SPAK mbyll hetimet për Alqi Bllakon, ish-deputeti i PS akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre

102
Sigal

Prokuroria e Posaçme  ka mbyllur këtë të hënë  hetimet për inceneratorin e Fierit, ndërsa i komunikoi akuzat Alqi Bllakos.

Ish-deputeti sipas Prokurorisë është përgjegjës për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Pritet që në vijim akuzat ti komunikohen edhe personave të tjerë të akuzuar në këtë dosje, përfshi edhe ish ministrin Lefter Koka.

SPAK për këtë dosje mori nën hetim edhe 11 persona të tjerë disa javë më parë të akuzuar se nëpërmjet një skeme mashtrimi me fatura fiktive kishin përfituar miliona lekë.

Pas sekuestrimit të kompjuterit të ish deputetit pas marrjes së tij si i pandehur, sipas SPAK janë gjendur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Alqi Bllako ka shkëmbyer e-maile nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb tek energy”, Klodian Zoton duke e informuar këtë të fundit mbi procedurën e dhënies me koncension të Inceneratorit të Elbasanit. Referuar dosjes ai i përcillte Zotos, e-mailet e zyrtarëve të ministrisë së mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të Inceneratorit të Elbasanit.

Referuar hetimeve të kryera këto kontakte janë mbajtur në kohën që Bllako ushtronte detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe prokuroria ka dyshime se ish-deputeti të ketë paracaktuar garën duke shpallur fituese kompaninë që përfaqësohej nga Zoto.