Spitali i Çorovodës pa mjek specializantë, të sëmurët diagnostikohen gabim

1062
Sigal

Në personel janë vetëm 5 mjekë patologë. Pacientët: “Na çojnë për mjekim në Berat, por rruga na sëmurë më shumë”

Mungesa e personelit mjekësorë në Spitalin e Çorovodës shpesh herë ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve, të cilët shkojnë për të kërkuar ndihmë mjekësore, sepse në këtë spital nuk ka mjek specialistë dhe në çdo rast të sëmurët dërgohen për t’u diagnostikuar e për t’u kuruar (në raste aksidentesh) në Spitalin Rajonal të Beratit. Sipas informacioneve bëhet e ditur se, në këtë spital aktualisht janë në punë vetëm 5 (pesë) mjekë dhe të gjithë patologë. Ata nuk kanë ndonjë specializim përkatës që t’u vijnë në ndihmë të sëmurëve që paraqiten me diagnoza të ndryshme. Prandaj, ka qenë kjo arsyeja që mjekët e këtij spitali shpesh herë kanë bërë diagnostikimin e sëmundjes gabim. Lidhur me këtë rast drejtuesit e këtij spitali bëjnë të ditur se nuk është faji i mjekëve, por neglizhenca e madhe që ka treguar qeveria për të kompletuar personelin mjekësor, i cili është tejet i domosdoshëm për këta banorë që jetojnë mes maleve. Banorët thonë se, shumica e të sëmurëve shpeshherë janë vënë në rrezik për jetën, pasi Spitali i Çorovodës nuk ka as aparaturat e nevojshme dhe as doktorë specialistë, prandaj mjekët patolog detyrohen t’i nisin drejt Beratit.

Vështirësitë

Gjatë transportimit për në Spitalin e Beratit gjendja e të sëmurëve rëndohet akoma më shumë nga rrugët e shkatërruara. Pacientët për të mbërritur në Berat duhet të udhëtojnë 60 kilometra rrugë. Më e keqe situata është gjatë stinës së dimrit. Kështu shumica e të sëmurëve në zonat malore të fshatrave përreth, kur nuk e ndjejnë veten mirë e kanë nevojë për ndihmë mjekësore udhëtojnë disa kilometra, me mushka e kafshë të tjera deri në spitalin e Çorovodës. Përdoret ky lloj transporti, sepse gjatë dimrit rrugët bllokohen nga dëbora dhe makinat e kanë të pamundur të kalojnë. Por ata nuk dinë se ky spital nuk ka mjekë specialiste për t’u ardhur në ndihmë e t’u bëj derman sëmundjes që kanë. Mjekët e spitalit të shqetësuar për gjendjen e pacientëve që vijnë nga zonat rurale, u japin vetëm ndihmën e parë dhe më pas i nisin urgjentë për në Spitalin e Beratit. Këta të sëmurë sa mbërrijnë në Berat në gjendje të rënd. Ata i ruan vetëm zoti nga vdekja, pasi pacientët përveç sëmundjes, janë të detyruar të durojnë dhe tronditjes e rrugës Çorovodë – Berat. Disa qytetarë janë shprehur se Spitali Çorovodës prej vitesh ka patur mjekë shumë të mirë dhe pacientët nuk ishin të detyruar të udhëtonin për në Spitalin e Beratit, për t’u mjekuar apo për të bërë operacione. Ky spital tanimë është kthyer vetëm në një Qendër Shëndetësore, sepse nuk kryen asnjë funksion më tepër seç kryejnë këto qendra. Burime bëjnë të ditur se para dy javësh në këtë spital ka gjetur vdekjen një 47-vjeçarë, pasi nuk pati mjekë specialistë për t’i dhënë ndihmën mjekësore. Qytetarët e qytetit të Çorovodës shprehen: “Sigurisht nuk e kanë mjekët fajin për situatën që është krijuar në këtë spital. Ata sa kanë mundësit e tyre e kanë dhënë ndihmën, por fajin më të madh e kanë qeveritarët, të cilët e kanë katandisur spitalin në këtë gjendje skandaloze. Edhe në Skrapar ka jetë dhe jeta për ne është e shtrenjtë”, thanë qytetarët.