Spiro Qurku:Turistët i largon zënia e trotuareve dhe zhurmat e lokaleve

SARANDË/QYTETARËT DENONCOJNË POLITIKAT SELEKTIVE DHE ANTISEZON TURISTIK

Ajo që po ndodh këtë verë në Jugun shqiptar, apo në vijën bregdetare, për banorët e këtij rajoni përbën çudi. Tërësisht kundër interesave qytetare. Dhe denoncimi i radhës nga hotelierët, pasi ata janë barometri i klimës turistike verore, vjen për okupimin e trotuareve nga parkimi i automjeteve. Dhe kjo, jo vetëm për vetë faktin se jemi në sezon turistik, por po kthehet në fenomen në qendër të qytetit. Zanafilla është që kur me një leje ndërtimi, drejtuesit e bashkisë e kthyen sheshin tradicional të agjencisë së qytetit, në një rrugicë njëkalimshe nga ngritja e një objekti shumëkatësh. Dhe trotuaret e Sarandës nga ish-agjencia e deri në sheshin kryesor, janë kthyer në qendra të menaxhimit të transportit publik dhe vendqëndrimit të autobuzave dhe taksive, ç’ka sjell një pengesë për qarkullimin e kalimtarëve, po të shtojmë edhe faktin që jemi në qendër të qytetit, pa përfillur performancën turistike, madje mungojnë dhe semaforët. Një nga pronarët e një prej hoteleve në qendër të qytetit, 80 vjeçari Spiro Qurku, thotë i ulur pranë derës hyrëse se nuk e dëgjon njeri. “Kanë ardhur shumë dhe janë larguar që natën e parë, ca nga zhurma e lokaleve përreth, që punojnë pa orare dhe zhurmat janë maksimale, ca nga pengesa që sjellin taksixhinjtë para hotelit duke qëndruar në trotuar”. Dhe kjo që thotë Spiro, ndeshet në çdo skaj të qytetit. Trotuaret janë kthyer vendparkime dhe vend furnizuese për xhepat e Policisë Bashkiake dhe asaj të Qarkullimit. Qytetarë e pronarë, biznesmenë e të punësuar, megjithëse kësaj vere i thanë mirë u takofshim vitin tjetër, presin me besim se do vendoset disi rregulli.

NOA