Skandali “Sagem”: 13 miliardë e 200 milionë lekë më tepër në kurriz të shqiptarëve

630
Sigal

Kohë më parë “Telegraf” ka denoncuar mashtrimet e kompanisë franceze, që kishte fituar koncesionin e bërjes së pasaportave shqiptare. Siç dihet kontrata me “Sagem” ishte 5 vjet, por u shty 10 vjet me dosje false. Kjo kontratë u nënshkrua për herë të parë në tetor 2008, kur iu dha koncesioni nga Ministria e Brendshme, ndërsa në prill 2013, shteti shqiptar ia zgjati kontratën me 10 vjet. Sipas kontratës koncesionare, kjo firmë duhej të ushtronte veprimtari prodhuese pasaportash e kartash identiteti në Shqipëri vetëm për 5 vite dhe pas kësaj kohe, ky shërbim i kalonte në masën 100% shtetit shqiptar me gjithë teknologjinë e instaluar, pa asnjë shpërblim. Natyrisht nuk u zgjodh kjo rrugë, por iu zgjat aktiviteti dhe për këtë ranë dakord një sërë institucionesh si Ministria e Brendshme, Ministria e Financave, Avokatura e Shtetit,
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por ky nuk është skandali i vetëm i institucioneve shqiptare, pasi një tjetër më i rëndë është ai që shqiptarët duhet të ripaguajnë për pasaportat që kanë marrë 5-6 vjet më parë sepse kështu urdhëron Ministria e Brendshme. Pyetjet më të thjeshta janë: Nëse dalin jashtë përdorimit 156 mijë pasaporta pse ato u bënë për afatin 10 vjet dhe jo për 5? Po paratë që kanë paguar shqiptarët kush do tua kthejë mbrapsht? Këtyre pyetjeve duhet t’i japin përgjigje organet e hetimit, për të mos u bërë një grabitje e hapur e shqiptarëve me institucione shtetërore

Afati i fundit i vlefshmërisë për pasaportat biometrike të 2009- 2010

Ministria e Punëve të Brendshme rikujton se 1 korriku 2016 është afati i fundit i vlefshmërisë së pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 – Korrik 2010, me afat të pasaktë vlefshmërie për shtetasit shqiptar nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit.
MPB fton qytetarët që kanë hasur këtë problematikë, të aplikojnë sa më shpejt për pasaportat e reja duke shmangur radhët në ditët e verës, ku shtohet fluksi për shkak të ardhjes së emigrantëve. Ministria e Punëve të Brendshme sqaron edhe njëherë lidhur me çështjen e afatit të vlefshmërisë të pasaportave biometrike të lëshuara në periudhën Prill 2009 deri në Korrik 2010 për shtetasit e moshës nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit për pasaportë biometrike, se (në bazë të ligjit nr. 8668, datë 23.11.2000 “Për pajisjen e shtetasve me pasaportë për jashtë shtetit” i ndryshuar), afati i vlefshmërisë së pasaportave për këtë kategori shtetasish është 5 vjet, në përputhje me standardet ndërkombëtare të dokumenteve të udhëtimit.
Gjatë periudhës Prill 2009 – Korrik 2010, për shtetasit shqiptarë nën moshën 16 vjeç në momentin e aplikimit, janë lëshuar rreth 156 mijë pasaporta me afat vlefshmërie jo të saktë (10 vjet), ndërkohë që duhet të ishin 5 vjet.
(156 mijë persona X 70 USD = 10 milionë e 920 mijë dollarë ose nëse shumëzohen me 121 lekë = 13 miliardë e 200 milionë lekë).
Ministria e Punëve të Brendshme nënvizon se afati 5-vjeçar i vlefshmërisë së pasaportave biometrike për fëmijët 0 -16 vjeç është një standard i njohur ndërkombëtar, për shkak të ndryshimit në kohë të karakteristikave fizike të shtetasve të kësaj moshe.
Me ardhjen e qeverisë së re në vjeshtën e 2013, duke konstatuar problematikën, Ministria e Punëve të Brendshme mori masa për menaxhimin dhe zgjidhjen e saj. U propozua shtyrja e afatit të këtyre pasaportave me 1 vit, duke i bërë ato të vlefshme për 6 vjet, që t’u lihet kohë shtetasve për pajisjen me pasaportë të re biometrike. Propozimi i MPB-së u miratua në Kuvend në Prill 2014.
Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat për njoftimin e shtetasve që preken nga ky problem dhe prej Gusht 2014 ka vijuar me njoftimin:
– Në Pikat e Kalimit Kufitar (nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë në kufi dhe posterave, Fletëpalosjeve)
– Në Zyrat e Gjendjes Civile dhe Komisariatet e Policisë (nëpërmjet kontaktit të Drejtpërdrejtë nga punonjësit dhe posterave, fletëpalosjeve)
– Në media (njoftime dhe fushata)
– Deklarata të herëpashershme nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme
– Nëpërmjet Ambasadave dhe Zyrave konsullore të Republikës së Shqipërisë, për Shtetasit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Republikës së Shqipërisë
– Nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë të gjithë masat për përballimin e kërkesave në rritje për pajisjen me pasaportë, duke fuqizuar infrastrukturën e nevojshme në zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së këtyre dokumenteve.