Struktura shtetërore bëhen pengesë për mësimin e gjuhës shqipe

565
Sigal

 

Greqi, shteti shqiptar pengesë për mësimin e
gjuhës shqipe.

 

Mësuesit dhe nxënësit
e shkollës “Naim Frashëri” në qytetin Patra në Greqi i kërkojnë shtetit
shqiptar pajisjen me tekste mësimore. Janë këta mësues vullnetarë, heronjtë e
emigracionit që i bëjnë shtetit shqiptar apel për të mos u bërë pengesë, pasi
shkolla ka tre javë që ka filluar dhe akoma fëmijët nuk janë pajisur me libra.
Janë këta mësues vullnetarë që për nëntë vite me radhë u gjenden pranë fëmijëve
të emigrantëve për t’i mësuar gjuhën shqipe, gjuhën e atdheut të tyre. Mungesa
e teksteve shkollore në Greqi nuk është e rastit, kjo vjen për indiferentizmin
e ministrisë së arsimit, e cila nga ana e saj ende nuk po ndërgjegjësohet për
të bërë atë që ka për detyrë. Duhet theksuar se Shkolla “Naim Frashëri”
renditet në vendin e parë midis shkollave në Greqi dhe në Ballkan, gjë që duhet
marrë në konsideratë nga shteti shqiptar. Me anën e një njoftimi publik mësuesit
dhe nxënësit e shkollës “Naim Frashëri” në qytetin Patra në Greqi i kërkojnë dikasterit
përkatës dhe shtetit shqiptar pajisjen e menjëhershme me tekste shkollore.

 

Njoftimi 

Para tri javësh shkolla shqipe e qytetit të Patrës “Naim Frasheri”,
ka filluar vitin e ri shkollor 2016-2017. Tashmë e njohur dhe e konsoliduar, ky
institucion e ka filluar vitin mësimor në mjediset e dy shkollave shtetërore
greke në zonat e “Agia Sofis” dhe te ”Agio Andreas”, pas
marrjes së vendimit të Këshillit Bashkiak të qytetit, në bashkëpunim me
drejtuesit dhe kolektivin e mësuesve të kësaj shkolle. Edhe pse procedura e
çeljes së këtij viti mësimor sivjet u zgjat pa ndonjë shkak serioz dhe vendimi
i këtij këshilli u mor me vonesë, mësimet kanë filluar dhe vijojnë rregullisht
nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë, pas së cilës synohet që fëmijët ta
mbrojnë gjuhën shqipe në atdhe ose në Selanik, në katedrën e gjuhës shqipe.

Por vështirësia më e madhe është mungesa e teksteve mësimore nga ana e
Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Megjithë interesimin tonë të vazhdueshëm, deri
tani nuk ka ardhur asnjë tekst i vetëm nga ana e kësaj ministrie. Në këtë
mënyrë, vetë shteti ynë bëhet pengesë e mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët e
emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Duhet theksuar, se kjo shkollë po i hap dyert e saj për fëmijët shqiptarë në
këtë qytet për të 9-tin vit radhazi, duke formuar  edhe një traditë të mësimit të gjuhës shqipe
në këtë qytet. Theksojmë, se prej kësaj shkolle kanë mësuar gjuhën shqipe
qindra fëmijë shqiptarë dhe niveli i përvetësimit të gjuhës shqipe ka qenë mjaft
i mirë, gjë që e vërteton edhe fakti që shkolla jonë ka zënë përherë vendin e
parë midis shkollave shqipe në Greqi  dhe
ka përfaqësuar shkollat shqipe të Greqisë në konkursin vjetor të diasporës në Kosovë.
Gjatë këtij viti mësimor janë vënë në dispozicion të kësaj shkolle mësuesit
vullnetarë: Iliaz Bobaj, Kristiana Veliu, Lirie Shehu, Aurela Cupri, Amarilda
Ruko dhe Vilma Rogo. Janë rreth 100 nxënës që e kanë filluar vitin e ri mësimor
dhe numri i tyre rritet nga java në javë, deri sa të plotësohet përfundimisht
deri në fund të muajit, që është edhe afati i fundit i plotësimit të listave të
nxënësve për këtë vit mësimor. Mobilizimi dhe përkushtimi i kolektivit
mësues-nxënës të shkollës sonë, është i plotë dhe synimi ynë është, arritja e
rezultateve të larta edhe në këtë vit mësimor.

 

Staffi 
pedagogjik  i  shkollës shqipe “Naim Frashëri”, Patra