Skandalet e Ujësjellësit të Tiranës, amnistia fiskale, Bashkia dhe ndëshkimi i elektoratit

555
Sigal

Veprimtaria që ka përfshirë Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës është tërësisht e paligjshme

Amnistia fiskale është një nga shkeljet më të mëdha që është bërë nga drejtoria e Ujësjellës kanalizimeve të Tiranës  dhe drejtuesit e sajë. Pavarësisht justifikimeve se vendimet janë marrë nga bordi dhe jo drejtoria ende nuk ka asnjë raport zyrtarë dhe publikë të këtij institucioni që të faktojë të kundërtën. Ligji për amnistinë i jepte të drejtën e shtrirjes për të gjitha ato ujësjellës që deri në momentin e daljes së ligjit nuk ishin de fakto në varësi të bashkisë. Dhe koha tregoi se vartësia e Ujësjellësit të Sait Dollapit ka filluar nga bashkia e Tiranës në Janar të vitit 2012 dhe jo më parë. Sigurisht, kjo ka një prapaskenë që lidhet me rritjen e çmimit të ujit përpara marrjes nga bashkia dhe që kjo është me shumë rëndësi për këtë të fundit pasi do e përdorë apo nuk do kërkojë të mbajë përgjegjësinë e rritjes së çmimit nga Sait Dollapi në Nëntor të 2011. Por që të gjitha këto janë  pjesë e  investigimeve të përfunduara një pjesë dhe pjesa tjetër është në ndjekje dhe që do të vazhdojnë të bëhen prezentë gjatë ballafaqimit elektoral të qeverisë Berisha  në lidhje me atë që është premtuar dhe atë që ka bërë në realitet ish- drejtori i OSSH-së, Sait Dollapi që sot është në krye të institucionit më të përfolur të Kryeqytetit shqiptar.

1- Në kujtesën e faturës tatimore të Ujësjellës- Kanalizimeve Tiranë thuhet se: “Fatura e konsumit të ujit të pijshëm është Titull Ekzekutiv në bazë të ligjit”. Plotësisht dakord me këtë akt të ligjit por  si veprohet kur në tubacione nuk vjen ujë i pijshëm por ujë i përzier me ujërat e zeza ?! Nëse Sait Dollapi për momentin nuk do të dijë ka një tjetër njeri që do ndëshkohet gjatë zgjedhjeve nga banorët e kryeqytetit dhe ai do të jetë Kryeministri Berisha që e ka emëruar në këtë postë.

2- Ankimimi brenda muajit është  detyrim i konsumatorit në rast se nuk është dakord për konsumin e ujit. Po kur kërkesat janë jo një e dy, por më shumë dhe kanë mbi një vit që bëhen dhe zhduken, kush e mbanë përgjegjësinë ? Sigurisht që Sait Dollapi nuk do të dijë, por Kryeministri Berisha duhet ta mësojë që nesër të mos zhgënjehet nga vota kundër e qytetarëve të vetë që e kanë parapëlqyer dhe votuar atë.

3- Ujëmatësi: Ujëmatësit janë në  pronësi të pronarit të objektit, i cili është përgjegjës për mirëmbajtjen dhe administrimin e tyre. Po mirë more zoti Sait, me çfarë të drejte ju urdhëroni punonjësit tuaj të venë nëpër banesa, të heqin sahatet, t’i ndërrojnë pa dijeninë e pronarëve, pa një procesverbal fakti dhe aq më tepër, kur ato janë me material bronzi. Sigurisht që, ju nuk ju intereson ballafaqimi me qytetarët pasi faturuesit e tu kanë vënë dyfishin e sasisë dhe nuk kanë se ç’të bëjnë kur ballafaqohen me realitetin, ndaj dhe ju i bini shkurt dhe i hiqni. Dhe për këtë ju nuk pranoni ankesa por kërkoni ta bëni fakt pavarësisht se një  apartamenti i bie të paguajë sa gjysma e pallatit aq më tepër nuk është në ndonjë  banesë private që të hidhet ideja e vaditjes së bahçes. Por edhe për këtë do të ndëshkohet Kryeministri Berisha.

4-Grabitja me përshkrimin: Ju modifikuat faturat dhe përveç se përfitoni taksën e pastrimit, keni vendosur edhe një taks largimi të ujit. Po uji që përdoret dhe kalon në tubacionet e zeza a nuk futet tek taksa e pastrim –gjelbërimit. Po ç’është kjo taksë e dyfishtë. Të gjithë vjedhin me letra pse të mos vjedhë edhe Saiti.

5- Rritja e çmimit: Ju zoti Dollapi rritët çmimin përpara se ujësjellësi të kalonte de fakto në vartësi të bashkisë  dhe për këtë do të ndëshkohet Kryebashkiaku Basha, i cili nuk mund të justifikohet dot se e mora të rritur çmimin, pasi kjo gjë do t’ju  penalizonte  ju si drejtor ujësjellësi në lidhje me faktin dhe abuzimin me mosrespektimin e ligjit për amnistinë fiskale.

