Stefan Thomagjini, komandanti i bregdetit që shoi vëllavrasjen me Rëzomën

1270
Agron MEMA
Luftëtar i çetës së Sali Vranishtit dhe Nase Benit, i Luftës së Vlorës më 1920, komandant i batalionit territorial të bregdetit që theu urdhrin e komandës së LANÇ-it për djegien e fshatrave të Rrëzomës, delegat i Kongresit të Përmetit si anëtar i shtabit të Zonës së parë operative, ku u zgjodh në organet drejtuese, kryetari i parë i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Sarandës më 1946 dhe drejtor i Ndërmarrjes së kullotave në Prefekturën e Gjirokastrës, hartat e topografuara të të cilit janë dhe punohet edhe sot. 

“Ku janë burrat e parë, 
që fjalën e kishin fjalë,
me një të shtrënguar dore, 
ndanin kufi dhe sinore” 
(Nga një këngë popullore) 

Stefan Thomagjini ka lindur në vitin 1892 në fshatin Nivicë-Bubar të Bregdetit të Sarandës ose fshati që është quajtur për vet pozicionin gjeografik ku ndodhet, si “Porta hyrëse e Bregdetit”. Nivicë-Bubari, e shtrirë në faqen e malit të Shëndëlliut, ndryshe nga fshatrat e tjerë që shohin detin, fytyrën e ka nga lindja e diellit, andej nga lind drita dhe strategjikisht nga vjen dhe rreziku i armikut pushtues apo bandat grabitëse. Në këtë mënyrë merr edhe statusin, jo vetëm si “Porta e Bregdetit”, por edhe si mburoja e fshatrave të tij. E, natyrisht, ky pozicion strategjik do të lindte nëpër kohë edhe kapedanë dhe prijës, që nga Jano Kumiu e deri tek Stefan Thomagjini. Madje, jo më kot, në Luftën italo-greke, ushtria greke e zgjodhi si vendkomandë të saj. Ishte, pra pozicioni gjeografik që të parët e themeleve të fshatit kishin zgjedhur për ndërtimin e fshatit. Në këtë fshat me tradita patriotike dhe atdhedashëse, fanatikë dhe besnikë të ortodoksizmit si besim dhe kulturë, në fundshekullin e 19-të , lindi dhe Stefan Thomagjini. Koha do ta rriste me kalitje të karakterit burrëror, trimërisë së patkurrur, besës dhe fjalës së peshuar, ndonëse nuk i pati kushtet për t’u arsimuar, bëri emër në kufijtë e legjendës me vetitë e përfituara si komandant triumfator. Ishin mësimet e shkollës natyrale të rrapit në qendër të fshatit ku burrat mblidheshin e kuvendonin, qanin hallet e merrnin vendime, tregonin ngjarje nga të parët e tyre, por edhe nga trima e kapedanë të trevave të tjera me të cilët kapedanët e Nivicë-Bubarit kishin miqësi, siç mund të përmendet ajo e Kapedan Jano Kumiut me kapedanin e zonës fqinje të bregdetit, Lumit të Vlorës, Kapedan Sali Vranishti. Të gjitha këto ndikuan në formin e karakterit dhe burrërisë së Stefan Thomagjinit, veti që do ti shfaqte gjatë gjithë jetës së tij, veti që fshati e pagëzoi me emrin “barbë” që nuk i iku kurrë edhe pas vdekjes. E themi këtë, se kur u interesuam për jetën e tij në fshat, askush nuk ja përmendi emrin, por vetëm”barba”, kjo fjalë dëgjohej në respekt të personalitetit të tij, ndonëse ka vdekur qysh në vitin 1974. Me këtë emër e njihnin dhe e thërrisnin kudo. Karrierën ushtarake e nisi si luftëtar me armë në dorë në Luftën e Vlorës më 1920-ën, 28 vjeçar, së bashku me një mikun e tij, Xhaferr Milori. La bagëtinë, rrëmbeu armën dhe shkoi aty ku e kërkonte ora e madhe e atdheut, në Vlorën heroike. Kjo ndikoi shumë tek kultivimi i ndjenjave atdhetare, patriotike, liridashëse, por edhe burrërore të tij, gjë që e karakterizuan gjithë jetën në sjellje dhe veprimtari. Por kjo pjesëmarrje do t’i kushtonte zonës se fashistët italianë bënë reprezalje në Sarandë dhe internuan 90 burra në Itali për një vit, midis të cilëve edhe mikun e tij Vaso Dhimërtika, pronar i Hanit të Qafës së Gjashtës dhe babai i dëshmorit Mitro Dhimërtika. Në kohën e Mbretit Zog i Parë, por dhe më para e më pas, të gjithë tregtarët, duke parë vetitë e tij besnike dhe