Skandal në Berat, skulpturat restaurohen me mjete rrethanore

585
Sigal

Po tjetërsohen vlerat kulturore. Nuk mirëmbahen nga specialistët, veprat e artit në skulpturë drejt degradimit

Veprat e artit në skulpturë, të ekspozuara në ambientet e gjelbëruara të lulishteve të qytetit po shkojnë çdo ditë e më shumë drejt degradimit. Kjo për shkak të dëmtimeve serioze që ato kanë pësuar në vite, si nga agjentët atmosferik e dora e papërgjegjshme e njeriut, por edhe për shkak të mungesës së investimeve për restaurimin e tyre që prej vitit. Drejtoria e Monumenteve të Kulturës bënë të ditur se janë mbi 10 vepra publike në skulpturë, të ekspozuara në qytet, që i përkasin autorëve shumë të rëndësishëm të skulpturës shqiptare, por që fatkeqësisht po i humbasin nga dita në ditë vlerat e tyre. Në qytetin e Beratit janë ekspozuar nga autori Dhimitër Çani, dy vepra, një nga portretet e para shqiptare të gdhendura në mermer, busti i Bab Dudë Karbunarës dhe memoriali që i kushtohet dëshmorëve të qytetit të Beratit, po kështu një tjetër vepër, përkrenarja e Skënderbeut e autorit Llazar Nikolla është ekspozuar një në vitin 1930 përbri Urës së Goricës, por nuk kanë munguar edhe skulptorët beratas, ku disa prej veprave të tyre janë ekspozuar në shumë ambiente publike në qytet. Specialistët  tregojnë se një tjetër nga shkaqet e degradimit të këtyre skulpturave është edhe fakti se për mirëmbajtjen e tyre në disa raste, pa u pyetur edhe specialistët përkatës, skulpturat e derdhura në beton ose materiale të tjera janë lyer me gëlqere ose varak, thjesht për t’u zbardhur, por lyerja e tyre me gëlqere e varak i ka dëmtuar më shumë këto vepra duke i tjetërsuar dhe denigruar vlerat e tyre. Specialistët e Monumenteve shprehen se, të gjitha këto vepra arti në skulpturë, të cilat janë të ekspozuara në këtë qytet që prej vitit 1928 e në vazhdim janë lënë në mëshirë të fatit, pasi nuk është bërë asnjëherë asnjë rikonstruksion i mirëfilltë i tyre për shkak të mungesës së fondeve. Duke u nisur nga fakti se asnjë prej këtyre veprave nuk është restauruar, e vetmja mënyrë për të ruajtur për të mos denigruar dhe tjetërsuar vlerat e këtyre veprave të artit në skulpturë është vendosja e ekspozimi i veprave origjinale në ambientet e Galerisë së Arteve dhe zëvendësimi i tyre në ambientet publike me nga një kopje origjinale të veprën, siç ndodh edhe në botë.