S’ka depozita uji në pallatet e Tiranës, ja rastet e vetme kur do lejohen

556
Sigal

Pas tërmetit të fortë që la mijëra njerëz pa strehë, Bashkia e Tiranës ka implementuar masën e parë në mbrojtje e jetës së banorëve, heqjen e depozitave.

Të vëna si domosdoshmëri jetike, veçanërisht në pikun e thatësirës, depozitat rezultuan një “boomerang” në një fatkeqësi të tillë natyrore, pesha e të cilave rrezikonte seriozisht pallatet dhe qytetarët, për shkak të konstruksionit mbajtës të tarracave.

Përpos thirrjeve të administratorëve për t’i zbrazur direkt ato, e lënë në dëshirën dhe vullnetin e banorëve, Bashkia e Tiranës urdhëron përmes një vendimi heqjen e tyre, si në pallatet e reja, shumica e të cilave kanë depozita të mëdha në pjesën e nëndheshme të pallatit, ashtu edhe për të vjetrat, që i kanë vendosur në pjesën e përbashkët të tarracës. Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, si një domosdoshmëri për të mësuar nga ajo që ndodhi më 26 nëntor.

“Mbi tarracat e pallateve ka një peshë të jashtëzakonshme, që është në mënyrë konstante rrezik për jetën e qytetarëve. Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Ne nuk duam të jemi ata që nuk mësojmë nga historia, por që mësojmë prej saj. Ndaj, lipset të bëjmë disa gjëra me këtë vendim të KB: Së pari, marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat”, nënvizoi kryetari, teksa sqaroi se ky vendim nuk i lë banorët pa rrugë zgjidhjeje, aq më tepër kur bëhet fjalë për ujë. Barrën për sigurimin e një vendi për depozitat e mëdha, ua ngarkon administratorëve.

“Në bashkëpunim me administratorët e pallateve, të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët. Pra, jo secili të veten”.

Përveç kësaj, ekziston një mundësi që pallatet me konstrukt të fortë t’i shmangen vendimit. Këtë duhet ta thotë një ekspert, me firmë e vulë.

“Ne do të lejojmë depozita në tarracë vetëm nëse inxhinierët konstruktorë të licencuar i japin aprovim administratorit të pallatit se tarraca e tyre është mjaftueshëm e fortë për të mbajtur atë peshë. Improvizime të tjera nuk do kemi. Kjo është arsyeja pse do t’i kërkojmë çdo asambleje të pallatit që me administratorin e tyre të bëjë këtë verifikim; do t’i japim leje të përshpejtuar kujtdo që do të bëjë depozitë të përbashkët të pallatit në katin përdhes, në lulishten apo brezin që ka pallati rreth e qark, por kurrsesi nuk do vazhdojmë me këto rreziqe”.

Heqja e depozitave është përfolur edhe më herët nga bashkia, duke përdorur si argument përveç rrezikut edhe anën estetike. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli Bashkiak miratoi listën e radhës me 606 përfitues të bonusit të qerasë, si dhe 300 dëmshpërblime për të prekurit nga tërmeti i parë.