Sondazhi tronditës : 91% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni është ende problem madhor në Shqipëri

39
Sigal

Një hulumtim i kryer nga kompania ‘IDRA Research and Consulting’ zbulon se 91% e qytetarëve mendojnë se korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri, duke ndikuar në çdo nivel të institucioneve dhe shoqërisë.

98% e të intervistuarve e shohin korrupsionin si një pengesë në jetën publike, ku 69% e tyre e lidhin atë me keqpërdorimin e pushtetit politik për përfitime personale. Gjithashtu, 52% e konsiderojnë pasojë të zbatimit të dobët të ligjeve kundër korrupsionit, ndërsa 46% besojnë se lidhet me marrëdhëniet mes bizneseve dhe partive politike.

Ryshfeti dhe nepotizmi janë format më të zakonshme të korrupsionit. Krimi i organizuar perceptohet si i rrënjosur në shoqëri, me një në njëzet qytetarë që kanë qenë viktima ose njohin të tjerë që kanë qenë të tillë. Prodhimi dhe shpërndarja e drogës, pastrimi i parave dhe emigracioni i paligjshëm janë disa nga format më të zakonshme të krimit të organizuar.

Në disa rajone, si Fieri, Elbasani dhe Shkodra, qytetarët janë të vetëdijshëm për praninë e bandave lokale. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të ndërlidhur dhe fuqizojnë njëri-tjetrin, duke depërtuar edhe në institucione dhe politikë.