Skenar për faljen e 112 milionë USD “mëkate” të 43 bizneseve “VIP”

601
Lufta kundër informalitetit në bizneset shqiptare, duket se është nisur, por nuk do të bitiset me “themel” për të gjithë bizneset pa dallim, siç po deklaron përditë qeveria nëpër konferenca shtypi, në takime përbetuese e kërcënuese me biznesin, në intervista mediatike dhe në kronikat televizive ku shfaqen tatimorë që vendosin gjoba ndaj berberëve, që kyçin lokale e sekuestrojnë nga “ 1 thes” mallra nëpër dyqane lagjesh e fshatrash. E ndërsa biznesi i vogël, tek-tuk edhe biznesi i mesëm po “përgjohen” nga “vrima e çelësit” për kasat fiskale, për kuponët tatimor, për bilancet e xhirove ditore, për pagat, për sigurimet dhe hyrje-daljet e mallrave, biznesi i madh e sidomos biznesi “VIP”, nuk po shqetësohet aspak, duke u lënë si një “zonë e lirë” veprimi abuziv e veprimtarie informaliteti në vazhdim, pa asnjë kontroll e ndëshkim, siç e parashikon aksioni i shpallur qeveritar me parullën: “Barazi në luftën kundër informalitetit”. E sikur të mos mjaftonte heshtja ndaj bizneseve të mëdha e sidomos bizneseve “VIP”, qeveria ka menduar të realizoj një tjetër skenar klientelist lehtësues në favor të këtyre bizneseve, këtë herë duke bashkuar votat në parlament edhe me opozitën! Çfarë po mendohet të realizohet brenda muajit nëntor 2015, ose 3 muaj pas nisjes së betejës qeveritare kundër informalitetit? 
Skenar për faljen e 112 milionë USD “mëkate” të 43 bizneseve “VIP”
Burime të Gazetës “Telegraf” brenda Ministrisë së Financave, na informuan dje, se po përgatitet një draft në formë vendimi qeverie (VKM), ose ligj i posaçëm, lidhur me informalitetin në bizneset “VIP”. Sipas informacionit, mësohet se beteja e pa nisur kundër informalitetit në këtë kategori biznesesh, do të mbyllet me një amnisti financiare në favor të tyre. VKM-ja, ose ligji që do të hartohet e miratohet brneda muajit nëntor 2005, parashikon që një grup i përzgjedhur biznesesh “VIP”, do të përfitojnë falje detyrimesh financiare të pashlyera në masën 100%, duke u fshirë nga lista e taksave që kanë detyrim ndaj shtetit. Kjo amnisti, parashikohet të përfshijë 200 biznese të mëdha dhe 43 biznese “VIP”, nga të cilët 29 biznese të mëdha dhe 8 biznese “VIP” janë koncesionarë e biznese me kapital të huaj, që veprojnë në Shqipëri e që prej 3-5 vitesh nuk kanë shlyer detyrimet fiskale. Sipas skenarit për këtë amnisti fiskale, që do të bëhet duke cënuar moralin e luftës kundër informalitetit dhe ligjet në fuqi e madje edhe VKM dhe ligjin “anti-informalitet” të miratuar vetëm 15 ditë më parë, mendohet që të falen detyrimet e pashlyera të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, vlera e pagave që u është mbajtur punonjësve me bordero fiktive, falja e taksave ndaj shtetit për borderotë fiktive, vlerat e faturave false të import-eksporteve në dogana e bilanceve fiktive në tatime, të cilat duheshin paguar në shtet. Sipas skenarit “Rilindja” të kësaj amnistie që do të përjashtoj nga veprimi i lufta kundër informalitetit vetëm një grup biznesesh të mëdha e biznesesh “VIP”, mendohet se shteti humbet vlera të mëdha të ardhurash nga taksat, të cilat ua fal abuzuesve në mënyrë klienteliste e anti-ligjore. Konkretisht, vetëm në grupin e parë të të përzgjedhurve për t’u amnistuar prej qeverisë, mendohet të përfshihen 43 biznese “VIP” vendas e të huaj, të cilët kanë fshehur dhe kanë përvetësuar me letra fiktive, afro 110 milionë dollarë që duheshin arkëtuar në shtet vetëm në 3 vitet e fundit. Kjo vlerë detyrimesh do të shuhet me një copë letër VKM-në apo me ligjin që pritet të miratohet, pse jo edhe me ndonjë urdhër qeverie, sikur të jrtë jo 110 milionë dollarë të vjedhur vetëm nga 43 biznese “VIP”, por sikur të jetë një faturë uji, energjie elektrike e takse televizori me vlerë 1100 lekë, për të cilat shteti të sekuestron edhe tenxheren e gjellës dhe të fut në burg me akuzën për “vjedhje, abuzim e informalitet” në detyrimet financiare ndaj shtetit! Ndërsa “mëkatin” 110 milionë dollarë të bizneseve “VIP”, shteti ua fal bizneseve “VIP” e disa bizneseve të mëdha që i kanë fijet në oborrin e shtetit, duke shpikur e hedhur në veprim skenarë të paramenduar klientelist! E po kështu, në listën e bizneseve të