. Madje disa programe televizive janë bërë të papranueshme si familje. Shtypi ka më pavarësi se duhet që kështu të jetë. Gazetën Telegraf e marr sepse me duket shumë më objektive dhe e falenderoj, sepse ka shkruar disa herë për mua. Pra kam qenë pjesë e saj disa herë. Ka larmishmëri dhe prek problem që na shqetësojnë.
Luan Laze, shkrimtar

Shpifjet e gënjeshtrat ndikojnë shumë tek lexuesi ndaj dhe gazetat duhet të jenë më të disiplinuara , e vërteta jo. Pavarësinë e shoh dhe lexoj vetëm te gazeta “Telegraf “ askund tjetër. E vërteta dhe profesionalizmi kanë vetëm një dritare”Telegraf”. Uroj jetë të gjatë asaj, stafit, dhe Drejtorit Engjell Musai. Mezi pres mëngjezin te Bashkim Hoxha të mësoj çfarë thotë “Telegraf-i”.
Fatos Çerenishti, biznesmen

Patjetër që shtypi ka vendin e vet të rëndësishëm në informimn e shoqërisë, do ishte mirë që çdo lajm të ishte i saktë por edhe kur nuk është prapë e orienton dhe zgjon mendjen njerëzore për të kërkuar të vërtetën, se pa të do jetë në errësirë fare. Telegraf është nën drejtimin e mikut tim Engjëll dhe është pjesë e imja në përditshmëri. E lexoj shkëmbej mendime me Drejtorin, marr informacion dhe plotësoj mangësitë në informacionin global.



















