Task Forca, sekuestro, gjoba të majme në Vlorë

507
Më shumë se 300 subjekte të kontrolluara e rreth 10 milion lekë gjoba, është rezultati i deritanishëm i Task Forcës së Tatim Taksave, që prej një jave ndodhet në qytetin e Vlorës. Krahas gjobave, inspektorët e tatimeve të mbledhur nga shumë qytete të vendit, kanë kryer dhe veprime të sekuestros së mallrave, ku pjesa më e madhe kanë qenë pije alkoolike, ushqimorë dhe artikuj të tjerë. Ditën e martë inspektorët u janë rikthyer nga e para gati të gjitha subjekteve të kontrolluara më parë, me qëllim verifikimin e kryerjes së detyrave të lëna nga ata për subjektet, të cilat janë gjetur të parregullta. Në shumicën e kontrolleve, inspektorët janë përqendruar në ato subjekte, të cilat i kanë mbyllur subjektet, për t’i shpëtuar ndëshkimit, por janë kapur sapo kanë tentuar të rihapen.
Sipas drejtuesve të këtij aksioni, Vlora ka patur një numër të madh subjektesh që kryenin aktivitet të pa liçensuar, pa kasë, pa paguar tatimet si dhe me punonjës të pasiguruar, ndaj dhe është vendosur që të kryhet një aksion i përmasave të tilla. Në mbështetje të aksionit janë shprehur dhe shumë biznese të rregullta në Vlorë, si pronari i një lokali, Elis Sali, i cili deklarohet se “aksione të tilla janë të nevojshme sepse i shërbejnë k konkurrencës së ndershme dhe i detyrojnë të gjithë që të punojnë me rregulla e zbatim të ligjeve të shtetit”. Ndërkohë, të tjerë biznese ankohen sepse ka patur dhe raste që inspektorët kanë toleruar subjekte të cilat edhe pse i kanë gjetur të parregullta, nuk i kanë ndëshkuar ashtu si kanë vepruar me të tjerë. Sipas tyre, raste të tilla nuk i shërbejnë qëllimit për të cilin Task Forca ka ardhur në Vlorë, por edhe imazhit të një aksioni dhe një institucioni të tillë. Në mbështetje të inspektorëve është vendosur dhe policia e Vlorës, e cila i shoqëron ata gjatë gjithë orëve të ditës, sepse duhet thënë që aksioni nuk ka orar, por kryhet kudo dhe në mënyrë të befasishme, aty ku dyshohet se ka subjekt që kryhen aktivitet tregtar të paligjshme.


Sigal

Ergys Alushi