mëdha, mendohet të përfshihen 200 subjekte biznesesh të mëdha, vlera e faljes së detyrimeve të të cilëve nuk është llogaritur akoma, por që po punohet dhe parashikohet të jetë në shumën 100 milionë dollarë, duke përfshirë aktivitetin e tyre në 5 vitet e fundit. Edhe kjo listë biznesesh që do të përfitojnë nga amnistia është një listë tjetër klienteliste me preferenca shtetarësh. Sipas burimit të informacionit, 43 bizneset “VIP” dhe 200 bizneset e mëdha që do të amnistohen në masën 100% për detyrimet fiskale ligjore që i kanë fshehur e nuk ia kanë paguar shtetit, janë biznese në pronësi e ortakëri, ose të familjarëve, miqve, shokëve dhe bosëve vendas e të huaj, të cilët në shkëmbim të mos zbatimit të ligjit për detyrimet fiskale, “ushqejnë” shtetarët me pagesa ilegale, nëpërmjet të cilave përfitojnë favore deri (anti)ligjore në mbrojtje të abuzimeve të tyre, siç do të ndodh edhe me skenarin e paramenduar të amnistisë fiskale, që është projektuar të bëhet brenda muajit nëntor 2015 ndaj bizneseve të përzgjedhur, për t’i nxjerr e shpëtuar ata edhe ligjërisht prej ndëshkimit të ligjit kundër informalitetit, me fshirje detyrimesh që qëllimisht nuk i kanë shlyer. Sipas burimeve tona, këtë akt ligjor qoftë ligj, apo VKM, do ta votojnë në mirëkuptim mazhoranca dhe opozita, si një “rilindje dhe fillim i ri” në reformën e taksave. 
Fakti/34 mijë biznese “VIP” e të mëdhenj me dy bordero, nuk preken nga aksioni kundër anti-informalitetit
Gazeta “Telegraf” ka denoncuar këtë farsë të luftës kundër informalitetit me bizneset e mëdhenj e “VIP” dhe luftën e ashpër e diskriminuese deri në goditje fatale, që i bëhet biznesit të vogël e një pjese të biznesit të mesëm, duke e ndëshkuar me dryna mbi dyer e me gjoba nën dyer. Siç dihet, në Shqipëri janë 4100 biznese “VIP” dhe afro 30 mijë biznese të tjerë të mesëm e të mëdhenj, të cilët përveç zullumeve të tjera me cilësinë e prodhimit, të shërbimeve, çmimeve, sigurisë së produkteve, ndotjeve të larta deri me efekte kancerogjene mbi popullatën dhe punonjësit, kushteve mizerje të punës etj., kryejnë edhe një krim tjetër social me punonjësit: veprojnë me 2 bordero pagash, njërën për bilancet dhe e tyre fitimet e tyre abuzive, ndërsa tjetrën për detyrimet ndaj shtetit. Në njërën bordero pasqyrohet paga reale dhe ndalesa e sigurimeve shoqërore reale e cila mbahet në dosjen bosit të firmës, ndërsa në borderonë tjetër pasqyrohen paga të ulëta, sipas ligjit shqiptar për pagën minimale e për pagesë për sigurime të detyrueshme shoqërore, duke mashtruar shtetin e duke mos paguar detyrimet reale ndaj punonjësve. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, rezulton se ka një krim financiar e social me përmasa të mëdha, që bëhet intensivisht e masivisht prej afro 15 vitesh nga 4100 biznese të mëdha dhe nga afro 30 mijë biznese të mesëm. Sipas informacionit, rezulton se në këto 4100 biznese të mëdha ose “VIP” siç i thonë, 90% e punonjësve sigurohen me pagë mujore minimale, 7% sigurohen me pagën mesatare zyrtare, ndërsa vetëm 3% e punonjësve sigurohen me pagën reale që marrin dhe këta janë vetë bosët e bizneseve, familjarë të tyre, ose specialistë të huaj, të cilët punojnë në këto firma. Sipas informacionit të gazetës “Telegraf”, mësohet se 4100 bizneset “VIP” dhe afro 30 mijë bizneset e mëdha shqiptare e të huaja që ushtrojnë aktivitet prodhimi, infrastrukture e shërbimesh në Shqipëri, sigurojnë mbi 762 mijë punonjës me pagë minimale zyrtare. Kështu thonë borderotë e dorëzuara prej këtyre bizneseve në zyrat e tatim-taksave dhe në llogaritë e tyre bankare, ku punonjësit e siguruar tërheqin pagat. Ky evazion financiar që fshihet me borderotë false, nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, rezulton kështu: Për 762 mijë punonjës të siguruar me bordero false me pagë minimale, në çdo 1000 lekë sigurim të fshehur ndaj shtetit, shteti humbet 762 milionë lekë në muaj. Po për 2000, 3000, 4000, 5000 e 13 mijë lekë pagesa sigurimesh të fshehura e të papaguara, sa miliardë lekë në muaj zhduken? Pikërisht, këto miliona të fshehura, ose më saktë vjedhura prej bizneseve, do të amnistohen për 43 kompanitë “VIP” dhe për 200 biznese të mëdha, pronë ose të afërta me shtetarët dhe njerëzit e politikës!