burrërore, e merrnin ose e kërkonin pjesëtarë në pasurinë e tyre, shpesh edhe pa vendosur pasuri nga e tij. Jeta i kish sjellë jo vetëm fizikun e fuqishëm, por edhe një logjikë të fortë e mendje të zgjuar. Tregojnë se njëherë,pas Luftës së Parë Botërore, aty nga viti 1917, pasi kish shkuar në Durrës për tregti me produkte blegtorale dhe produkte të ndryshme si bashkëpunëtor me një nga tregtarët më të mëdhenj të Durrësit, Kiço Jakubini, teksa kthehej rrugës së bashku me vëllai e vogël të tregtarit durrsak, pa hyrë në Gjirokastër, i dalin para banditët e Shaqo Llapës që asokohe vepronte në zonën e labërisë duke grabitur tregtarë e njerëz hallexhinj. Banda e hajdutëve të Shaqo Llapës i thonë Stefanit, se djalin do ta mbajnë peng deri sa ai të shkonte e të gjente shumën e parave që i kërkohej për të liruar pengun. Stefani i mati me sy dhe syri ja hëngri se i hante fizikisht, por rrethanat nuk ja jepnin shansin. Ishin në pengmarrje. I sprovuar në këto situata të vështira ku luhej koka, vrau e vrau mendjen dhe u thotë që ju nuk jeni kaq hajdutë të zgjuar. Po ika unë, nuk kthehem më, ndaj më mirë nisni djalin dhe mbamëni mua deri sa djali të sjellë paratë. Hajdutët besuan tek varianti që u tha Stefani dhe ashtu bënë. Ra darka. Stefani nuk vinte gjumë në sy, po bënte sikur flinte. Me mendje maste kohën dhe vendndodhjen e djalit. Në momentin që mendja iu mbush se djali qe në një distancë jashtë rrezikut, filloi të vepronte. I çarmatosi të gjithë dhe iku. Që nga ajo ditë nuk e nganë më asnjë bandë hajdutësh dhe iu ngjit nofka “kaubojsi”. Në zgjedhjet parlamentare para Revolucionit të qershorit 1924, Stefani së bashku me bashkëfshatarët e tij Foto Mehani e Gligor Kumiu qenë delegatë përfaqësues të fshatit në Delvinë. (zgjedhje të dyta me përfaqësi quheshin atëherë ku dy apo tre veta përfaqësonin votën e fshatit). Stefani qysh atëherë përfaqësonte idetë përparimtare fanoliste dhe ishte përfaqësues i kësaj rryme politike dhe reformuese. Ngjarjet rrodhën dhe erdhi koha e pushtimit fashist. Nga Nivicë-Bubari ra dëshmori i parë në Sarandë, Mitro Dhimërtika, në rezistencën që iu bë ushtrisë pushtuese më 7 prill 1939. Zjarri i luftës kundër pushtuesit rritej dita-ditës dhe bregdeti krijon batalionin territorial të tij. Nisur nga cilësitë, pjekuria dhe përvoja, Stefani u zgjodh komandant i batalionit territorial të bregdetit në moshën 50 vjeçare, detyrë që e mbajti deri në inkuadrimin e këtij batalioni në formacionin e Brigadës së 14 S të LANÇ-it. Duhet përmendur fakti që gjatë komandimit të tij nga batalioni territorial nuk humbi jetën asnjë partizan. Në njëfarë mënyre ishte dhe një mbajtje fjale tek familjet e tyre. Kur i rekrutonte në batalion, familjeve u premtonte se do t’i kthente si kokrra e mollës, dhe ashtu i ktheu. Por kjo qe edhe një aftësi e tij e të komanduarit të forcave pa i bërë viktima. Dhe erdhi një kohë kur lufta mori përmasa të gjera dhe “Forcat e qëndresës shqiptare gjatë luftës, në vija të përgjithshme , u vërtitën mes dy boshteve: Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste,-shkruante historiani Abaz Ermenji.-Ishte e logjikshme që këto dy boshte, pasi të silleshin rreth dy sferave të ndryshme e në kundërshtim me njëra tjetrën, do të përplaseshin një ditë me njëri-tjetrin. Boshti komunist sillej rreth kolosit sovjetik dhe interesat shqiptare pa përjashtim dhe pa asnjë skrupull ia nënshtronte interesave ushtarake, politike dhe ekonomike të Rusisë ose të Jugosllavisë, zëvendëses së saj në Ballkan. Pra me gjithë gënjeshtrat, cinizmin dhe dhelpërinë e krerëve komunistë që luftonin gjoja për lirinë…dhe me gjithë vullnetin e mirë të Ballit Kombëtar për t’iu shmangur vëllavrasjes, lufta civile ishte e pashmangshme”. ( Uran