SPAK i sekuestron pasurinë ish-kryeprokurorit, ja lista e pronave

935
Sigal

Prokuroria e Posaccme Antikorrupsion i ka sekuestruar disa pasuri të paluajtshme ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Me anë të një njoftimi në media, SPAK bën të ditur se janë sekuestruar tokë arë në Tiranë dhe Durrës. “Hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme në këtë rast është vendosur duke u bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 dhe kjo masë parandaluese është autonome nga proçesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Më 19 nëntor, Gjykata e Posaccme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar mori vendimin për ta shpallur zyrtarisht të pandehur ish-kryeprokurorin.

Gjykata e Posaçme kaloi në gjykim dosjen e tij. Tashmë ish-kreu i Prokurorisë Shqiptare do të gjykohet për “mosdeklarim të pasurisë” në tre raste, vepër që dënohet me gjobë deri në 3 vite burg.

Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të ulet në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Posaçme. Kjo gjykatë pranoi këtë të enjte kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të dosjes së tij. Ish-kryeprokurori do të gjykohet për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”, kryer në tre raste, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon dënim me gjobë deri në 3 vite burg. Ai dyshohet të mos ketë deklaruar një shumë prej 7400 dollarë të shpenzuara në SHBA, një shumë për ndërtimin e një banese, si edhe shpenzime të kryera në Gjermani.

Në të njëjtin vendim, gjyqtarja paraprake Irena Gjokavendosi të lirojë nga sekuestroja disa pasuri të tij, të bllokuara në nisje tëhetimit. Llalla nuk ishte i pranishëm në seancë. Ai u përfaqësua nga avokati, që kërkoi pushimin e akuzës. Hetimi ndaj Llallës nisi në 15 mars 2018 në Prokurorinë e Durrësit, por më pas u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda.

Vendimi i SPAK për sekuestrimin e pasurive

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e verifikimeve pasurore të kryera në kuadër të proçedimit penal nr.65 viti 2019, ka rregjistruar hetimin pasuror me nr.11 viti 2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla, ish Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimeve pasurore të kryera, bazuar në kërkesat e ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për sekuestrimin e pasurive në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla.

Me vendimin me nr.19, datë 23.11.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është vendosur masa pasurore e sekuestrimit të pasurisë për pasuritë e paluajtshme të shtetasit Adriatik Llalla, si më poshtë vijon:

Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr.8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr.432 Rep dhe nr.221 Kol, datë 19.03.2012;

Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr.546 Kol, datë 05.12.2016;

Pasuria e paluajtshme nr.64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017;

Hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme në këtë rast është vendosur duke u bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 dhe kjo masë parandaluese është autonome nga proçesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm.