Skandal/ Avokatja që paguhet nga shteti, zhvat familjarët.Kërkon 50.000 lekë për ta liruar të dënuarin

665
Sigal

Një avokate e caktuar kryesisht
nga shteti në një proces gjyqësor, u ka kërkuar 50.000 lekë familjarëve të një
të arrestuari, me qëllim për ta liruar dhe përfaqësuar në gjykatë. Shpenzimet e
avokatëve kryesisht mbulohen nga shteti dhe ata nuk duhet t’u kërkojnë të holla
të arrestuarve apo të pandehurve.




Në nenin 11 të ligjit për profesionin e avokatit, thuhet se
shpërblimi për punën e kryer caktohet nga gjykata ose prokuroria, kur ai është
caktuar kryesisht ose kur personi i mbrojtur ose i përfaqësuar nuk ka mundësi
financiare dhe ndihma ligjore për të është falas.




Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare”
familjarët e të arrestuarit Kujtim Macalla u ankuan për avokaten Alma Zyba. Ata
pretendonin se nuk kishin nënshkruar asnjë deklaratë noteriale që ti jepnin
avokates atributet e mbrojtëses ligjore. Por, pavarësisht kësaj, avokatja u ka
kërkuar para, madje duke u caktuar edhe shumën përkatëse. Fiksi dokumentoi me
zë dhe figurë momentin që familjarët e Kujtim Macallës i japin avokates 50.000
lekë.


 

Avokatja:
“Me 500 mijë lekë e liroj…”




Mbrëmjen e djeshme, emisioni trajtoi ankesën e familjes
Macalla. Kujtimi, 44-vjeç nga Tirana, është arrestuar 5 muaj më parë me akuzën
për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Në caktimin e masës së sigurisë,
familja nuk kishte para për t’i caktuar një avokat. Gjykata i caktoi kryesisht
avokaten Alma Zyba, e cila e përfaqësoi në seancën e masës së sigurisë dhe në
procesin gjyqësor, që zgjati vetëm dy seanca.




“I drejtohem ‘Fiks Fare’ sepse kam një problem. Babain
e kam në burg. Avokatja që më ka caktuar shteti më kërkon 500 mijë lekë të
vjetra. Unë nuk kam kaq para. Ne nuk kemi dhënë asnjë prokuroë që të
përfaqësojë babain, sepse atë e ka caktuar shteti. Nuk e kemi njohur avokaten
më parë” thotë djali i të arrestuarit.




Bashkëpunëtorët e Fiks Fare takojnë avokaten. Në takimin e
parë, avokatja thotë se të nesërmen është seanca e parë dhe ajo kërkon 500 mijë
lekë që ta lirojë të pandehurin. “Në 9:30 është gjyqi. Nuk kërkuam gjyq të
shkurtuar se janë edhe dy seanca. Jemi në finale. Atëherë unë po të dal
konkret, ke mundësi të ofrosh? Sa e ke të mundur që të…” e pyet avokatja
bashkëpunëtorin e Fiks Fare, duke i shtuar se “unë bëhet fjalë që ta
liroj”. “Po ça kujton? Për ta liruar që Vitin e Ri ta hajë në
shpi” shton avokatja. Më tej i thotë bashkëpunëtorëve të Fiksit se
“Unë të thashë për ta liruar. Unë tek 500 shja e kisha për ta
mbyllur”. Fiksi e pyet se me 500 mijë lekë mbyllet, ndërsa avokatja i
përgjigjet “po, po, për ta liruar”. Më pas, ul edhe pazarin, ndërsa u
thotë se “sa të keni ju, edhe me 400 do ta ashtu…”. Ajo thotë se
vetëm shumë shpejt duhet të vini.


 

“Shih si numërohen 1, 2, 3, 4, 5”



Në ditën e dytë, bashkëpunëtorët e Fiks Fare takojnë sërish
avokaten, ndërsa e pyesin nëse përfundoi gjyqi. “Për sot po, me 30 e
mbyllim. Me 30 e ka. Gjyqi shkoi shumë, shumë mirë siç e doja. Shumë mirë. Ta
thashë shumë shpejt, shkoj mrekulli. Më merr një çertefikatë familjare të
babit. Unë them do ta sjellë në shpi. Me 30 mbyllet çdo gjë” thotë
avokatja, ndërsa bashkëpunëtorët e pyesin “lekët të ti jap me 30?”.
Avokatja i përgjigjet se “Jo, i dua sot, se atë ditë do vij me
konkluzione, do mbyll gjyqin”. Bashkëpunëtorët e pyesin se mos duhet
ndonjë lek tjetër, përveç 500-es, ndërsa ajo i thotë “Jo, jo po pata
nevojë të bije në telefon”.




