Skandal me ndarjen e bursave në Librazhd

614
Sigal

ARSIMI/ Flet kryetari i Komunës Qendër, Enver Shkurti: Ju tregoj skemën korruptive, që nga shitjet te ndarjet preferenciale

Një tjetër risi e re është abuzimi me bursat e dhëna nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas të dhënave zyrtare për rrethin e Librazhdit janë dhënë 78 bursa studimi, të cilat i përfitojnë familjet me aftësi të kufizuara dhe ato në nevojë. Deri në këtë pikë çdo gjë është në rregull, por mënyra e shpërndarjes së tyre është abuzive, ku është arritur deri atje sa ato të shiten. Është kryetari i  Komunës Qendër, Enver Shkurti ai që zbulon skandalin, ku midis të tjerave akuzon përgjegjësin e Zyrës Arsimore Librazhd, Kujtim Balla me punonjësit e vetë si “Padron të arsimit”, ku ky i fundit ka shitur dhe ka ndarë në mënyrë të padrejtë bursat e akorduara nga MASH. Sipas Shkurtit, janë dhënë 78 bursa studimi për rrethin e Librazhdit dhe për këtë falënderon Ministrin e Arsimit për ndihmën dhe kontributin e dhënë për këtë rreth, por që të gjitha bursat kanë avulluar.

Shqetësimi

Në një takim më Prefektin para Vitit të Ri kryekomunari Kujtim Shkurti ka ngritur këtë abuzim dhe sipas tij i ka përgatitur një shkresë edhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit të Arsimit për mënyrën e padrejtë të ndarjes së bursave. Komuna Qendër është një nga komunat më të mëdha të rrethit të Librazhdit, e cila ka mbi 12 mijë banorë, ku njëkohësisht është edhe një ndër komunat më të varfra i janë akorduar tre bursa studimi, kur kërkesat janë për 70 bursa. Për “Telegraf”, Shkurti shprehet: “Disa komunave u janë dhënë mbi 10 bursa dhe kjo ndarje nuk është e drejt. Unë vlerësoj kriteret e ministrit dhe bursat që ka dërguar, por a e di Ministri i Arsimit se si janë ndarë këto bursa? Po kështu unë ju bëj me dije se rebelimi ka ngritur “krye” dhe në disa njësi të tjera vendore nga prindër e studentë, të cilët për shkak të frikës dhe presionit politik “diktatorial” vendosin të flasin heshtur pa ju dalë emir. Mjafton të shikosh kush ka përfituar, numri i tyre i ndarë sipas njësive vendore, numri i kërkesave sipas banorëve etj., del shumë qartë se si është abuzuar me këto bursa studimi. Ndarjet janë bërë preferenciale”, -tha kryekomunari Shkurti. Por udhëzimet që i nxjerr çdo ditë e më shumë Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës askush nuk i zbaton në Zyrën Arsimore të Librazhdit, ku prej vitesh ose dekadash vazhdojnë të bëhen eksperimente nga shefat e gjithëfuqishëm, ku mbrapa kanë edhe mbështetje. Ata që përfitojnë janë  njerëzit e afërt të inspektorëve të Z. A. Librazhd. Madje, para se të drejtohesh në Z. A. Librazhd duhet të mendohesh mire se sa ditë do të presësh tek dera, ku duhet të pihet kafeja etj..

Shkelet udhëzimi i MASH-it

Sipas udhëzimit të MASH thuhet: Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera të parashikuara me VKM, nga buxheti vjetor i miratuar për MASH. Ato administrohen nga DAR/ZA në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore (Kryetari dhe Këshilli i zgjedhur), duke i dhënë përparësi nxënësve dhe studentëve me aftësi të kufizuara dhe atyre nga shtresat sociale në nevojë. Bursat akordohen mbështetur në kritere ekonomike (të ardhura të ulëta të familjes) dhe rezultateve të larta në mësime. Për nxënësit e shkollave profesionale që vijnë nga 16 rrethet më pak të zhvilluara të vendit, (zonat Verilindore dhe Juglindore) dhe ato (pavarësisht nga gjendja ekonomike e familjes) që ndjekin mësimet në degët e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve dhe ndërtimit, akordohen dhe bursa.