Spektakël ngjyrash në qiellin e kryeqytetit

349
Skuadrilja Akrobatike e Forcës Ajrore Mbretërore Britanike ka ofruar një shfaqje të pazakontë për banorët e Tiranës. 11 avionë “BAE Systems Hawk” fluturuan për disa çaste mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës që kishin dalë për të shijuar këtë spektakël, mes të edhe kryetari i Bashkisë z. Erion Veliaj. Ky aktivitet u organizua nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Bashkinë e Tiranës. Në pritjen e organizuar me këtë rast ministrja Kodheli u takua me pjesëtarët e kësaj skuadriljeje, të cilëve u uroi mirëseardhjen dhe i falënderoi për praninë e tyre.

 Ministrja Kodheli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu domosdoshmërinë për rritjen dhe forcimin e këtij partneriteti. Ajo gjithashtu falënderoi pjesëtarët e Forcës Ajrore britanike për gatishmërinë e tyre në trajnimin dhe stërvitjen e pilotëve shqiptarë. “Shpresoj që ky bashkëpunim të forcohet edhe më tej. Ne kemi shumë projekte për t’u zbatuar, siç mund të jetë Biza.” – tha ajo duke bërë një njoftim shumë të rëndësishëm sa i përket forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. “Mund t’ju njoftoj se do të rihapim zyrën e atasheut ushtarak në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë”, u shpreh ministrja Kodheli. Gjithashtu në sheshin “Nënë Tereza” Forca Ajrore shqiptare organizoi një “ditë të hapur” ku ekspozoi për qytetarët dy nga helikopterët e saj më të rinj. Shfaqja e të ashtuquajturave “shigjeta të kuqe” është pjesë e stërvitjes së përvitshme që kjo njësi kryen jashtë Britanisë së Madhe. Skuadrilja Akrobatike e Forcës Ajrore Mbretërore Britanike “shigjeta e kuqe”, është një nga ekipet e para akrobatike në botë. Skuadrilja përfaqëson shpejtësinë, gatishmërinë dhe saktësinë e Forcës Ajrore britanike dhe është e përbërë nga pilotë, inxhinierë dhe staf mbështetës me përvojë.