“Sky” tërheq serialin për Michael Jackson. E bija: E fyer nga mënyra e portretizimit të babait

566
Sigal

Pas reagimit të Paris Jackson, vajzës së mbretit të popit Michael Jackson, rrjeti i televizioneve Sky ka vendosur të mos transmetojë një pjesë të serialit Urban Myths ku në një prej këtyre episodeve portretizohej këngëtari legjendar.
Sky doli me një deklarate për shtyp ku theksohej se ishte arritur në përfundimin se ky episod nuk duhej transmetuar dhe se qëllimi nuk kishte qenë asnjëherë që të bëhej shaka me artistin e madh amerikan.
“Kemi vendosur që të mos e transmetojmë episodin ku portretizohet Michael Jackson, Elisabeth Taylor dhe Marlon Brando, për shkak të shqetësimeve të shprehura nga familjarët e këngëtarit.
Aktori që interpretonte Michael Jackson, britaniku Joseph Fiennes ka rënë dakord me këtë vendim”, thuhet në deklaratën e Sky.
Traileri i këtij seriali të shumë pritur u publikua pak ditë më parë, por menjëherë ka reaguar vajza e Michael Jackson e cila është shprehur e fyer nga mënyra e portretizimit të babait të saj, të kumbarës së saj Elisabeth Taylor dhe mikut të ngushtë të familjes, aktorit të madh Marlon Brando.
Në serial, që të tre ata shfaqeshin në një udhëtim së bashku ku i gjithë rrugëtimi shoqërohej nga batuta dhe humor pafund. Për më tepër fansat e këngëtarit kanë reaguar ashpër edhe për faktin se Michael luhej nga një aktor i bardhë.