——————————————– 
Abuzimi/ 730 mijë biznese paguajnë energji, në tatime paguajnë vetëm 427 mijë
Ka një skandal të denoncuar nga gazeta “Telegraf”, por që nuk po ndalet nga shteti. ky skandal flet për evazion fiskal në përmasa të mëdha. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf”, rezulton se në listat pagesës së energjisë elektrike, ujit dhe taksës së RTSH, ka 884 mijë abonentë biznesi. Ndërsa Tatim-Taksat, në listat e tyre kanë të regjistruar vetëm 313 mijë biznese të cilëve u vjelin detyrimet fiskale që nga taksat e deri tek sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve. Çfarë tregon ky fakt? Humbja financiare që pëson shteti shkon afro 410 milionë dollarë në vit! Por nuk janë vetëm mos pagesat në tatime e sigurime shoqërore e shëndetësore. Mjafton të hapësh këtë gropë fiskale dhe shtetit i arkëtohen miliona dollarë të vjedhur me mos pagim detyrimesh si kosto shërbimesh e detyrime taksash.
————————–
Ja Kodi me 21 nene, me të cilin nisi aksioni kundër informalitetit
1. Në rast se konstatohet që bizneset dhe personat janë të paregjistruar në QKR e në QKL, bëhet konfiskimi i mallit të përdorur për ushtrimin e veprimtarisë së paregjistruar.
2. Propozim, adresuar organeve kompetente për pezullimin e lejes/licencës/autorizimit të ushtrimit të veprimtarisë për një periudhë 6 mujore për rastet e ushtrimit të veprimtarisë në fushën e shërbimeve”, thuhet në projektligj. 
3. Bizneset që nuk deklarojnë punonjësit, apo ata që nuk lëshojnë kupton tatimor, do të përballen me gjoba më të larta. Kështu, sipas projektligjit të ri, në rast se nga Tatimet verifikohet se tatimpaguesi nuk deklaron çdo të punësuar pranë tij, ai dënohet me gjobë. 
4. Për biznesin e madh gjoba do të jenë 100 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar, kurse për tatimpaguesit e tjerë do të jetë 50 mijë lekë për çdo punonjës. 
5. Në kontrollin e parë që zbulohen shkelje të detyrimeve, gjoba për biznesin e madh është 200 mijë lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë 100 mijë lekë. 
6. Në rast se kjo shkelje konstatohet për së dyti, biznesi i madh gjobitet në masën 300 mijë lekë, kurse të tjerët me 200 mijë lekë. 
7. Ndërkohë që në rast se kjo konstatohet edhe në kontrollin e tretë, biznesit i vendoset një gjobë në masën 500 mijë lekë, ose i mbyllet biznesi. 
8. Edhe për rastet kur tatimpaguesit mund të lëshojnë një kupon me vlerë të pashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara me ligj, parashikohet gjobë në masën 30 mijë lekë. 
9. Kompanitë e autorizuara të shitjes së kasave, të cilat nuk ofrojnë shërbimin sipas mënyrës së përcaktuar me ligj, gjobiten 50-100 mijë lekë. 
10. Në rast se këto subjekte shesin pajisje të subjekteve të paautorizuara, gjoba është 1 milionë lekë dhe sekuestrim të pajisjeve. 
11. Mos deklarimi i punonjësve, biznesi i madh gjobitet 100 mijë lekë për çdo punonjës të pa deklaruar
12. Tatimpaguesit e tjerë gjobiten 50 mijë lekë për çdo punonjës të padeklaruar 
13. Tatimpaguesi gjobitet 10 mijë lekë për çdo punonjës të pa deklaruar 
14. Kontrolli i parë, për tatimpaguesit të mëdhenj gjobitet 200 mijë lekë 
15. Për tatimpagues të tjerë, gjoba është 100 mijë lekë 
16. Kontrolli i dytë për tatim-paguesin e madh gjoba është 300 mijë lekë 
17. Tatimpaguesi i vogël 200 mijë lekë 
18. Kontrolli i tretë, për të gjithë tatimpaguesit gjobitet me 500 mijë lekë, ose me mbyllje e aktivitetit deri në 6 muaj 
19. Kur lëshohet kupon tatimor, që nuk ka elementet e shtypjes sipas ligjit , gjobitet 30 mijë lekë 
20. Shoqëritë e shitjes së kasave, që nuk zbatojnë detyrimet e përcaktuara me ligj për shërbimin 50-100 mijë lekë gjobë 
21. Kur këto shoqëri, shesin pajisje të subjekteve të tjera të paautorizuara gjobë 1 milionë lekë dhe sekuestrim të pajisjeve 
Sigal