Në Komisionin e Politikës së Jashtme, u diskutua për sulmet kibernetike të Iranit ndaj sistemeve shtetërore online si dhe ndaj sistemit TIMS. Deputeti socialist, Petro Koçi deklaroi se duhen mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve pasi po cënohet jo vetëm demokracia, por dhe integriteti i vendit. Nga ana tjetër deputetja demokrate, Grida Duma deklaroi se patronazhistët janë ata që kanë nxjerrë të dhënat e qytetarëve. DEBATET:
Petro Koçi: Është rritur dhe numri i viktimave të krimit kibernetik, duhet të reflektohet edhe përmes këtij protokolli shtesë për krimin kibernetik. Në qendër të protokollit, është mbrojtja e të dhënave personale, pasi në brendësi të tyre ka përmbajtje të të dhënave personale.
Grida Duma: Ne si deputetë të opozitës do ta bëjmë detyrën tonë. Ka një bombë të hedhur nga një shtet arrogant, gangster, por ka dhe një qeverisje gangstere, që thotë se nuk i lëviz njeri: patronazhistët. A jeni në gjendje që pas kësaj konvente që keni mbështetjen, tonë ju pyesim:- A i mbani dot këto përgjegjësi? Dhe kjo është minimalja e detyrës, pasi maksimalja do ishte përkthyer me dorëheqje të rënda në qeveri.
Blendi Klosi: Ajo që ndodh sot nuk ndodh kot, se ne jemi në një aleancë shumë të fortë. Irani nuk na sulmon se u kujtua për Shqipërinë, por se ne jemi në aleancë. Ne nuk e fshehim kokën nga lufta, jemi në mbështetje me Ukrainën, ndaj goditemi sot.