Fiksi dokumentoi momentin e dhënies së parave, teksa
avokatja i thotë se “i numëroj unë në dorë. Po leri se i numëroj unë në
dorë. Po jo kështu… Mi jep mua. Ja shih si numërohen 1, 2, 3, 4, 5”. Më
pas, avokatja pyet bashkëpunëtorët e Fiksit se çfarë pune bën, ndërsa merr si
përgjigje se punon në servis. Ajo i thotë se “ne kemi nevojë për riparime
gjithmonë, se më ka rënë dhe një si tip llamarine poshtë…”.




Dje, më datë 30 nëntor, ishte seanca e fundit. Ashtu siç
edhe pritej, Kujtim Macalla u dënua me kohën e paraburgimit dhe për rrjedhojë,
ai la qelinë. Po në këtë datë, Fiks Fare mori edhe vendimin e masës së sigurisë
për Kujtim Macallën, në të cilën thuhej se mbrojtëse ligjore është avokate Alma
Zyba, e caktuar kryesisht nga shteti.


 

TAKIMI
I PARË ME AVOKATEN




Fiksi: Si je?

Avokatja: Je lodhur? Ti je vëllai?

Fiksi: Unë jam djali.

Avokatja: Djali. Atëherë nesër del në gjyq

Fiksi: Po

Avokatja: Në 9:30 është gjyqi. Nuk kërkuam gjyq të
shkurtuar se janë edhe dy seanca. Jemi në finale


Fiksi: Tani vetëm ne të dy mund ta ndihmojmë atë.

Avokatja: Atëherë unë po të dal konkret, ke mundësi të
ofrosh? Sa e ke të mundur që të…


Fiksi: Kam mundësi

Avokatja: Sa ke? Unë bëhet fjalë që ta liroj.

Fiksi: Për ta liruar?

Avokatja: Po ça kujton? Për ta liruar që vitin e ri ta hajë
në shpi.


Fiksi: Po sa mund të…?

Avokatja: Maksimumin që nuk keni më?

Fiksi: Fol me vëllain, po ti…?

Avokatja: Unë të thashë për ta liruar. Unë tek 500 shja e
kisha për ta mbyllur.


Fiksi: 500?

Avokatja: Që ta liroi.

Fiksi: Me 500 mijë lek domethënë e mbyllim?

Avokatja: Po po.

Fiksi: Mund të dalë.

Avokatja: Për ta liruar. Po po, për ta liruar.

Fiksi: Sa më shpejt ë?

Avokatja: Nëse do të rrish vërdallë tek burgu ke bërë qejf.
Ju ka ardhur në majë të hundës besoj. Shkoj si avokate atje, mezi pres të
kthehem. Në rregull?


Fiksi: Në rregull.

Avokatja: Sa të keni ju edhe me 400 do ta ashtu.

Fiksi: Edhe me 400?

Avokatja: Po…

 

TAKIMI
I DYTË ME AVOKATEN




Fiksi: A mbaroj gjyqi?

Avokatja: Për sot po, me 30 e mbyllim. Me 30 e ka.

Fiksi: Si shkoj gjyqi?

Avokatja: Shumë, shumë mirë siç e doja. Shumë mirë.

Fiksi: Tani kur…?

Avokatja: Po, po. Ta thashë shumë shpejt, shkoj mrekulli.

Fiksi: Lekët të ti jap me 30?

Avokatja: Jo i dua sot.

Fiksi: I do sot?

Avokatja: Po sot.

Avokatja: Asgjë stë kam bërë.

Fiksi: Mos duhet ndonjë lek tjetër? Përveç këtyre që më the
dje, 500 shes.


Avokatja: Jo, jo. Po pata nevojë të bije në telefon.

Fiksi: Prit të jap edhe këto.

Avokatja: Po pra. Mi jep se i numëroj unë në dorë.

Fiksi: 50… Jo se dua të jem i saktë prandaj.

Avokatja: Po leri se i numëroj unë në dorë. Po jo kështu

Fiksi: 100… 200.

Avokatja: Mi jep mua.

Fiksi: 300, 350, 400, 450, 500 mijë lekë. Ti rrofsh.

Avokatja: Ja shih si numërohen. 1, 2, 3, 4, 5…