Studentët protestë para ministrisë së Arsimit: Përgjysmoni tarifat dhe rimbursoni kostot e mësimit online

255
Sigal

Ka nisur protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit. Qindra të rinj nga Tirana dhe rrethet kanë dalë me maska dhe pankarta ku kërkojnë përgjysmimin e tarifave të shkollimit, meqenëse mësimi ka kaluar online.

Po ashtu ata kërkojnë një paketë sociale për qiratë, internetin, librat dhe kostot e jetesës.

Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta.

Për shkak të mungesës së mjeteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos patur mundësi të paguanin as qiratë.

Tashmë, që me urdhër të Komitetit Teknik, konviktet janë mbyllur, gjendja e tyre përkeqësohet, pasi detyrohen të kërkojnë shtëpi me qira.

Për këtë arsye, me anë të protestës së sotme, të rinjtë, kërkojnë që qeveria tu plotësojë kushtet e lartpërmendura.

Në të kundërt, ata kërcënojnë se bashkë me valixhe, rroba, këpucë, libra dhe tenxhere, do të futen në Kryeministri.

Ndërkohë që sot, starton dhe viti i ri akademik, 2020-2021, ku për herë të parë, do të ndjekin fakultetin 21 mijë studentë të rinj.

“Ulni tarifat, ulni tarifat. Ulni tarifat, turp, turp, turp. Jo mësim online”,-janë këto thirrjet që vijnë nga Rruga e Durrësit në Tiranë, ku qindra studentë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit për të kërkuar pezullimin e vendimit për mësim online, dhe mos rimbursimi për të paguar tarifat e regjistrimit në universitete dhe konvikte.

“Thonë ju rrini në kafe, po ku të vemi ne tani që Universitetet u mbyllën? Ku të shkojmë ne? Çfarë të bëjmë?”-pyeti një student.

Ndërsa një pedagoge që iu është bashkuar studentëve tha: Ne do të vendosim vetë, duan të na masakrojnë. Kjo rini është briliante dhe e jashtëzakonshme.

Ai që thotë që kjo rini nuk është brilante nuk e di. Jepuni vende pune dhe shihni si do të shkëlqejnë.

“Themelet e një shteti të fortë nisin nga një arsim cilësor. Gjatë 30 viteve ne në Shqipëri nuk kemi patur të drejtat.”-tha një tjetër.