Skandali/1200 fëmijë romë mbeten pa shkollë në Elbasan

585
Sigal

Maksim TUFA

 

Afro 1200 fëmijë romë në
Elbasan, kanë mbetur pa shkollë, dhe kjo për faktin sepse shkollat 9 vjeçare të
këtij qyteti nuk i regjistrojnë dhe i diskriminojnë, kurse pikat e shitjes nuk
u japin libra me pretendimin sepse “nuk ka urdhër për ju”. Edhe në ditën e parë
të vitit të ri shkollor 2016-2017, u konstatuan probleme të rënda dhe serioze
në pothuajse gjithë sistemin shkollor në shkallë qarku në Elbasan. Por problemi
më flagrant, ishte lënia jashtë klasave shkollore të afro 1200 fëmijëve romë
nga ky qytet, të cilët për përfaqësuesit të tyre Gurali Mehmeti i deklaruan
“Telegraf” se “ky  realitet dhe ky
diskriminim racor që na bëhet ne romëve nga drejtoritë e shkollave dhe pikat e
shitjes së librave, bie ndesh me vendimet dhe premtimet e qeverisë Rama, sipas
të cilës ne kemi “fituar” të drejtën e arsimimit, apo edhe të drejtat e tjera
por që në fakt ne nuk na qasin fare në shkollat 9-vjeçare për të regjistruar
fëmijët tanë, duke na detyruar tilëmë ata rrugëve, të lypin, të marrin vese të
tjera duke mbetur analfabetë”. Shoqata e Romëve të Elbasan kërkon nga
kryeministri Rama dhe nga ministri Klosi të merren seriozisht me problemet e
romëve në Elbasan, të zgjidhin problemin e regjistrimit, problemin e pajisjes
me libra të 1200 nxënësve romë, dhe të ndëshkohen drejtorët dhe mësuesit e
shkollave që nuk regjistrojnë dhe diskriminojnë fëmijët romë”. Shoqata e Romëve
të Elbasanit, me iniciativën dhe fondet e veta ka arritur të krijojë  fonde nga banorët dhe të organizojë ceremoni
festive, të pajisë me libra dhe veshje dhjetra e dhjetra fëmijë të vobektë
parashkollorë, por nga ana tjetër shfaq shqetësimin e saj lidhur me
neglizhencën e qeverisë dhe Ministrisë Arsimit.

Tjetërsimi i fondeve nga zyrtarët
e arsimit

 

Sipas kreut të Shoqatës së
Romëve Gurali Mehmeti “Ministria e Arsimit, ka marrë fonde të veçanta për
shkollimin e romëve, ka marrë fonde të veçanta edhe nga KE dhe strukturat e
tjera europiane, por ne nuk e kuptojmë se ku shkojnë dhe se ku përfundojnë
fondet për shkollimin, strehimin, dhe kiujdesin ndaj romëve. Elbasani
mbetet  qyteti ku romët kanë përqëndrimin
më të madh në shkallë vendi, dhe janë të organizuar në shoqata, struktura, ne
kemi hirarkinë tone, kemi vendosur edhe bashkëpunimin tonë me disa shoqata të
tjera rajonale, dhe ndjejmë keqardhje që në krahasim me vendet e tjera të
Ballkanit, në Shqipëri romët trajtohen si njerëz të rëndomtë, të dorës së
tretë, duke u zhvatur atyre milionat e dhëna nga organizmat e ndryshme të BE,
dhe duke mbushur xhepat e fëlliqur të qeveritarëve të zgjyrosur”. Romët e
Elbasanit i bëjnë apel kryeministrit Rama të merret seriozisht me shkollimin e fëmijëve
të tyre, të ndalë dhe penalizojë sipas ligjit ata që u mbyllin derën e
shkollës, dhe jo të premtojë parajsën gjithmonë kur vijnë fushatat elektorale.
Në Elbasan ndodhen mbi 21500 romë, të ndarë kryesisht në zonat periferike, por
vitet e fundit ata kanë krijuar edhe bizneset e tyre, zyrat e shoqatës së tyre,
dhe pretendojnë që në zgjedhjet e ardhshme ndoshta të dalin edhe me kandidatin
e tyre, nga ku presin të fitojnë një vend në parlamentin e ri.