Teknologjia ndihmon të verbrit të “shohin” kryeveprat e artit

517
Sigal

Thesaret e muzeumeve të artit
tani mund t’i shijojnë edhe të verbrit, apo vizitorët me problem shikimi.
Printimi 3-dimensional e sjell në jetë veprën e punuar në telajo. Vizitorët
mund të prekin me dorë relievin e printimit, të dallojnë fytyrat, apo pejsazhet
e pikturës. Në Vjenë një printer ka krijuar në forma tre-dimensionale disa nga
kryeveprat më të njohura të botës:

“Puthja” e Gustav Klimtit
ndërthur stilin bizantin me vezullimin e arit. Ajo është një ndër veprat më të
njohura të “Periudhës së Artë” të artistit austriak të fillimit të shekullit
XX.

Vizitorët në muzeun Belvedere në
Vjenë mund të shohin veprën origjinale ose një kopje të printuar të saj të
cilin mund ta prekin edhe me dorë.

Tani, të verbrit apo kushdo që ka
probleme shikimi mund ta përjetojnë këtë kryevepër duke prekur detajet e një
riprodhimi 3-dimensional.

Andreas Reichinger ka punuar që
nga viti 2000 për të transformuar veprat 2-dimensionale në punime artistike që
mund të përjetohen përmes prekjes. Projekti i tij realizohet falë një pajisjeje
të teknologjisë së lartë. Ai thotë se “Puthja” ishte projekti më i vështirë:

“Kjo vepër ka elementë figurativë dhe fizikë. Ka
edhe pjesë 2-dimensionale dhe ornamentale. Ka rëndësi të gjendet balanca, që të
përcillen pjesët që mund të përfaqësohen me 3 dimensione, por edhe të mos
humbasin elementët dy dimensionalë në këtë reliev”.

Dominika Raditsch thotë se ai e
arrin me sukses synimin:

“Shumë bukur! Tamam ashtu si piktura! Ka shumë
detaje”.

Vizitorja Raditsch, e cila humbi
shikimin kur ishte katër vjeçe, thotë se mund t’i imagjinojë pamjet në mendje,
kur prek me dorë relievin 3-dimensional:

“Pak a shumë ka forma të rrumbullakta, të
ndërthurura. E dallon me dorë. Në shumë pjesë është e sheshtë dhe mendoj se
është e ndritshme”.

Falë mjeshtërisë së inxhinierit
Reichinger, gjenialiteti i Klimtit dhe bukuria e veprës së tij “Puthja” tani kënaqin
jo vetëm syrin, por edhe shqisa të tjera.