Sukses i deputetit shqiptar Ahmet Gjanaj në Bruksel dhe në Diasporën shqiptare: Flamuri shqiptar valëvitet sipër Atomium-it

776
Sukses i deputetit shqiptar Ahmet Gjanaj në Bruksel dhe në Diasporën shqiptare: Flamuri shqiptar valëvitet sipër Atomium-it, simbolit të Belgjikës. 

Në rastin e 28 Nëntorit, Festës së Flamurit, Komuniteti shqiptar i Belgjikës ka arritur një sukses të ri, përmes deputetit të Brukselit, Ahmet Gjanaj, që të valëvitet Flamuri Kombëtar sipër simbolit të Belgjikës, Atomiumi. Qysh kur është bërë deputet i rajonit të Brukselit, Ahmet Gjanaj, ka ndërmarrë disa veprime për të thyer paragjykimet ndaj Shqiptarëve, për mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarëve në Ballkan dhe për të vënë në dukje vlerat e bukura të këtij kombi. Për të treguar se sa mirë janë të integruar Shqiptarët në shoqërinë belge dhe evropiane dhe për të përfshirë komunitetin shqiptar në evente të natyrës demonstrative për vlerat që mbart ky popull dhe që të ndjehet krenar për to, deputeti shqiptar po shfrytëzon të gjithë kontaktet dhe ndikimin e tij politik. Në datat e rëndësishme për kombin, në veçanti për 28 nëntorin, Ahmet Gjanaj është përpjekur që të «kapen» simbolet e Belgjikës për të festuar. Filloi me 100-vjetorin e Pavarësisë më 2012 u arrit që të festohet vetëm 100 metra larg nga qendra historike e Brukselit. Pastaj, më 28 nëntor 2015, ai arriti që t’i kërkojë kryetarit aktual të Bashkisë së Brukselit që Manneken-Pis, simboli i Brukselit, të vishej me një ndër kostumet kombëtare dhe u festua me komunitetin shqiptar në «Grand Place» në zemër të Brukselit. Sivjet, arritjet e deputetit Ahmet Gjanaj janë rritur shumë, pasi në tetor, është mbajtur një seancë e posaçme të parlamentit të rajonit të Brukselit ku është folur për një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet komunave të Brukselit dhe komunat e Shqipërisë dhe të Kosovës. Kurse nën iniciativën e tij, Tirana është e ftuar e nderit e panairit të madh 5 javor me mbi 2 milionë vizitorësh nga e gjithë Evropës «Kënaqësitë e dimrit» dhe për Festën e Flamurit, ka arritur që të valëvitet flamuri kombëtar mbi Atomium-in, mbi simbolin e Belgjikës. Është mbajtur një koncert i madh poshtë Atomium-it i hapur për të gjithë ku komuniteti shqiptar ka festuar me dinjitet Festën e Flamurit. Është një vit i jashtëzakonshëm për komunitetin shqiptar të Belgjikës, i cili përforcon imazhin e një populli dinjitoz duke ripërsëritur skenat e bukura të turneut Euro 2016. Në këtë sens, po tregohet se Evropa e vlerave që gjendet në Bruksel duhet që t’i integrojë sa më shpejt të jetë e mundur shtetet shqiptare dhe t’u japë mundësi Shqiptarëve që të japin kontributin e tyre në bashkë ndërtimin e Evropës së të nesërmes. Asnjë komunitet nuk e ka arritur këtë sukses, as madje që ta kenë menduar ndonjëherë, pavarësisht se komuniteti shqiptar nuk është dhe më i madhi në vend. Diaspora shqiptare po forcohet dita-ditës duke u bërë faktor aty ku jeton, këtu në qendër të Evropës, në Belgjikë. Roli i saj është në rritje dhe është i destinuar që të rritet dhe më shumë akoma, duke përbërë një faktor i rëndësishëm në proceset që i presin shqiptaret në Ballkan. Sot më shumë se kurrë diaspora shqiptare është e përqendruar që të luajë rolin e saj në interes të Shqiptarëve kudo që gjenden.


Sigal