Butka, cituar nga faqja 14 e librit “Lufta civile në Shqipëri,1943-1945”) Ishte pikërisht kjo situatë që do të vinte në një provë të rëndë e të vështirë edhe komandantin Stefan Thomagjini. Qe dimri i vitit 1943 kur i vjen një urdhër i komandës së LANÇ-it dhe krahut ekstrem të PKSH-së për djegien e fshatrave të Rrëzomës dhe kryesisht Kalasës, si fshati i komandantit të ballit Kombëtar për këtë zonë, Asim Kalasa. Në atë kohë Rëzomën e dominonin me influencë Balli Kombëtar, ndërsa forcat e çlirimtares pothuajse qenë të mekura fare. Drejtuesit e Brigadës së 6 S dhe të qarkorit të Gjirokastrës vinin deri në Senicë dhe nuk çanin dot më thellë. Duhej ulur koka e komandantit nacionalist Asim Kalasa. Komandant Stefani u mendua gjatë për zbatimin e këtij urdhri. Bregdeti dhe Rëzoma janë dy krahina fqinje dhe Nivicë-Bubari dhe Kalasa, kufijtë e pronave të tyre ua ndan lumi me të njëjtin emër. I peshoi mirë e mirë gjërat dhe problemet dhe për arsye se.”Marrëveshja, toleranca dhe moskonfrontimi vinin edhe nga që, së paku, brenda krahinës, fshatit, fisit apo familjes, ballistët dhe partizanët ishin në mes tyre në lidhje gjaku, miqësie dhe tradite. Edhe brenda familjes qëllonte që babai të ishte në njërin krah e djali në tjetrin, apo djemtë e vajzat në kahe të ndryshme. Ishte koha kur individët me bindje të ndryshme, por me lidhje të tilla familjare apo fisnore, i bashkonte jo vetëm afërsia, por edhe ideali patriotik e antifashist i luftës së përbashkët…(Uran Butka: “Lufta civile në Shqipëri, 1943-1945”, faqe 23). Ndaj komandant Stefan Thomagjini vendosi të mos zbatojë urdhrin e komandës së LANÇ-it. Kjo e rrezikoi shumë. Qe në situatë delikate, por nuk u tremb. Pas kësaj ai do deklaronte me forcë e zë të lartë se: “Jemi në luftë me pushtuesit e huaj dhe jo me tanët”. Po krerët komunistë nuk do ta harronin kollaj. Ata do t’i thurnin intriga e kurthe dhe do ta rrezikonin seriozisht jetën e tij. Kështu u planifikua një kurth kur u zgjodh delegat i Kongresit të Përmetit dhe nga ky Kongres u zgjodh edhe në organet drejtuese. Zgjuarsia dhe pjekuria e tij e nuhati djallëzinë që i punohej dhe nuk u nda nga miqtë e tij Jaho Gjoliku e Shefqet Peçi (e tregon edhe fotua shoqëruese e shkrimit). Kjo bëri që prapaskenistët të hiqnin dorë dhe plani të dështonte. Akti fisnik i komandant Stefanit vajti edhe në vesh të Asim Kalasës, komandantit të Ballit Kombëtar të Rëzomës. Asim Kalasa i dërgon një letër falënderuese komandant Stefanit ku i shprehte mirënjohjen dhe vlerësimin për aktin fisnik dhe burrëror të tij duke bërë që të mos ndizej një vëllavrasje tragjike që do të shkaktonte një dramë kombëtare me përmasa të paparashikuara e me pasoja katrastrofike, një armiqësi që nuk do të shuhej kurrë midis dy zonave patriotike dhe miqësore mes tyre. Asim Kalasa do t’i shkruante ndër të tjera se komanda e tij do t’i paguante gjysmat e shpenzimeve të ushqimeve dhe veshmbathjeve që batalioni i bregdetit kish blerë nga popullsia civile, kjo si shprehje e mirënjohjes së aktit fisnik të komandant Stefanit. Kjo letër ka pas ekzistuar deri vonë nga një grup bashkëfshatarësh, të cilët nga frika se mos Stefani, me shpirtin rebel të tij dhe papajtueshmërinë e veseve jo burrërore, shpërthente ndaj tyre. Për të eliminuar pasojat e mundshme nga rebelimi i Stefanit, ata i tundnin këtë kartë si kërcënim të heshtte se mund edhe ta denonconin si bashkëpunëtor me Ballin Kombëtar. Po ku trembej komandanti i Luftës së Vlorës, i ndeshjes me bandat e hajdutëve, i sa e sa betejave të LANÇ-it pa asnjë efektiv të vrarë. Megjithatë nuk i prishi punë askujt. Si “kaubojs” që qe, “barba” mundi ta shtinte letrën në dorë, por nuk u bëri keq. Kështu e kapërceu edhe këtë situatë nga më të