Sokrat Ndoni, një jetë i dashuruar pas muzikës

692
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Përgatitur nga Bashkim SULÇE dhe Kozma GJINI

Njihet në të gjithë trevën tonë si kompozitori  më me emër i variacioneve  folklorike. Ka krijuar e performuar më shumë se kush këngë popullore.Jo vetëm si njeri familjar e shoqëror i respektuar e me kontribut të dalluar në të dy kohët, por edhe si autori i ngritjes së sa e sa grupeve artistike nëpër fshatrat e Lushnjës, autor i muzikës së sa e sa këngëve të prezantuara nëpër konkurset kombëtare e lokale. Dhe në të gjitha këto takime konkuruese të koloritit  të folkut myzeqar, ai gjithmonë ka zënë vende nderi.Është  njeriu i kulturës dhe i dashuruar pas këngës e muzikës që në moshë të re. Kjo ishte edhe arsyeja që mësuesit që do ta zbulonin talentin e tij, do t’i rekomandonin babait të tij që ta dërgonte djalin në një shkollë muzike. Dhe kështu u bë. Po le ta njohim lexuesin e gazetës “Telegraf” më imtësisht me personazhin tonë.

Quhet Sokrat Lili Ndoni. Ka lindur në fshatin Pirrë të Lushnjës dhe  më 28 mars feston 77-vjetorin e ditëlindjes. Pas shkollës fillore në Rrapëz, mbaroi shtatëvjeçaren në Gorre. Edhe pse duheshin përshkuar disa kilometër rrugë vajtje-ardhje çdo ditë, ai nuk u tërhoq, por vijoi rregullisht shkollën dhe e përfundoi atë me rezultate të larta. Bashkë me urimet për ditëlindjen, vijojmë rrëfimin më tej për disa nga frytet e punës së tij disa vjeçare në kulturë.Ishte një nxënës i sjellshëm dhe i vëmendshëm në mësime. Mësuesi i muzikës e kishte aktivizuar në grupet artistike në shkollë dhe kishte konstatuar se kishte dhunti të ndiqte me korrektësi vijën melodike të këngëve dhe një zë të ëmbël.Në vitin 1960 Sokrati vazhdoi Liceun Artistik, dega e Kulturës. Në vitin 1964 pasi e mbaroi Liceun me sukses, u emërua përgjegjës i Vatrës së kulturës në fshatin  Pirrë.Në shkollë mësoi të përdorte edhe t’i binte fizarmonikës.

Në vityin 1969 qeveria e kohës nxori një urdhëresë që të gjithë ata djemë e vajza që kishin mbaruar shkollën e kulturës dhe dinin t’i binin një vegle muzikore, do të kalonin në sektorin e arsimit e do të jepnin lëndën e muzikës në shkollat 7-vjeçare.Kështu, në vitin 1969 Sokrati emërohet mësues i lëndës së muzikës në shkollën e Grabianit. Por, sërish në kulturë. Më 1971 filloi punën drejtuese në Shtëpinë e kulturës të fshatit Gërmenj. Sokrati ngriti grupin artistik të kësaj kooperative me të rinjë e të reja dhe dha disa  shfaqje në fshatrat e ekonomisë. Në grupin artistik të Gërmenjit ai aktivizoi dhe inkurajoi talentet këngëtare si: Met dhe Servet Jeshili, të cilët do të bëheshin këngëtarë të afirmuar me kalimin e viteve apo mësuesja nga Gorreja, Goni Dhima e Haxhire Muca që me zërin e tyre melodioz korrnin duartrokitjet e spektatorëve kudo që debutonin.Sokrati nuk lë pa përmendur edhe këngëtaren e re Hamide Preni.

Sokrat Ndoni në vitin 1977, do të kryente specializimin për kompozicion në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë.

Grupi artistik i Gërmenjit në festivalin e rrethit të Lushnjës zuri vendin e parë me udhëheqës artistik z.Sokrat L. Ndoni. Më 1978-89, Sokratin do ta gjejmë si masovik në Shtëpinë e kulturës të fshatit Krutje.Këtu ai do të gjente një mjedis më cilësor amatorësh dhe organizoi edhe koncerte që u pëlqyen nga banorët.Ishte koha kur ekonomia e Krutjes dhe drejtuesit e saj vlerësonin e mbështesnin  sektorin e sportit  e të kulturës pa dolën sportistë e këngëtarë e valltarë me emër.Në Krutje ai ndjente kënaqësinë e punës në sektorin e kulturës. Për grupin artistik të Krutjes Sokrati ishte shumë i kënaqur, sepse kishte nxjerrë instrumentistë me emër si: Rrapi, Sofokli e Agron Cuko, Lam Boci apo këngëtarët: Sotir Boci, Kici Mërtika, Vjollca Daka, Lefteri Mëhilli,(pjesemarres ne festivalet e Gjirokastres) etj.

