Skandal e pasiguri në burgje, i dënuari për vrasje, grushte edhe shkelma prokurorit

832
Sigal

Skandalet dhe pasiguria në burgjet tona jo vetëm nuk frenon incidentet e dhunshme mes grupeve rivale e të siguroj jetën e të burgosurve, por dhunohen e rrihen dhe prokurorë që shkojnë në këto institucione për të bërë detyrën. Së fundi, është rrahur një prokuror në mjediset e ajrimit në burgun e Lezhës nga një i dënuar për vrasje, në sy të gardianëve që kanë bërë sehir! Ndërkohë, që Drejtoria e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë, mjaftohen vetëm me ndalimin e dy policëve, shefit të sigurisë dhe një gardiani! Lind pyetja: Çfarë donte prokurori në mjediset e ajrimit, ku rreptësisht rregullorja nuk lejon asnjë njeri? Po gardianët pse nuk ndërhynë? Minimalisht, dorëheqja e titullarëve deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e përballja me drejtësinë, do të ishte hapi minimal… Burgu i sigurisë së lartë në Shënkoll është përfshirë nga një ngjarje e paprecedente. Një prokuror është goditur me grushte e shkelma nga një i dënuar për vrasje në burgun e Shënkollit. Mariglen Përgjini, i dënuar me 7 vjet për vrasjen e një të riu në Janar të 2013-s, është “hakmarrë” ndaj prokurorit Ervin Beqiri, pasi ky i fundit kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vjet burg në kohën e gjykimit. Pas kësaj ngjarjeje i dënuari është futur në izolim ndërsa me urdhër të prokurorisë është arrestuar shefi i sigurisë së institucionit të vuajtjes së dënimit në Shën Koll dhe gardiani i turnit, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi nuk ndërhynë për të shmangur incidentin. Mësohet se, prokurori i rrethit të Lezhës, Ervin Beqiri kishte shkuar në burgun e Shënkollit për të marrë në pyetje dy të burgosur. Por duket se fytyra e tij është memorizuar më së miri nga i dënuari Mariglen Përgjini, i cili e ka pikasur dhe ka nisur ta ofendojë…por kjo vetëm fillimisht, pasi më tej ai e ka goditur me grushte e shkelma. Sulmi ndodhi në dhomat e ajrimit, ku i dënuari është shkëmbyer me prokurorin. Ishte vetë prokurori, i cili bëri kallëzimin penal në Organin e Akuzës jo vetëm ndaj të dënuarit Mariglen Përgjini, por edhe dy gardianëve, të cilët nuk vepruan për të shmangur ngjarjen. Mariglen Përgjini është dënuar 7 vjet burgim për vrasjen e 25-vjeçarit Martin Shtjefni dhe plagosjen e Ergys Nikës mëngjesin e 10 Janarit të 2013-s në një lokal pranë kryqëzimit të “Shënkollit”. Po dje, një rast tjetër shënohet në burgun 302, ku në linjë telefonike, Arben Frroku që akuzohet për vrasjen e Kryekomisarit Dritan Lamaj, ka zbuluar identitetin e dëshmitarit kyç që po bëhet shkak për shtyrjen e seancave në ngarkim të tij. Sipas Frrokut dëshmitari kyç, që Prokuroria pretendon se e ka parë duke qëlluar Kryekomisarin Dritan Lamaj, quhet Fatmir Vladi dhe është një person me të kaluar të errët.  “Dëshmitari është penduar për gabimet e veta dhe nuk do të dëshmojë, jo se ka ikur në drejtim të pa ditur. Ai ka një të kaluar të errët, luan në lojëra fati. Kishte lënë ca lekë në ca pika të miat të basteve dhe donte të më jepte një makinë për të shlyer borxhin. Unë nuk pranova, i thashë dua lekë. Siç u ka humbur atyre para ca kohësh, më ka humbur ca kohë edhe mua. Edhe me familjarët ka problem. Nuk dua t’u jap shumë detaje, por ai është Fatmir Vladi, banon në Tiranë”,- u shpreh Frroku. Përtej këtij fakti, biseda telefonike nga qelitë (po hetohet rregullsia ligjore e saj), e që vë në rrezik dhe dëshmitarin e zbuluar, nuk dihet sa do ndikoj në ecurinë e gjyqit të bllokuar. Ndërsa situate në burgje, përditë e më shumë po bëhet problematike.