Sondazhi zbulon dilemat e amerikanëve rreth vaksinës

70

Nga VOA-

Pothuajse gjysma e amerikanëve, ose 49 për qind e tyre, thanë se ata pa dyshim ose ndoshta, nuk do ta bënin vaksinën ndaj koronavirusit nëse do të ishte e disponueshme sot, ndërsa 51 për qind thanë se do ta bënin atë. Këto janë rezultatet e një sondazhi të kryer nga qendra kërkimore Pew, zhvilluar më parë gjatë këtij muaji. 49 për qind e amerikanëve të cilët anojnë drejt refuzimit përmendën si shqetësim kryesor efektet anësore të vaksinës.

Besimi i publikut tek një vaksinë e sigurt kundër COVID-19 ka rënë.

Në maj, një studim i qendrës Pew zbuloi se 72 për qind e amerikanëve ishin të gatshëm të vaksinoheshin nëse vaksina do të ishte në dispozicion.

Vetëm 21 për qind në sondazhin e këtij muaji thanë se do të injektoheshin pa dyshim.

Sondazhi i fundit i qendrës Pew zbuloi se 77 për qind e amerikanëve besojnë se vaksinat që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të miratohen përpara se siguria dhe efektiviteti i tyre të kuptohen plotësisht.

Shtatëdhjetë e tetë (78) për qind e më shumë se 10 mijë pjesëmarrësve në sondazh, përmendën si një shqetësim tejet të madh miratimin me shpejtësi të vaksinës pa garantuar sigurinë dhe efektivitetin e saj.

Ndërkohë, vetëm 20 për qind thanë se janë më të shqetësuar mbi faktin se miratimi i vaksinës do të ndodhë shumë ngadalë.

Të premten, Qendra e Kërkimeve e universitetit Johns Hopkins raportoi më shumë se 30 milionë infeksione me COVID-19 në të gjithë botën dhe pothuajse 950,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të rasteve në botë, 6.6 milionë ndjekur nga India me 5.1 milionë dhe Brazili me 4.4 milionë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Familjare të Indisë njoftoi të premten 96,424 infeksione të reja dhe më shumë se 1000 vdekje të lidhura me COVID-19 në 24 orët e fundit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se koronavirusi ka filluar të përhapet përsëri në Evropë me “ritme alarmante” dhe duhet të shërbejë si një thirrje për “zgjim” për qeveritë evropiane. Kreu evropian i OBSH-së doktor Hans Kluge, tha gjatë një konference për shtyp në Kopenhagen se shkalla më e shpejtë e transmetimit ishte rregjistruar mes grupmoshave 25 dhe 49 vjeç. OBSH-ja vuri në dukje se infeksionet po rriteshin gjithashtu shumë shpejt edhe mes të moshuarve. Zoti Kluge tha se rritja e infeksioneve ka ardhur për shkak të rritjes së numrit të testimeve, por gjithashtu tregon “nivele alarmante të transmetimit në të gjithë rajonin”. Ai paralajmëroi vendet evropiane që të mos shkurtojnë periudhat e izolimit dhe i nxiti ata të miratojnë strategji koherente për të vënë nën kontroll virusin, që siç tha ai është provuar të jetë më vdekjeprurës “atje ku mbizotëron paragjykimi dhe dezinformimi”.

“Se ku do të shkojë pandemia nga këtu ku jemi ndodhet në duart tona. Ne e kemi luftuar dhe sërish do të vazhdojmë ta bëjmë“, deklaroi ai.