Skandal në Elbasan, faturistët e CEZ plotësojnë faturat nëpër lokale

523
Sigal

Banorët e revoltuar: “Askush nuk shikon matësin. Po na faturojnë më tepër energji sesa konsumojmë. Të zbardhet e vërteta!”

Në qytetin e Elbasanit  prej disa muajsh qytetarët janë ndeshur me fatura poshtë dyerve të shtëpisë e të pakontrolluara. Prej disa muajsh përgjegjësit e CEZ-it as që kujtohen të shkojnë dhe të kontrollojnë matësit ose (askush nuk njoftohet për kontrollin e tyre, ditën e faturimit) prej familjarëve nuk dinë gjë, por ja këpusin faturat kot e më kot aq sa ju do qejfi atyre. Madje, më flagrant është rasti i një invalidi, i cili dyqanin dhe disa shtëpi të vetat private i ka dhënë me qira (të tretëve) dhe energjinë e paguan si invalid (me rimbursim), vetë paguhet me KEMP, si invalid (i verbër) dhe askush nuk merret me probleme të tilla, por të gjithë e kanë mendjen të mbi faturojnë energjinë elektrike, si zgjidhjen e parë për të justifikuar humbjet në rrjet.

Qytetarët

Qytetarët e Elbasanit janë ankuar kudo, por askush nuk i dëgjon. Janë mjaft qytetarë, sidomos pensionistë që ankohen për faturat, por nga frika e presionit të faturistëve për gazetën “Telegraf” thonë se: “Faturat e energjisë vijnë të papërballueshme dhe se askush nuk i shikon matësit që ne kemi vendosur në shtëpitë tona, por i bien aq sa atyre ju do qejfi”. “Unë jam vetëm tre veta në shtëpi”, shton një tjetër qytetar dhe se një televizor dhe një frigorifer që kam në shtëpi nuk mund të harxhojnë mbi 20 mijë lekë dhe unë vetëm me një pension jam. Nuk e di se çfarë të bëj më përpara, të paguaj dritat, ujin apo të mbahem me bukë”. Po kështu janë të gjithë qytetarët e Elbasanit që kanë kohë  që ankohen se CEZ  është i papërngjeshëm dhe faturistët as që i shikojnë sahatet (matësit), ku pjesa më e madhe e tyre është me biznes si kambistë, biznesmen dhe faturat i bëjnë nga shtëpia ose lokali. Ndërsa një tjetër qytetare Admira Tatzati shprehet për gazetën se, “faturat janë të pa përballueshme dhe se unë nuk e harxhoj kurrë aq energji elektrike, por ç’të bëjmë na ka zënë belaja. Jemi ankuar te CEZ, por kush na dëgjon neve? Tani na ka mbetur vetëm të hidhemi në protestë, por dhe ashtu nuk pyet njeri. Ndërsa shumë qytetare ankohen përgjegjësit e kësaj pune as që e çajnë kokën, por vazhdojnë terezinë e tyre duke i mbushur faturat nga zyrat. Madje, brenda punonjësve të kësaj ndërmarrje ka elektricistë që bëjnë lidhje të fshehta, sidomos lokaleve. E mbi të gjitha janë qytetarët e Elbasanit ata që  do të paguajnë faturat e kripura dhe se zoti e di se me çfarë do t’i paguajnë pasi shumica e qytetarëve janë të papunë me pensione. Madje sipas burimeve konfidenciale thuhet se, nëse shikon faturat e punonjësve që punojnë në KESH, CEZ paguajnë shumë më pak se qytetarët e thjeshtë, por këtë mundet ta verifikojnë instanca të tjera. Ne dimë vetëm të paguajmë faturat e kripura që ata i i mbushin sa ju do qejfi.