Spitalet e Ballkanit afër kolapsit

78

Pandemia e koronavirusit po rëndon sistemin shëndetësor të Ballkanit Perëndimor, i cili përveç shtretërve të pakët për pacientët, po vuan edhe largimin e stafit spitalor në vendet europiane.

Shpërthimi i infeksionit të Covidit-19 në Ballkanin Perëndimor po rrezikon kolapsimin e sistemit spitalor, dhe po shoqërohet me një kaos që disa doktorë e krahasojnë me luftërat e 1990-ës.

Rajoni arriti ta kontrollojë disi valën e parë goditëse të koronavirusit, ndërsa prej javësh bilanci është dyfishuar në gati 10 mijë viktima të sëmundjes respiratore.

Në Serbi, 2 mijë punonjës të shëndetësisë po vetizolohen për të evituar infektimin teksa shtretërit e kryeqytetit janë tejmbushur me pacientë.

Situata me stafin spitalor është rënduar aq shumë në Kosovë sa familjarëve po u kërkohet të qëndrojnë në dhomë për të ndihmuar të afërmit e sëmurë, ndërsa hoteli i madh në bulevardin kryesor të Prishtinës po mendohet të përshtatet për pacientët e ardhshëm.

Tejmbushja me pacientë e klinikave publike në Prishtinë po shtyn doktorët t’u kërkojnë të sëmurëve ta marrin trajtimin e nevojshëm antikovid në shtëpi nëse e përballojnë financiarisht.

Zënia e një shtrati spitalor në disa raste thuhet se kërkon fat, por edhe mik. Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi kryesojnë listën e 10 vendeve europiane kur vjen çështja te numri më i lartë i vdekjeve nga kovidi-19 për banor.

Vendet po mundohen të shmangin mbylljet drastike duke zgjedhur vetëm kufizimet me orar për arsye edhe ekonomike. Në Shkup, qytetarët ankohen se autoritetet po veprojnë në mënyrë të çorganizuar, dhe të afërmit po i sigurojnë vetë ushqimet e medikamentet për të afërmit.

Rreth 1 mijë shqiptarë të Kosovës kanë humbur jetën nga infektimi me virusin e ri korona, mbi 1,700 viktima regjistron Maqedonia e Veriut, Serbia rreth 1,500 jetë të humbura, Mali i Zi gati 500 viktima ndërsa mbi 2,500 persona nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes në Bosnjë-Hercegovinë.