“Të shtunën protesta kombëtare”, ja kërkesat që i drejtohen Edi Ramës nga qytetarët

174
Sigal

Disa qindra qytetarë po zhvillojnë protestën para Kryeministrisë, ndërsa akuzuan Qeverinë se nuk ka reaguar lidhur me uljen e çmimeve.

Një prej aktivistëve, Mirgen Qiraxhi, u shpreh se qytetarët po protestojnë pasi jetesa është bërë e papërballueshme. “Qeveria të marrë masa për qytetarët, jo për oligarkët, pasi po kujdeset vetëm për ta. Të ulet barra fiskale, e cila rëndon mbi qytetarët”, tha Qiraxhi, duke shtuar se protestat do të vijojnë, nuk do të ndalen.

Avokati Adriatik Lapaj, tha se kërkesa që janë punuar gjatë këtyre ditëve nga grupet e interesit, kërkojnë zgjidhjen e kësaj situate.

“Kërkesa e përgjitshme të ulet çmimi i karburantit në nivelin me ato të rajonit.

Ulja e barrës fiskale dhe garantimi i qëndrueshmërisë së çmimeve.

Zerimi i përkohshëm i TVSH për produktet e shportës.

Përcaktimi i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve. Mbikëqyrje dhe raportim 3 mujor në Kvend nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.

Rishikimi i buxhetit të shtetit për shpenzimet e luksit të administratës publike.

Krijimi i një kompanie publike që të konkurrojë me kompanitë private të naftës.

Përcaktimi i minimumit jetik. Zgjerimi i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve”, tha Lapaj, duke përmbledhur kërkesat.

Ai tha se do të ketë një protestë kombëtare të shtunën.

“Duhet të ishte ndryshe por gjithsesi kjo është normale sepse është ditë jave. Njerëzit janë përgatitur pë marshim kombëtar ditën e shtunë, një protestë që do të jetë madhështore. Hapat e marra nga qeveria nuk janë mjaftueshëm.

Qytetarët duan ende të ulen çmimet e karburantit dhe çmimeve të produkteve.

Protesta është politike se kërkesat janë politike. Pastaj pjesa e partive është gjë tjetër. Në ditën e shtunë vendos sheshi, sepse është dita e përballjes së madhe ku do bëhen publike këto kërkesa që kemi përpiluar sot.

Qytetarët do pyeten sesi do të vazhdojë kjo protestë. Dhe mund të merret vendim edhe për të mos lëvizur nga sheshi ku po protestojmë”, tha Lapaj.