Spitali i Durrësit, revoltohen pacientët, thyejnë xhamat

184
Sigal

Një situatë kaotike është krijuar pasditen e sotme në urgjencën e spitalit të Durrësit, ku dëshmitarë nga vendngjarja i thanë se janë thyer edhe xhamat e portës kryesore.

Shkak për këtë është bërë fluksi tepër i lartë i pacientëve që nuk marrin shërbim, më shumë se 30 persona në radhë, ndërkohë që në urgjencë është vetëm një mjek në turn.

Siç shihet edhe nga pamjet, shumë qytetarë janë në radhë në stolat e urgjencës, ndërkohë që nuk mungojnë as rojet e sigurisë, që përpiqen të ç’tensionojnë situatën.

Burime bëjnë me dije se në vendngjarje ka mbërritur dhe policia, që ka bërë shoqërimin e personit që ka thyer xhamin e urgjencës.

Mungesa e kapaciteteve dhe stafeve mjekësore ka bërë që në jo pak raste, qytetarët të detyrohen të konfliktohet me personelin mjekësor, për shkak të vonesave në marrjen e ndihmës së parë.

Jo vetëm në Durrës, por edhe në urgjencën e Tiranës, kapacitetet pritëse janë shumë më të ulëta sesa fluksi i pacientëve, çka detyron që në shumë raste, persona me klinikë të rëndë mjekësore të presin në karrige për të marrë ndihmën e parë.

Veçanërisht në stinën e verës, urgjenca e qytetit të Durrësit pret më shumë pacientë se zakonisht, për shkak të numrit të lartë të turistëve që akomodohen në qytetin bregdetar. E padyshim kjo do të kërkonte dhe një rritje të stafeve mjekësore, gjë që në fakt duket se nuk ka ndodhur në Durrës.