SPAK çon në gjyq Avdylajt/ Si u ‘zbërthye’ grupi që trafikonte heroinë, futej mes pllakave të mermerit dhe sillej nga…

528
Sigal

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj 23 të hetuarve për trafik droge dhe grup kriminal, një pjesë të vënë në pranga nga operacioni “Vol-vo 4”.

Grupi i ashtuquajtur i Avdylajve me katër personat e arrestuar në Has për laboratorin e drogës, janë duke pritur që kërkesa e Prokurorisë së Posaçme të vlerësohet në Gjykatë. Ndërkohë, SPAK, duke iu referuar hetimeve të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda në kërkesën për gjykim, thotë se janë provuar me prova ligjore disa raste të trafikut të narkotikëve nga ana e grupit, si dhe bashkëpunimi me persona të huaj për sjelljen e heroinës në Shqipëri, që më pas të përpunohej në laboratorin në Brenogë.

PROVAT

Sipas kërkesës për Gjykim, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur para Gjykatës një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh të bëra në terren për anëtarë të këtij grupi, me të cilat thotë se ata janë kapur në biseda komprometuese dhe gjatë vëzhgimeve në terren nga hetuesit janë vërejtur me armë e duke kryer veprime në funksion të veprës penale. Ndërkohë, hetimet për këtë grup kanë nisur që në vitin 2016, pas referimit të bërë nga Komisariati i Policisë në Kavajë.

“Gjatë hetimit të procedimit në fjalë, kanë rezultuar të dhëna të siguruara nga Policia Gjyqësore se disa shtetas, ndër ta edhe i pandehuri Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani) merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera Europiane.

Gjatë hetimit, rezultuan të dhëna dhe u identifikuan persona të tjerë që merreshin me aktivitetin kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve, të cilët vepronin në kuadër të grupit kriminal.

Nga aktet e administruara, nga përdorimi i metodave speciale të hetimit, si përgjimet telefonike, vëzhgimet, si dhe nga aktet e marra nëpërmjet letërporosive, rezulton se janë dokumentuar episodet konkrete të sekuestrimit të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, si gjatë prodhimit dhe shitjes së narkotikëve brenda vendit, ashtu edhe trafikimit të saj për jashtë shtetit, si dhe trafikimi i lëndëve narkotike të llojit heroinë brenda vendeve të Bashkimit Evropian, nga Holanda në Itali”, shkruan SPAK.

HEROINA NGA IRANI

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera në Kosovë për persona që bashkëpunonin me grupin në Shqipëri është vërejtur i njëjti mekanizëm, ndërsa heroina futej në Shqipëri me anë të pllakave të mermerit të importuara na Irani në Kosovë, ku përdorej Shqipëria si transit.

“Në kuadër të hetimit të procedimit penal nr. 29 të vitit 2019 të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe nga aktet dhe provat e marra nëpërmjet letërporosisë nga Autoritetet Kosovare të Drejtësisë, në lidhje me hetimin e zhvilluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Prishtinë, në lidhje me faktin penal të evidentuar te banesa e të ndjerit Nejdet Ceseruglo në Prishtinë, më datë 02.12.2018, rezulton se është i njëjti mekanizëm veprimi i bashkëpunëtorëve në prodhimin e lëndës narkotike të llojit heroinë duke trafikuar fillimisht nga jashtë shtetit në Shqipëri lëndën e parë për prodhimin e heroinës, që siç rezulton të provohet, atë e sillnin duke e fshehur në pllakat e mermerit të tregtuar nga Irani në Kosovë me kalim tranziti në Shqipëri, ku bashkëpunëtorët kishin krijuar hapësira mes pllakave të mermerit duke e fshehur lëndën narkotike në to.

Pastaj, pas prodhimit të lëndës narkotike të llojit heroinë e realizonin trafikimin e saj nga Shqipëria për në Kosovë dhe vendet e tjera”, shkruhet në kërkesën për gjykim.