Sulmi ndaj turistëve spanjollë, ja sa u dënua Mihal Kokëdhima. Si nisi konflikti

422
Sigal

Gjykata e Vlorës ka dënuar me një vit burg Mihal Kokëdhimën, për incidentin me turistët spanjollë në lokalin e tij në Porto Palermo, që ndodhi në muajin gusht.

Kokëdhima u konfliktua fizikisht me disa turistë spanjollë, pasi këta të fundit refuzuan shërbimin në lokalin e të pandehurit. Ndërkohë, vendimi i dënimit ndaj tij u dha ditën e djeshme për akuzat e “Kanosjes”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim i pronës”. Kokëdhima do ta vuajë pjesën e mbetur të dënimit duke u llogaritur dhe periudha e qëndrimit në paraburgim.

mihallkokedhima

Mihal Kokëdhima u arrestua pas sulmit ndaj familjes së miliarderit spanjoll, Eugenio Galdón, që kishte zgjedhur Shqipërinë për pushimet e verës. Ngjarja ndodhi në Porto Palermo në gusht të këtij viti, ndërsa shfaqja e dhënë nga Kokëdhima nuk ishte aspak e këndshme, duke bërë atë kohë edhe xhiro në rrjetet sociale.

Ndërkohë, pas ngjarjes së ndodhur katër muaj më parë, turistët spanjollë dhanë dëshmitë e tyre lidhur me sulmin e pësuar nga biznesmeni Mihal Kokëdhima. Ata janë shprehur para grupit hetimor se ngelën të pakënaqur nga shërbimi dhe u larguan, ndërsa 55-vjeçari i ndoqi nga pas dhe qëndroi për rreth 3 km i varur në makinën e tyre, duke thyer xhamat e duke dhuruar një skenë skandaloze në sytë e turistëve të huaj.

NGJARJA

mihal

Ngjarja për të cilën u dënua Mihal Kokëdhima ndodhi në datën 15 gusht, në kohën kur turistët spanjollë që ndodheshin për turizëm në vendin tonë kanë shkuar për të drekuar në lokalin “Panorma”, por pas largimit nga lokali janë ndeshur me një situatë aspak të qetë. Ata janë sulmuar nga Kokëdhima, i cili kërkonte pagesën nga turistët. Ndërkohë, pasi turistët refuzuan të bënin pagesën e shërbimit të kërkuar, por të papëlqyer, më pas tentuan të largoheshin. Pas kësaj, ndodhi ajo që nuk pritej.

Mihal Kokëdhima i ndoqi nga pas dhe qëndroi për gati tre kilometra në kofanon e makinës, ndërsa videoja e tij e xhiruar nga turistët bëri xhiron në rrjetet sociale dhe media të ndryshme në atë kohë. Kokëdhima u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa Gjykata e Vlorës përcaktoi në atë kohë masën e sigurisë “Arrest në burg”, masë të cilën Kokëdhima e apeloi përmes avokatëve të tij më datë 28 gusht në Gjykatën e Apelit. Pavarësisht pretendimeve të Kokëdhimës për ndryshim të masës së sigurisë, Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për “Arrest në burg”.

APELIMI

Tentativa e tij për t’u liruar nga burgu nuk mungoi as një muaj më pas. Kokëdhima i drejtohej herë pas here Gjykatës së Apelit Vlorë për të zëvendësuar masën e tij “Arrest me burg”, duke pretenduar se nuk ndodhej në një gjendje të mirë shëndetësore. Pavarësisht këtyre pretendimeve, kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga Apeli, duke bërë që Kokëdhima të qëndrojë në burg. Ndërkohë, dje Mihal Kokëdhima është njohur me vendimin e Gjykatës, e cila e ka dënuar atë me një vit burg.

PAS SKANDALIT, KOKËDHIMËS IU PRISH LOKALI

Më datë 21 gusht të këtij viti, IKMT-ja i prishi lokalin Mihal Kokëdhimës. Pasi ngjarja bëri bujë nga veprimet e pahijshme të tij ndaj turistëve, rezultoi që godina ishte ndërtuar pa leje përkatëse.

Objekti rreth 2 mijë metra katrorë, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezultoi pa leje, ndërkohë që shfrytëzohej kundrejt pagesës edhe një pjesë e plazhit.

Gjithçka u zbulua pasi sjelljet e tij ndaj turistëve të huaj u shpërndanë në rrjete sociale. Pas këtyre, ishin institucionet përkatëse që kryen të gjitha verifikimet në biznesin e Kokëdhimës, i cili shërbente në një nga zonat më të frekuentuara gjatë sezonit turistik në vend.