vështirat në jetën e tij, por mund të quhet nga më heroiket. Edhe kur miqtë i dërguan letra të hiqte dorë nga ‘çlirimtarja’, ai vazhdoi rrugën e nisur si besnik i saj dhe i vetes së tij. Çlirimi e gjeti në fshat. Kur në vitin 1946 do të krijoheshin për herë të parë Komitetet Ekzekutive të Rretheve, Stefan Thomagjini do të thirrej të merrte detyrën si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Sarandës, duke u regjistruar kështu si kryetari i parë i ekzekutivit të rrethit të Sarandës, kohë kjo që përkon edhe me shtetëzimin e kullotave. Pas kësaj detyre të rëndësishme, do të caktohej në detyrën e drejtorit të kullotave të Prefekturës së Gjirokastrës si njohës i mirë i kullotave dhe kufijve të tyre. Madje dhe sot ndërmarrja e kullotave të Gjirokastrës dhe Sarandës punon me hartat e topografuara nga “barba” Stefani. Ato janë të sakta si sipërfaqe, kufij kufizues, kapacitete me numër krerësh si kullotë etj. Pas kësaj detyre doli në pension, pasi vinte që nga fundi i shekullit të 19-të. Megjithëse dha gjithë këtë kontribut patriotik e atdhetar, luftëtar i LANÇ-it dhe drejtues i lartë i administratës së pas Luftës, nuk u bë asnjëherë komunist dhe mbeti mik i përjetshëm i Jaho Gjolikut dhe Shefqet Peçit. Përveç nofkave “barba” , kjo më tepër mbahej si titull i respektit të moshës dhe vlerave shoqërore , “kaubojsi” si mirënjohje e trimërisë, zgjuarsisë dhe shkathtësisë, mbante dhe nofkën “doraci”, nofkë për të cilën ai nuk u mërzit kurrë. Kjo është histori më vete:”Qe koha e zymtë e viteve 1914-1915 kur në jug qe krijuar dhe qeveria e Vorio-Epirit, në ushtrinë e së cilës ishin mobilizuar shumë djem e burra të fshatrave të Gjirokastrës e Sarandës, midis tyre dhe Stefani 24 -25 vjeçar. Diku nga fshatrat e Labërisë, kur ushtria po pushonte, një ushtar grek qëllon me pëllëmbë shokun e tij të ngushtë dhe bashkëfshatarin, Nin Kapetani. Nini qe i dobët fizikisht dhe nuk i tha gjë ushtarit grek, por “barba” nuk e kapërceu dot. Temperamenti dhe sedra e tij e bëri të ngrihej dhe t’i merrte hakën bashkëfshatarit duke e qëlluar ushtarin grek aq fort me pëllëmbë sa ushtari ra përtokë. Mirëpo ushtari grek, sa më shumë kalonin ditët, aq më shumë i rritej ndjenja dhe kapriçoja e hakmarrjes. Dhe një ditë, në orë të pushimit, Stefani qe ngjitur të hante qershi. Ushtari grek e qëllon me dyfek për ta vrarë, por plumbi e plagos në dorë. Shokët e zbritën nga pema, e mjekuan dhe Stefani iku për t’u bashkuar me çetën e Sali Vranishtit dhe bregasit Nase Beni. Që atëherë, nga dëmtimi i gishtërinjve, mori nofkën”doraci”, por që nuk u mërzit kurrë kur e thërrisnin apo ia kujtonin bisedave nën hijen e rrapit shekullor të fshatit të tij. Komandant Stefani i mbylli sytë për t’u prehur në përjetësi në vitin 1974, vit kur përbindëshi komunist do t’i shpallte puçistë dhe armiq bashkëluftëtarët e tij të armëve, gjeneralët legjendarë të ushtrisë shqiptare. Stefani vdiq ashtu si lindi, me një shpirt rebel, me qëndrim të palëkundur ndaj të gjithë atyre që i konsideronte pushtues, me një ideal atdhetar e patriotik, me një qëndrim të prerë ndaj veseve që ndotin burrërinë, i përpiktë e korrekt tek rregullat e tradita, miqësia, shoqëria e krushqia. Burra që i lindi toka shqiptare në kohën që i duheshin vatanit. Burra që mbetën në piedestalin e historisë të nderuar dhe që i dhanë kohës krenarinë e tyre, por për çudi rrinë vetëm në sirtarët e pluhurosur të arkivave dhe nuk kujtohet sot askush nga shtetarët për t’i nderuar dhe vlerësuar ashtu siç e meritojnë. Por koha dhe populli i janë mirënjohës dhe i kanë në gjirin e tyre të paharruar, ndjehen krenarë me ta dhe përkulen me respekt ndaj kujtimit dhe veprës së tyre legjendare në shërbim të kombit dhe atdheut. 
Sigal