Telefonatat venë e vijnë/ nga Tirana në Athinë…

2065
Sigal

Në pritje të një përvjetori

Ish-pedagogjikasit e “Jani Mingës” do të takojnë pas 62 vitesh

Janë ish-nxënësit e shkollës së mesme pedagogjike “Jani Minga” të Vlorës që lajmërojnë njëri-tjetrin, kudo që ndodhen, për një takim madhështor që pritet të bëhet këto ditë, pas mbi gjysmë shekulli, që kanë mbaruar shkollën. Shkolla pedagogjike “Jani Minga” e Vlorës e çelur për përgatitjen e mësuesve që do të punonin në çdo skaj të atdheut, u hap në vitin 1956. 10 vjet funksionoi si shkollë e përgatitjes së mësuesve e më pas u kthye në shkollë e mjekësisë, sot gjimnazi “Jani Minga”.Në vitin e parë të krijimit ishte drejtor z.Harilla Kuçuli, n/dr. Bubulina Arapi (Mici) dhe pedagogë: Elmaz Alia, Epapinonda Epapakroni, Kastriot Misja, Zeko Braho, Bajram Hajrullau, Telemak Xhaxho, Kristaq Mici, Spiro, Flora, Donika…etj. Shkolla ka nxjerrë me qindra kuadro që vinin nga: Tirana, Vlora, Durrësi, Lushnja, Fieri… Kishte djemë dhe vajza të cilët spikatën në përvetësimin e dijeve dhe në praktikën mësimore. Gati 90 % e nxënësve bënin jetë konvikti me drejtor Rushit Ismailin. Nga kjo shkollë kanë dalë kuadro mësues që kanë shërbyer edhe në veri të vendit për disa vite. Nga bankat e saj kanë dalë artistë si; Birçe Hasko, Anastas Kristofori; pedagogë; Agron Duro, Rahim Memushi, Gani Mezini, shkrimtarë si; Xhevahir Spahiu, Sulçe Çela etj. Mjaft djem e vajza kanë drejtuar shkollat ku kanë punuar. Kjo shkollë është dalluar për rezultate të larta në punën mësimore edukative dhe aktivitetet jashtëshkollore. Frytet e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin shoqërohen me një sërë suksesesh të tjera si: rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, realizim i suksesshëm i orëve mësimore dhe aktiviteteve shkollore. Shkolla pedagogjike “Jani Minga” ka bërë histori suksesi. Mjaft prej ish-nxënësve të pedagogjikes “Jani Minga” mbajnë tituj nderi “Mësues i merituar”, medaljen “Naim Frashëri” apo “Urdhër pune”, pa harruar edhe përkujdesjen e pushtetit vendor, ku një pjesë janë nderuar me “Certifikatën e mirënjohjes” nga bashkia Vlorë. Me këtë rast falënderojmë gazetën “Telegraf”, e cila na ofron mundësinë të lajmërojmë ditën e festës së grumbullimit në shkollë. Jeni të ftuar të gjithë!

LAJMËRIM:

Të gjithë ish-nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme pedagogjike: “Jani Minga” Vlorë në vitet 1956-1966 (dhe mësuesit tanë), janë të lutur të vijnë në takimin që do të organizohet në datën 12 tetor 2018 ora 10:00, në gjimnazin me të njëjtin emër të qytetit të Vlorës.

Në emër të Komisionit Organizator të takimit,

Bashkim Sulçe

Ish-nxënës i shkollës Pedagogjike“Jani Minga”

Vlorë.