“Tani po ja ndjej lezetin mandatit të deputetit”

472
Ka qenë shokuese dhe e papritur deklarata që ndoshta doli krejt rastësisht mes miqve në një tavolinë ku pihej kafe, e një deputeti të qarkut të Elbasanit, sipas të cilit “tani po ja ndjej lezetin mandatit, qenka bukur, fiton dhe shijon jo pak gjëra të bukura”. Por ajo që ndoshta deputetit të ri të qarkut të Elbasanit, ardhur nga propozimet e kryesisë degës lokale të PS i është dukur si rastësore, apo si një batutë e lëshuar mes miqsh me poste jo të vogla, është një tregues i keq. Wshtë tregues i keq, pasi rikonfirmohet fakti se, deputetët e Elbasanit të majtë dhe të djathtë dhe jo vetëm ata, kanë fituar me votat e shqiptarëve, të atyre që u premtuan “rritje ekonomike, vende pune me shumicë, dhe telefonata ditën dhe natën, kur të kenë halle dhe probleme”, për t’u futur të Parlament, jo për interesat e tyre, por për xhepat e tyre. 

Kur xhepat e të zgjedhurit mbushen nga privilegjet e mandatit

Për xhepat e tyre, pasi kanë nisur të lezetojnë të mirat materiale dhe gjithçka tjetër nga mandati i deputetit, kanë nisur t’u lezetohen milionat që fitojnë nga ndërhyrjet që nisin nga drejtorët e institucioneve, kryetarët e bashkive dhe deri tek ministrat, zv/ministrat, kryetarët e gjykatave etj. Për xhepat e tyre pasi prej 2 vitesh, nga zyrat e deputetëve dhe veçanarisht të deputetit që deklaronte para 2-3 ditësh se “tani po ja ndjej lezetin mandatit”, nuk është punësuar qoftë edhe një qytetar, apo më keq akoma militant socialist, përkundrazi telefoni mbetet vazhdimisht i mbyllur. Deputeti në fjalë, mik i ngushtë edhe me shumicën e ministrave dhe kreun e qeverisë, vjen nga rradhët e nëpunësve të shtetit, dhe “llonxha” e parasë e cila ka nisur t’i mbushë xhepin, natyrisht se do ta tjetërsonte, do ta bënte tjetër njeri, me huqe dhe kapriçioz. Miqtë e dikurshëm as që i afron, nuk u hap as telefonin, kurse makinën e vjetër e ka shitur për skrap tek KURUM, dhe ka blerë makinë të re 14 mijë euro. Deputeti i ri, që ka nisur t’i lezetohet mandati, ka blerë edhe një hyrje 130 metra katrore, madje ka porositur edhe një në Vlorë e Sarandë, pasi në Tiranë e kishte blerë para se të bëhej ligjëvënës. Ajo që ndodh me deputetët tanë, ndodh vetëm me personat që kur provojnë adoleshencën e vonuar, ndjehen sikur jetojnë në “Botën e 7”. 

Premtimet elektorale, zvetësohen në mashtrime

Mashtrimi që u bëjnë qytetarëve dhe votuesve, të fshatit dhe qytetit, premtimet që japin, duke u zbritur parajsën në tokë, braktisja dhe kthimi kurrizit, sapo “betohen” në sallën e Parlamentit, fikja e celularëve, ndërrimi makinave, banesave, ngjyrimit dhe modelimit të flokëve dhe veshjeve, ndërrimi i mënyrës së përshëndetjes, apo stilit të nisjes së bisedës, tregon sa të vegjël dhe sa të pacivilizuar janë ata që partia i përzgjedh dhe kandidon për “ligjëvënës”. Pasi vetëm të tillë, pra ligjëvënës ata nuk janë, sepse nuk kanë nivelin dhe dëshirën për t’u bërë të tillë. Deputeti në fjalë nuk pranon të flasë me ata pak miq, të cilët i ka në Elbasan aktualisht, apo me ish-kolegët, për “ligjet dhe diskutimet e ligjeve që miratojnë”, pasi kur kjo temë hapet ai me krenari u thotë se “nuk diskutoj tema të tilla në kafene”. Deputeti lezetçi, që vërtetë ka nisur t’i shijojë mandati, dhe këtë e ka kuptuar vetëm vitin e dytë të tij, ka nisur të marrë leksione nga “veteranët” e mandateve, duke synuar të mësojë format dhe metodat se si duhet vepruar për të fituar edhe mandatin e dytë. Lektorët i thonë se “duhet fillimisht t’i thuash lepe-peqe kryetarit, pastaj duhet të bësh para shumë, pasi mandati dytë ka ca rregulla, që avash-avash do ti mësojmë edhe ty”. Të gjitha këto copëza bisedash, të dala nga goja e atyre që e shoqërojnë shpesh në kafene deputetin, janë subjekte fejtonësh, që votuesit duhet të ishin të parët t’i lexonin, dhe të mësonin se kujt ja dhanë votën, për të mos u gënjyer për mandatin e dytë. Deputeti lezetçi, së fundi ka ndryshuar edhe destinacionin e pushimeve verore. Ai nuk i bën më ato në plazhet e Shqipërisë, (Kavajë e Durrës etj), por në ato të Turqisë, Greqisë dhe Spanjës, duke u bërë më hijerëndë dhe me luk të ndryshuar nga banjot e diellit dhe ushqimi cilësor. Së fundi, deputeti lezetçi ka nisur të bëhet edhe aktivist partiak, (por edhe me shoqërinë civile), duke synuar dhe duke krijuar mendimin tek baza dhe militantët se “ja edhe unë punoj dhe jap diçka për partinë”. 
Sigal