Suzana Shkreli sheh shumë shpresë dhe energji në Kosovë

732
Suzana Shkreli, ish- kandidate për kongresiste në SHBA, ka parë shumë të rinj, shumë shpresë dhe shumë energji në Kosovë. E ardhur në Kamenicë për të marrë pjesë në takimet “Diaspora Flet”, ish- kandidatja për kongresiste të SHBA-së dhe prokurorja në këtë shtet Suzana Shkreli, foli fjalë të mira për Kosovën. “Këtu ka shumë talente, shumë të rinj, shumë shpresë dhe shumë fuqi. Ju keni vuajtur shumë, por tejkalimi i saj ka qenë një sukses i madh”, tha Shkreli duke iu drejtuar të pranishmëve. Takimet “Diaspora Flet” i ka mundësuar organizata “Germin” për të sjellë rrëfime të kosovarëve të suksesshëm në botë para njerëzve të Kosovës. Shkreli, prokurore në Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve të Qarkut, Makomb të Michiganit, e konsideroi sistemin e drejtësisë botë mashkullore. “Ende sistemi i drejtësisë është botë e meshkujve, kështu që kishte komente. Të jesh femër dhe në një pozitë me pushtet përballesh me gjëra me të cilat meshkujt nuk përballen, kritikat që bëhen për gratë nuk bëhen edhe për meshkujt”, tha Shkreli. Ajo tregoi se edhe në Amerikë femrave të suksesshme u vihen emra të ndryshëm. “Nëse një femër është e fuqishme asaj i vihen emra të ndryshëm. Duhesh të përpiqesh që të pëlqehesh dhe pastaj të votohesh”, sqaroi Shkreli. Ajo tregoi edhe përvoja personale nëpër gjykata. “Sa i përket të qenit prokurore është dashur të jem e fuqishme- shumë herë ka pasur raste kur gjykatësit më kanë kërcënuar që do të më fusin në burg për shkak se kam pasur gjithë atë fuqi, por nuk më kanë frikësuar”, tha Shkreli. Shembull të paragjykimit ndaj grave e cilësoi edhe votën për Donald Trumpin. “Duhesh të përpiqesh që të pëlqehesh dhe pastaj të votohesh, si ajo që ndodhi me Donald Trump. Kishte njerëz që thoshin, se mua nuk më pëlqen Donald Trump, por unë do të votoj për të, sepse nuk kam opsion tjetër. Njerëzit duhet ta pëlqenin Hillaryn që të votonin për të”, tregoi Shkreli.

Gjithçka është politikë
Shkreli rrëfeu edhe se si u përfshi në politikë me Partinë Demokratike të Amerikës.
“Nuk jam rritur me ndjenjën që do të bëhem politikane, nuk e kam ditur që do të kandidohem për kongres, nuk kam ëndërruar që do të shërbej në politikën amerikane, por diçka më ndodhi kur isha në dhomën e gjykatës, kur shihja problemet e shoqërisë, njerëzit e varur nga droga, njerëz me probleme të shumta shëndetësore dhe fillova të bëja pyetje për prioritetet që i kanë njerëzit në pushtet”, tha Shkreli. Ajo në bashkëbisedim më qytetarët e Kamenicës deklaroi se gjithçka është e lidhur me politikën. “Çdo gjë është e lidhur me politikën, dhe e kam parë atë lloj mentaliteti, kulture që asgjë nuk ndodh pa politikë, edhe rrugët në të cilat ecim janë të lidhura me politikën, çdo gjë në përditshmërinë tonë është e lidhur me politikë”, tha Shkreli.

Takimi me Clinton-in dhe adhurimi për Obama-n
Kur kandidoi për Kongres, Shkreli u takua edhe me ish-Presidentin amerikan Bill Clinton.
“Bill Clinton-in, unë e dua shumë atë. Ai është i pabesueshëm. Kur ka dëgjuar se jam me origjinë shqiptare më ka ftuar që ta prezantoj atë në një ngjarje përfshirë edhe Hillaryn dhe gjithashtu e kam falenderuar për gjithë atë që ai e ka bërë për popullin shqiptar”, shtoi Shkreli. Por, ajo tregoi se nga politikanët më së shumti e adhuron Barack Obama-n, edhe pse tha se nuk është takuar asnjëherë me të. “Unë nuk e kam takuar asnjëherë Barack Obama-n por ai është lideri që unë dua të jem, dikush që i vendos njerëzit të parët, dikush që ka respekt, që ka dinjitet dhe që gjithmonë ka synuar më lart. Ai është dikush që e respektoj shumë”, tha Shkreli.

Kthimi te rrënjët
Shkreli tregoi se është frymëzuar nga sakrifica e prindërve të saj për të qenë e suksesshme.

“Historia ime nuk është shumë ndryshe prej të tjerave. Babai im zgjohej para se të zgjoheshim ne dhe kthehej kur ne binim në gjumë. Edhe nëna ime gjithashtu. Kur i shihja ata duke punuar aq shumë më bënte të ndihesha keq dhe si të mos tentoja të bëhesha e suksesshme. Mendoj se ishte një detyrë për mua”, shpjegoi ajo.

Ajo bëri thirrje që shqiptarët t’i ruajnë veçantitë e tyre kudo nëpër botë.
“Sa i përket integrimit është e vështirë si gjenerata e parë amerikano-shqiptare, sepse disa norma kulturore të tjerët nuk i kuptojnë. Për shembull kur nëna të thërret në telefon njëqind herë në ditë e të pyet ku je, ose kur gjyshja të bën shumë pyetje. Por kjo është e bukura e kulturës sonë, ne kemi marrë më të mirën e kësaj, të traditës sonë- respektin, besën, fjalën”,tha Shkreli. Ish-kandidatja për kongresiste kërkoi që fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit ta mësojnë shqipen dhe të mos harrojnë prej nga janë. “Fëmijëve tanë t’ua mësojmë gjuhën shqipe dhe nëse nuk mësojnë, t’i sjellim ata në Kosovë dhe të provojnë ta mësojnë. Gjithmonë të kujtosh kush je edhe kur të bëhesh këngëtare e famshme si Dua Lipa, Rita Ora, gjithmonë të kuptosh se ti je ajo që je për shkak të vendit nga vjen”, apeloi Shkreli.

Ajo mori shembull hebrenjtë kur foli për vizitat që duhet t’i bëjnë shqiptarët jashtë vendit në vendet prej nga vijnë.
“Për shembull, komuniteti i hebrenjve e ka një fond që quhet e drejta e lindjes që të shkojnë ta vizitojnë Izraelin dhe mendoj që është diçka që ne do të mund ta bënim, që do të thotë, të fillonim me një fond në mënyrë që secili prej shqiptarëve të mund të shkojë ta vizitojë vendin e vet”, tha Shkreli.

Ajo tregoi se u mahnit nga bukuria e jugut të Shqipërisë, kur e vizitoi këtë pjesë.
“Nuk mund të besoja që kjo është e jona dhe në një farë mënyre u ndjeva shumë nervoze që nuk më kanë treguar më përpara që kjo është e jona”, shfaqi emocione prokurorja Shkreli.

Ajo nuk e përjashtoi mundësinë që një ditë të kthehet në Kosovë.
“Kam shumë qejf të kthehem këtu, të punoj këtu për viktimat e dhunës seksuale, në politikë ose diçka tjetër, kush e di… Do të doja të kthehesha për të ndihmuar, të bëja diçka më shumë”, tha Shkreli.

Marrë nga iliriapress.com
Sigal