“Të uruam kur nise mbylljen e kazinove, na more më qafë që i “Rilinde”!

359
Sigal

Gratë e “Rilindjes” letër të hapur Edi Ramës, për vendimin mbi rihapjen e kazinove. Fundi i marrëzisë u rikthye duke patur fatin e operacionit “Republika e hashashit”. Jemi pa bukë dhe kemi hallin e burrave tanë, jo të ministrave, deputetëve, drejtorëve dhe oligarkëve tuaj.

Fejton nga Engjëll Musai

Ligji për lojërat e fatit mbylli pak vite më parë aktivitetin për bastet sportive dhe kazinotë elektronike duke lejuar vetëm aktivitetin e kazinosë në qendër të Tiranës, bingot tradicionale dhe Lotarinë Kombëtare (një koncesion 10 vjeçar). Por si nisi  aksioni për mbylljen e kazinove me ardhjen në pushtet të “Rilindjes’, dhe përse u rihap vetëm 7 muaj para zgjedhjeve të 2021?

Aksioni i lojërave të fatit, “Fundi i Marrëzisë”

Ky ishte aksioni i pare i qeverisë Rama, por që tashmë mund të konsiderohet  një marrëzi dhe fiasko e vërtetë e Kryeministrit të “Rilindjes”. Historia e mbylljes së kazinove e ka zanafillën në dhjetorin e 2013, vetëm 3 muaj pasi Rama kishte marrë drejtimin e qeverisë. Mbyllja e lojërave të fatit u konsiderua si një prej operacioneve më të mëdha të qeverisë socialiste, pasi gjatë aksionit që u shtri në të gjithë vendin në terren u angazhuan të paktën 6 mijë punonjës policie. Në përfundim të këtij operacioni Ministria e Brendshme që në atë kohë drejtohej nga Saimir Tahiri tha se u kontrolluan 1374 subjekte, u evidentuan 542 vepra penale zhvillim i palejuar i lojërave të fatit, si dhe u proceduan penalisht 534 autorë. Por hetimi për këto raste  dështoi, pa i dërguar gjykatës asnjë prej operatorëve që kishte kryer aktivitet të paligjshëm. Hetuesit e çështjeve të referuara në Prokurori, deklaruan se kishin hasur   pengesa e vështirësi të shumta, duke filluar që nga procedurat e ndjekura në operacionin e ngutshëm të policies, e deri tek mungesa e ekspertëve që duhej të asistonin hetimin. Tregu i lojërave  qarkullonte rreth 150 milionë euro dhe punësonte mbi 7 mijë persona.

Qeveria u hap rrugën kazinove. Ja zonat ku lejohen dhe kriteret e garës

Së fundmi, qeveria ka miratuar dy vendime të lidhura me lojërat e fatit që sinjalizojnë mundësinë për rritje të numrit të kazinove ku së pari, koordinatat se ku lejohet aktiviteti kazino brenda qytetit dhe që saktësisht përfshin zemrën e tij, nga rruga e “Barrikadave” tek “Urani Pano” Rruga: “Dedë Gjon Luli, Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh Ë. Bush. Konkretisht kjo zonë përfshin pjesën nga 15 katëshi tek Unaza, tek Parku Rinia, tek “Xhorxh Bush” që është në Unazë, në rrugën ku ndodhet edhe selia e Partisë Demokratike. Vendimi i dytë, përcakton kriteret për garën për dhënien e një licence. Sipas ligjit “Pë lojërat e fatit”,  licenca e një kazinoje kushton 1 miliardë lekë për vetëm një sallë loje dhe kjo shumë duhet të shlyhet në mënyrë të barabartë çdo vit përgjatë gjithë periudhës së licencës (10 vjet, çka do të thotë 100 milionë lekë çdo vit). Subjektet duhet që të kenë një kapital 1.2 miliardë lekë ndërkohë që vendimi i qeverisë përcakton sesi do të veprohet me shpalljen e garës.

 

Gratë e “Rilindjes” letër të hapur Edi Ramës: Kemi hallin e burrave tanë, jo të ministrave dhe drejtorëve të tu

