Sipas indeksit të harmonizuar, rritja e çmimeve në nëntor nuk u ngadalësua

110
Sigal

Ndonëse INSTAT raportoi se në nëntor, rritja e çmimeve filloi të ngadalësohej, teksa inflacioni ra në 7.9%, nga 8.3% që ishte muajin e mëparshëm, një tjetër indeks i INSTAT, ai i inflacionit të harmonizuar me vendet e Bashkimit Europian tregon se çmimet kanë vijuar të jenë të larta.

Sipas INSTAT, Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Nëntor 2022 është 8,0 %, në nivele të njëjta me muajin e mëparshëm. Rritja më e madhe e çmimeve prej 13,8 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 9,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,1 % secili, “Shërbimi arsimor” me 2,5 %, “Shëndeti” me 2,4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 % dhe “Komunikimi” me 1,0 %.

Në muajin Nëntor 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,1 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Transporti” me 2,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,7 % dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” u rritën me 2,0 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,5 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,1 % secili.

Sipas INSTAT, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar).

Deri tani, ky indeks ka qenë më i ulët se indeksi i zakonshëm me të cilin INSTAT mat ndryshimin e çmimeve për një shportë mallrash të caktuar. Nëntori është muaji i parë, kur matja e çmimeve sipas niveleve të krahasueshme me Europën është më e lartë.

Gjithsesi, Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me rritjen më të ulët të çmimeve, duke u renditur ndër tetë shtetet me shtrenjtimin më të ulët të çmimeve, përpara Luksemburgut, Norvegjisë, Maltës, Francës, Islandës, Spanjës dhe Zvicrës. Gjithsesi, në tetor, Shqipëria renditej e gjashta për rritjen më të ulët të çmimeve./Monitor