Studentët e mashtruar, përgatiten të protestojnë sërish

254

Mijëra studentë u ngritën për herë të parë pas 28 vitesh për të kërkuar kushte më të mira në universitete dhe konvikte, tarifa më të ulëta e cilësi më të lartë në auditorë. Protesta që zgjati disa javë e lëkundi fort qeverinë Rama, e cila u detyrua të bënte edhe shumë lëvizje brenda saj. Por kur u mendua se situata u qetësua studentët paralajmërojnë rinisje të protestave për shkak të mosplotësimit të kërkesave të parashtruara. Oneda Skënderi, ishte një nga studentet e juridikut që u ngujua për 30 ditë duke këmbëngulur në realizimin e kërkesave. Po edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj nga mbyllja e protestës ajo thotë se jo të gjitha problemet janë zgjidhur. “Nuk mendojmë se fituam ndonjë gjë, se pushteti vijon ta bëjë një vesh shurdh dhe një sy qorr për të gjitha kërkesat tona. Edhe pse u tha se u përgjysmuan tarifat tona shumë studentë kanë paguar tarifën e plotë. Nuk u plotësuan edhe kërkesat e tjera për kartën e studentit apo edhe kushtet në universitet janë ato të njëjta si i kishim më parë”, është shprehur studentja. Një tjetër problem i ngritur nga studentët është edhe mënyra e rimbursimit për ata që kishin kryer pagesën e plotë të vitit akademik. Mesa duket, kryeministrit Rama do t’i duhet të përballet edhe me një tjetër problem pas protestave të opozitës dhe djegies së mandateve parlamentare prej saj.