Spitali Gramshit drejt mbylljes, 50 mijë banorë mbeten pa shërbime spitalore

694
Sigal

Drejtori Spitalit të Gramshit, Qemal Zani ka dhënë alarmin në media për pothuajse mbylljen e spitalit të këtij rrethi, për mungesë mjekësh, infermierësh dhe medikamentesh. Prej afro 2 vitesh, Spitali Gramshit po vuan mungesën totale të kirurgëve, reanimatorëve, dhe mjekëve të specialiteteve, pasi shumica e tyre ose janë larguar drejt qyteteve të mëdha, ose kanë ikur jashtë shtetit. Mbi 50 mijë banorë të këtij rrethi të futur si në “xhep” mes malesh, po mbeten pa shërbimet e nevojshme spitalore, në një kohë kur dimri i ashpër po afrohet. Zonat e tilla si Kotovjati, Skenderbegasi, Bulçari, Kishta dhe dhjetëra fshatra të komunave, prej 2 vitesh detyrohen që edhe për urgjenca tejet elementare të cilat mund ti përballonte Spitali Gramshit, janë të detyruar ti drejtohen Elbasanit. I ndërtuar para 30 vitesh dhe i rikonstruktuar vetëm para pak vitesh, Spitali Gramshi ka pasur deri para 2 vitesh mjekë kirurgë, reanimatorë, kardiologë e reamatologë, si dhe të specialiteteve të tjera, një sallë me kushte normale për operacione, kurse sot ai gjendet i braktisur. Mungojnë medikamentet, kushtet elementare të shtrimit, stafi mjekësor, por mbi të gjitha mungon kujdesi nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtori Qemal Zani shprehet se, “kam kohë që trokas në dyert e Ministrisë Shëndetësisë, kërkoj me ngulm ardhjen e mjekëve të specialiteteve, të reanimatorit, sepse po na rrezikohet jeta e qytetarëve dhe banorëve të zonën, shpesh reanimatorin e marrim borxh nga Spitali Elbasanit, dhe kjo është e pafalshme”. Drejtori Zani kërkon vëmendje maksimale ndaj rrethit të Gramshit, zonë e cila gjatë dimrit bllokohet nga dëbora, dhe ku urgjencat kanë rrezikuar shpesh jetën e banorëve, pasi Spitali Gramshit pothuajse është i mbyllur. Mungesa e mjekëve, stafit dhe medikamenteve, natyrisht ka sjellë edhe kyçjen e pavijonëve, duke ofruar vetëm mjekime të lehta. Edhe banorët e Gramshit shprehen të alarmuar nga mungesa e shërbimit spitalor, pasi sipas tyre “për gjithçka që kanë, ne jemi të detyruar ti drejtohemi Elbasanit apo Tiranës, jemi si të izoluar nga pjesa tjetër e vendit, kur nuk jemi më shumë se 2 orë larg kryeqytetit”. Banorët e Gramshit thonë se “kishim besimin tek deputeti ynë, ministri Gjiknuri, pasi ai i di mirë hallet tona, e njeh mirë edhe  situatën e spitalit, mungesën e mjekëve dhe medikamenteve, por deri sot nuk ka ndryshuar asgjë, ndoshta kërkojnë ta braktisin dhe ta shuajnë këtë qytet”. Gramshi mbetet qyteti më i denigruar, me halle plot, me popullsi e cila zë mbi 70 për qind të numrit të popullsisë, me mungesë të një klase biznesi e cila do të nxiste punësimin, dhe i harruar prej 24 vitesh nga politika dhe çdo deputet që është votuar atje maksimalisht nga e majta.