SPAK regjistron dosjen e mikrokredive, shton 3 akuza të reja

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar dosjen penale në ngarkim të të hetuarve për krijimin dhe bashkëpunimin në skemat mashtruese të mikrokredive, për të cilën Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë me pretendimin se personat e përfshirë kanë krijuar një grup të strukturuar kriminal

Këto skema kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes rifinancimeve me kushte të disfavorshme të kredive të vjetra ose përmes shantazhit, duke i bllokuar pronat e luajtshme dhe të paluajtshme.

Sigal

Me kalimin e dosjes në SPAK, janë shtuar dhe akuza e reja për veprat penale “organizatë kriminale”, “vjedhje me pasoja të rënda” dhe “falsifikim dokumentash”

Brenda 10 ditëve do të mbahet në Gjykatën e Posaçme seanca për rivlerësimin e masave të sigurisë të caktuar më parë nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorisë së kryeqytetit. Nëpërmjet shortit është përzgjedhur si prokuror i çështjes që do vijojë hetimet në SPAK, Edvin Kondili.

Kujtojmë se Prokuroria ka identifikuar si drejtues të këtij grupi Olsi Ibron, i cili humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik, bashkëshorten e tij Elda Ibro dhe Arben Meskutin. Hetimi paraprak i kryer nga prokurorët Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi ka evidentuar vlera në dhjetëra milionë euro të përfituara përmes zhvatjes së qytetarëve.

Më herët, në muajin prill, prokuroria e kryeqytetit kishte dërguar për hetim në SPAK edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në lidhje me këtë çështje.