Me sa shihet  veprimtaria që ka përfshirë Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës është tërësisht e paligjshme dhe mbrojtja me kokëfortësi nga ana e pushtetit qendror dhe lokalë do jetë me kosto të rëndë. Mjafton të shkoni tek zyrat e ankesave, të dëgjoni në televizione në emisionet e mëngjesit (tv të majta apo të djathta)  ankesat e qytetarëve dhe do bindeni për maskaradën e këtij institucioni, i cili është në paditur në qindra raste në organet e gjyqësorit. Nesër  do të shikoni skandalet e nëpunësve të ujësjellësit të Sait Dollapit, ku nga njëra anë figurojnë proces-verbale për shkëputjen e ujit dhe nga ana tjetër faturistja vazhdon të mbushë faturat në mënyrë skandaloze.

 Interesat e borxhit me Italinë, 20 mln euro investime në Shqipëri

Shqipëria do të kthejë borxhin që i ka Italisë pa paguar interesa. Qeveria italiane ka vendosur që interesat e borxhit të investohen në vendin tonë në projekte sociale me ndikim në përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Janë 20 milionë euro që do të investohen, nga 228 milionë euro që është borxhi. Arsimi, shëndetësia, gjenerimi i punësimit do të jenë prioritet në financimin e projekteve.  “Fondet që gjatë kësaj periudhe janë akorduar nga qeveria italiane për Shqipërinë kapin vlerën e 878 mln eurove, nga të cilat 650 mln euro janë kontribute me grande, dhe 228 mln euro janë huat për sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. U mundësua hapja e një instrumenti të ri për konvertimin e borxhit për zhvillim, një mundësi që qeveria italiane ua ka dhënë disa vendeve që treguan qëndrueshmëri në reforma dhe objektiva të qarta”, tha Ridvan Bode, ministër i Financave. Ambasadori i Italisë, Massimo Gaiani deklaroi se, Shqipëria ka qenë dhe është prioritet për palën italiane. “Bëhet fjalë për një instrument të ri të Konvertimit të borxhit. Ky financim do të ndihmojë në zhvillimin e projekteve sociale me efekt tek njerëzit në nevojë. Italia ka vendosur që përdorë konvertimin e borxhit për projektet në zhvillim. Sot fillon faza operative e këtij instrumenti. Projektet do të përzgjidhen përmes thirrjeve për aplikim , të cilat do të shpallen në mënyrë periodike”, tha Massimo Gaiani. Projektet që do të financohen janë ato që realizohen në kuadër të Programit Italo-Shqiptar të Asistencës për Zhvillim. Sektorë të tjerë prioritar në këtë financim janë edhe ato për zhvillim e qëndrueshëm rural komunitar në zona të margjinalizuara.

Dhuna në familje, Tabaku: Bashkia, trajtim të veçantë për gratë dhe fëmijët

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në bashkëpunim me Shoqatën “Në Dobi të Gruas Shqiptare”, që është një nga shoqatat që po ndihmon Bashkinë e Tiranës në mekanizimin e referimit kundër dhunës. Janë përmbyllur dy javë intensive të ndërgjegjësimit të qytetarëve për dhunën në familje. Një grup vullnetarësh, studentë të universiteteve të ndryshme të Tiranës prej datës 25 nëntor deri sot 10 dhjetor, kanë qenë aktiv në komunikim me persona që kanë qenë apo janë subjekt i dhunës, sikundër kanë shpërndarë materiale sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave, apo fëmijëve si target grupet më të ekspozuara ndaj dhunës në familje. Në shenjë mirënjohje për këta të rinj nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku u ka shpërndarë disa certifikata mirënjohjeje. “Unë sot marrë rastin t’ju falënderoj që keni qenë shumë aktivë, së pari për të identifikuar rastin që mund të jenë raste dhune, por ajo që është më e rëndësishme është parandalimi. Pikërisht dhe puna juaj ka qenë në parandalimin, në ndërgjegjësimin, në informimin për pasoja të këtyre fenomeneve dhe unë besoj që të gjithë ju, aq më tepër që jeni të rinj, të shërbeni si model për të gjithë grup-moshën tuaj, do shërbeni si model për familjarët tuaj, për të ndihmuar që këto çështje, këto parime që ju i keni promovuar përgjatë këtyre 16 ditëve, t’i çojmë edhe më lartë dhe të jemi sa më aktivë përditë, për këto çështje që për ne si Bashki janë shumë të rëndësishme dhe më vjen mirë që janë edhe për ju.” Zonja Tabaku theksoi, se në qendrën e re sociale që Bashkia është duke e ngritur në bashkëpunim me UNDP-në, do të ketë një zyrë permanente për të adresuar të gjitha problemet që kanë gratë, apo fëmijët në rrezik apo familjet në nevojë. “Bashkia e Tiranës me të gjitha politikat sociale që ka në dorë, do të përpiqet të mbështesë maksimalisht këtë grup, të cilët ndoshta janë më vulnerabel, duke u kujdesur që t’ju ofrojmë mundësi të barabarta dhe më të mira madje, duke filluar që nga strehimi, duke vazhduar me mundësitë e punësimit, me asistencën psikologjike dhe sociale nëpërmjet qendrave sociale që Bashkia e Tiranës ka dhe dua që edhe ju të na ndihmoni për të përcjellë këtë informacion tek grupet që takoni përditë dhe te grupet që keni ndërgjegjësuar gjatë këtyre dy javëve të fundit të aktiviteteve”.