Strehimi social, rregullat e aplikimit

525
Strehimi social, si do të aplikohet online
Hapat dhe procedurat për të përfituar nga programet e 61 bashkive. Të dhënat që kërkohen për çdo familje
Vetëm pak kohë më parë pati një angazhim për të ngritur një platformë online, e cila do të unifikojë shërbimin për strehimin social në 61 bashki të vendit. Për të zbatuar këtë projekt Ministria e Zhvillimit Urban hartoi edhe një udhëzues të veçantë në të cilin përcaktohen edhe procedurat. Tashmë ministria ka hapur dritën e gjelbër për të vijuar me hapin e radhës që është përzgjedhja e kompanisë që do të ndërtojë këtë sistem. Por si do të funksionojë procesi i aplikimit dhe përzgjedhja si fitues në një nga programet e strehimit.

Si do aplikohet online?
Çdo aplikant do të kryejë fillimisht regjistrimin në sistem e më pas do të zgjedhë llojin e programit të strehimit që kërkon të aplikojë. Më pas do të plotësohen të dhënat në formularin e aplikimit. Formulari i aplikimit do të plotësohet nga vetë aplikantët ose në pamundësi nga punonjësi i Bashkisë në emër të aplikantit. Ky formular do të duhet të përditësohet me kërkesat e projektligjit të ri i cili pritet të miratohet në parlament. Të dhënat specifike që kërkohen janë ato për gjendjen familjare dhe gjendjen e strehimit. Ky seksion duhet të plotësohet për çdo person që siguron një të ardhur në familje në përputhje me përcaktimet e gjendjes familjare. Në të ardhurat totale të familjes përfshihen të ardhurat neto nga punësimi, pagesa e papunësisë, dypunësimi, pagesa e ndihmës ekonomike, pensioni, dërgesa nga emigracioni, qira nga prona, transferta të tjera nga të afërm, si dhe çdo lloj e ardhure tjetër që sigurohet mbi baza mujore ose vjetore nga trashëgimi, interesa bankare, etj. Me të ardhura neto kuptohen të ardhurat pas shlyerjes së detyrimeve si taksa, tatime e sigurime shoqërore. Pas aplikimit, çdo aplikant do të njoftohet për miratimin dhe shqyrtimin e kërkesës duke pasqyruar të dhëna mbi numrin e aplikimit, datën, llojin e programit, informacion mbi aplikuesin, statutin e aplikimit. Pas miratimit përfundimtar aplikanti do të shpallet online në listën e përfituesve. Lista do të përmbajë përveç informacionit për përfituesit, edhe datën e miratimit. Përgjegjës për ndjekjen online dhe përditësimin e ecurisë së procesit e ka punonjësi i Njësisë së Qeverisjes Vendore, në të cilën është bërë aplikimi.

Së fundmi Bashkia e Tiranës miratoi një listë të gjatë përfituesish nga kreditë e buta për strehimin social, duke ju krijuar mundësi atyre për të siguruar një kredi me kushte lehtësuese. 
Sigal