Ne që ju drejtohemi me këtë letër, jemi disa gra, banore dhe përfaqësuese të lagjeve në Tiranë, ku ti more aq deputetë sa po qeveris dy mandate. Nuk po të kërkojmë punë, mbasi e di gjithë dynjaja që vendet e punës ua ke dhënë bashkëfshataro-qytetarëve, familjarëve, kushërinjve, servilëve, trafikantëve, hajdutëve, profesorëve kristalistë e filloristëve që të lëpijnë këmbët e të japin “haraçin” mujor, por edhe ngaqë shumicën e vendeve të punës, ua ke lënë në dorë sekserëve të tu të besuar për t’i shitur, duke mbajtur edhe ata përqindjen që u ke caktuar! Shqetësimi ynë si gra dhe nëna, lidhet me hallin që na ka zënë dhe që ti o Edo, rrahe gjoksin se do të na e zgjidhje përfundimisht. Na premtove në fushatën e 2013-ës se do të mbyllje kazinotë dhe qendrat e bixhozit, që të na shpëtoje nga burrat bixhozxhinj që linin edhe lekët e bukës, të dritave e të ilaçeve në ruleta dhe llotari! Në fillim e nise me vrull dhe kyçe e sekuestrove disa dyqane bixhozi. Në atë kohë, të uruam me gjithë zemër! Pas aksionit tënd, burrat tanë nuk futeshin më në kazino e pika bastesh nga frika e prangave të “çunave” të tu policë! U lumturuam aq shumë që nise t’i mbyllje ato të mallkuara bixhoze, sa besojmë se të kujtohet, që të kemi dhënë edhe lule e të kemi puthur në ballë në mes të Kombinatit kur të shoqëronte Saimja, kryeçuni i policisë që kanabizoi vendin. Me mendjen tonë, se më në fund bixhozi dhe burrat tanë bixhozxhinj kishte rënë në “Zot”, u bënim presion duke përdorur me emrin tënd siç na porosite ti gjatë takimit në kafe, që t’i kërcënonim se do të telefonimin ty, nëse i gjenim duke luajtur bixhoz! Të themi të drejtën o Edo, gjetëm rehat nga sëmundja e bixhozit, por aq e pati edhe qetësia jonë! Pas aksionit tënd, burrat tanë filluan të shkonin përsëri në qendrat e bixhozit. Në familjet tona filloi përsëri sherri e shamatoja! As kur u bënim presion se do të telefonimin ty, nuk kishin më frikë! Ky hall që kemi, po vazhdon. Po na i lënë në bixhoz rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike! Me sa kemi dëgjuar e parë me sytë tanë duke përgjuar burrat nëpër qendra bixhozi, kemi vënë re se këto jo vetëm nuk janë mbyllur, por edhe janë shtuar më shumë, duke u hapur në çdo rrugicë, lagje, bllok banimi e pallat. Të gjendura në këtë hall që na ka zënë, u kemi kërkuar ndihmë policëve të tu, që të përzënë burrat tanë nga qendrat e bixhozit, por kemi parë çudira. Shumë policë e shefa policie, shkojnë e luajnë edhe vetë bixhoz! Mirëpo tani vonë e mësuam se gjysmat e qendrave të bixhozit i kanë vetë policët, shefat e policisë, drejtorët, doganierët, tatimorët, shoferët dhe bodigardët që ke emëruar ti. Dhe kur shkojmë e bëjmë sherr me burrat tanë brenda tyre, ata na thonë sikur janë bixhozet e tua. Të themi të drejtën, në fillim nuk e besuam dhe deshëm t’i qanim hallet duke të vënë në dijeni ty o Edo, por na thanë se ishte vetë ti që e ndalove aksionin tënd për mbylljen e kazinove, mbasi kishte ca miq të rinj e të vjetër pronarë kazinosh, duke na rikthyer rilindjen e bixhozit! Mirë ata që nxjerrin miliarda prej korrupsionit dhe shkojnë e luajnë për sport, po ne fakirëve që nuk mbushim dot barkun me bukë, pse na e le peshqesh bixhozin?! Beso, që “na ka vajtur shpirti në majë të hundës” nga burrat tanë, por inatin e kemi me ty që na premtove se do t’i mbyllje bixhozet, por i shtove edhe më shumë me ato metodat e reja sikurse i quanë ti on-line. Dhe e di kur e kuptuam këtë on-linen, ne ? Kur burrat hoqën dorë nga ato telefonat e kohës së Saliut dhe blenë nga këta modernët me ekran. Që ta ngasim më tej o Edi xhani, në fillim të uruam, por na zhgënjeve e na more më qafë që i “rilinde”! Prandaj, nëse këto qendra bixhozi nuk janë të tuat (siç thonë policët dhe drejtorët e emëruar prej teje), hajde na i mbyll, dhe jo të nxjerësh fshehurazi vendime për rihapjen e tyre, pasi tani përveçse parave që do na rrjepësh, do kërcasë dajaku çdo natë! Na kupto mirë, o Edoo! Nuk e kemi fjalën për kazinotë ku luajnë ministra e deputetë, por për ato pikat e bixhozit në lagje nëpër Tiranë, që po na shkatërrojnë familjet! Paçka se jemi të dërmuara psikologjikisht prej burrave tanë bixhozxhinj e të (zh)gënjyera nga ty, na ka mbetur aq mendje sa të kuptojmë, që ti këto ditë je shumë i ngarkuar me aksionin e korrjes së hashashit dhe shitjen e Detit. Por mos harro, që aksioni kundër zhdukjes së bixhozit nisi përpara aksionit të zhdukjes së hashashit dhe duhet respektuar radha aksioneve! Presim të na shpëtoni nga ky hall duke e anulluar vendimin e marrë në konspiracion para pak ditësh dhe që prej shtatë ditësh nuk u botua as në Fletoren Zyrtare. Me besim, nga disa gra “rilindëse” të Tiranës me burra bixhozxhinj. Jemi të bindura që këtë hall e kanë edhe të gjitha gratë ‘rilindase’ në të gjithë Shqipërinë, votuese për ato 74 vendet që ti kërkon të marrësh për një mandat të tretë. Nëse na zhgënjen përsëri, jo 74 deputetë, por edhe 47 deputetë  vështirë se do t’i kesh  në vathën  e re të “kërpëratës – kuvendare”.