Skandali me pensionistët: 25 mijë vetë nuk marrin kompensimin e energjisë

520
Teksa ka përfunduar fushata elektorale për zgjedhjet vendore dhe ku janë harxhuar miliona euro për 61 kryebashkiakët e rinj fitues dhe për ata humbës, skandali ka goditur një shtresë të pambrojtur të shoqërisë siç janë pensionistët. Burime për gazetën bëjnë me dije se janë rreth 25 mijë pensionistë në mbarë vendin që nuk e kanë marrë kompensimin e energjisë elektrike në vlerën e 648 lekëve në muaj. Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se kompensimi nuk u është dhënë për shkak se pensionistët nuk kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Masa e kompensimit do të rivihet për ata pensionistë që do të dorëzojnë dokumentat që u kërkohet. Masa e kompensimit financiar për energjinë elektrike u vendos nga Këshilli i Ministrave duke filluar nga 1 shkurt 2015, për të lehtësuar pensionistët kryefamiljarë dhe pa të ardhura të tjera në përballimin e ndryshimit. 
Vendimi 
Vendimi për mbrojtjen e shtresave në nevojë, për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 këh në muaj parashikon kompesimin e diferencës së çmimit të energjisë elektrike, për efekt të heqjes së fashës së konsumit deri në 300 Këh në muaj, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.03.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Po ashtu, një tjetër kategori që përfiton janë kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Sakaq, kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, do të jenë pjesë përfituese e këtij vendimi. Në kategorinë përfituese bëjnë pjesë dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me page mujore bruto nën 35 000 lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar si dhe të verbrit dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë. Kompesimi do të bëhet vetëm për 1 kontratë të energjisë elektrike dhe do të jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, të cilët kanë pagë nën 35 000 lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.
Dokumentacionet e nevojshme
– Çertifikatë familjare që vërteton statusin e të qenit kryefamiljar
– Kontratën që kanë me Entin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike
– Librezën e dritave, ose një faturë që do të thotë që atë energji që e konsumojnë e paguajnë për rastet kur kanë familjarë të papunë 
– Vërtetimet përkatëse që tregojnë se janë të papunë.
Sigal