Vjollca Daka ka marrë pjesë e ka fitur çmim në festivalin e muzikës së lehtë e popullore në rreth. Në çdo konkurim grupi artistik i Krutjes zinte vendin e parë. Në vitin 1989 Sokrati transferohet në Shtëpinë e kulturës të fshatit Gorre. Edhe këtu ai gjeti një shtëpi kulture ku kishte këngëtarë e valltarë të kualifikuar. Tashmë ai ishte në një moshë të pjekur dhe me përvojë.Në fshatin e Krutjes dhe të Gorresë ai bëri zgjedhjen e elementëve si për veglat muzikore,për këngëtarë e valltarë dhe parodistë, duke shkelur fshat më fshat si në: Gorre, Lumth, Bishqethëm, Shakuj, Rrapëz, Pirrë Kamçisht. Edhe në festivalet e rretheve Sokrati zinte vendin e parë.Nuk lëmë pa përmendur këtu klarinetistin e talentuar Petro Jongari, këngëtarë e valltarët Solli Prençe e Rrapush Pirra, apo vajzat Albana Kola e Merita Aleksi, që kanë marrë pjesë edhe në festivalet kombëtare etj.Ansamblet artistike që ngrinte Sokrat Ndoni kishin në përbërjen e tyre 40-50 vetë. Edhe këtu Sokrati shkëlqeu me punën e tij të palodhur. Më 1992 dërgohet masovik në Shtëpinë e kulturës të Bubullimës. Në kapërcyell të ndërrimit të sistemeve, kur disa qendra kulture u shkatërruan, Sokrati i mbrojti institucionet e i largoi forcat e errta nga përdhosja e vlerave  kulturore.Sokrati e ngriti grupin artistik të fshatit Bubullimë brenda një kohe të shkurtër. Në Bubullimë do të zbulohej këngëtari Gori Ndreko , i cili bëri jehonë me zërin e tij virtuoz. Autoritetet në Bubullimë e ngarkuan Sokratin që të punonte me nxënësit e shkollës së mesme “Dhimitër Mino” për t”u përfaqësuar me dinjitet në Olimpiadën Artistike të shkollave të mesme  të rrethit dhe Sokrati e kreu më së miri këtë përgjegjësi dhe u vlerësua me cmimin “Risia e Festivalit” nga OASHM.Në Bubullimë vazhdoi punën derisa doli në pension.Sokrati, në bashkëpunim me vjershëtorin e Gorresë, Sotiraq Dhima kanë publikuar disa këngë me motiv popullor të pëlqyera në krahinë.

Të tilla janë ato për: Myzeqenë, për kryegjyshatën Botërore të Tiranës, për Margarita Xhepën, për Pandeminë etj. Ai është fitues i tre cmimeve të para në festivalet e rinisë ortodokse.Gjithashgtu ai ka punuar edhe në lagjen e Drëngës në Kolonjë ku ka zbuluar element të rinj si: talentin Ajet Mehmet Hoxha apo klarinestistin Azem Sholla.Në çdo aktivitet  përkujtimor autoritetet sapo t’i thoshin Sokratit për një koncert, ai bëhej copa deri sa e nderonte publikun me shfaqjen e radhës. Ka punuar në fenë ortodokse në Bubullimë duke ngritur grupin artistik ku mori 3 çmime kombëtare duke zënë vendin e parë.Nuk lë pa përmendur tre djem të rinj të talentuar të lagjes Kosturli, të fshatit Rrapëz: të cilët shkëlqyen në këto grupe artistike e që më vonë mbaruan shkollën e lartë të muzikës si:Drini Maledhi, Florian Pollozhani dhe Drini Hekurani, të cilët punojnë në Tiranë. Pasioni i tij për këngën  bënte që edhe ta gëdhinte duke kompozuar. I tillë ka qënë rasti kurai  kompozoi këngën për Myzeqenë dhe resurset e saj.

Tani, në moshë pensioni, Sokrati na thotë se nuk i del shpirti pa ngritur një grup artistik dhe piketat i ka hedhur.Sokrat Ndoni, muzikanti i trevës sonë,është vlerësuar me disa tituj nderi, mes të cilëve edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Urdhërin Naim Frashëri kl III” me motivacionin “Organizator i palodhur i punës kulturore-artistike duke dhënë një ndihmesë të kualifikuar në ngritjen e grupeve artistike, në zhvillimin me larmi dhe përmbajtje të shëndoshë të aktiviteteve kulturore, një kontribut të vlefshëm për edukimin dhe argëtimin e masave punonjëse”.