SINDIKATAT SHITËN 2.3 MILIARDË EURO PRONA

748
Krimi me pronat e sindikatave, 4678 qira, shitje, ruspa, vjedhje
Më 10 tetor 2009, qeveria Berisha rrëzoi ligjin “Mejdani” të vitit 1998 dhe u riktheu pa asnjë verifikim pronat sindikatave, pas kërkesës së bërë nga BSPSH prej kreut të saj 
Pa asnjë tërheqje, gazeta “Telegraf” po vazhdon ri-publikimin e fakteve të tjera skandaloze me pronat shtetërore, të dhëna prej shtetit për t’u shërbyer interesave të veprimtarisë sindikale, por të administruara në mënyrë pirate e banditeske si “plaçkë kaçakësh pylli” prej 10-15 “efendilerëve” të sindikatave, të cilat nga pasuri kombëtare e sindikale, nisën e u përdoren brutalisht si prona private, duke bërë me to një masakër anti-ligjore, sociale, sindikale, fizike, urbanistike e financiare me pasoja tepër të rënda. Mjafton të lexosh një raport evidentimi të gjendjes, destinacionit dhe administrimit të pronave të sindikatave, bërë në vitin 2001, me VKM nr. 500, datë 14. 08. 2001 prej “Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike” (AITPP) dhe konstaton një batërdi masive, që e ka emrin: “Krim bandash sindikale, me pasuritë kombëtare”. Nëse shikon gjendjen faktike të pronave, gjendesh përballë një katrahure të bërë ndaj tyre prej “agallarëve” të sindikatave , deri në rrafshime kampe pionierësh e punëtorësh, rezidenca, kinema, pallatesh kulture, zyra, biblioteka të zhdukura me gjithë libra, salla lojërash dhe shitje e dhurime oborresh të këtyre objekteve, mbi të cilët aktualisht janë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtohen pallate, resorte turistike private, hotele, motele, baxho qumështi, “spitale” mjekësh popullor, karburante, servise makinash, magazine tregu, rezidenca luksi e vila prej atyre që i kanë blerë, ose që i kanë në përdorim me qira si “emër prone”, duke u shkëmbyer këto me “shpërblime” fizike e përfitime financiare në favor të kapo-bandave të sindikatave shqiptare që kanë pronat në administrim. Nga evidentimi faktik aktual i pronave të sindikatave të BSPSH, KSSH, Sindikatës së Minierave e Sindikatës së Naftës, konstaton “lumë” abuzimesh deri edhe me guxim hajdutëror prej aventurierësh anti-ligjor. Në 22 vjet që kanë kaluar, krimi fizik, social, ekonomik e financiar bërë prej drejtues-horrave të sindikatave me pronat e sindikalistëve, rezulton të ketë një bilanc të madh e të rëndë abuzimesh me 4678 pazare, dhënie qira, shitje, tjetërsime shitjesh, shkatërrime me ruspa, dhurime objektesh, vjedhje pasurish të luajtshme e të paluajtshme, zhdukje dokumentesh për veprimet financiare nga të ardhurat prej tyre dhe shfrytëzimi tyre për pasurim e jetë “agallarësh” me apartamente, me pushime, udhëtime jashtë shtetit e makina “sheikësh”, duke “qëndisur” letra false financiare, gjoja për “zhvillim aktivitetesh sindikale”. Pa bërë komente, po publikojmë sot realitetin që ka ndodhur e po ndodh me pronat e sindikatave në Qarkun Tiranë, që përmbledh dhe zonën Kavajë-Golem, për të vazhduar përditë edhe me fatin e pronave të sindikatave në 11 qarqet e tjerë të Shqipërisë në Korçë, Fier, Berat, Kukës, Durrës, Dibër, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Gjirokastër e Vlorë, faktet e të cilave gazeta “Telegraf” i disponon të plota… ( P. H)

Gjendja e pronave të sindikatave në Qarkun e Tiranës

Shtypshkronja Sindikalisti “11 Shkurti”-Tiranë
Objekt i shkallëzuar me 2 e 3 kate, ndodhet në Rr. “Sadik Petrela” Tiranë, në pronësi të BSPSH-së dhe të blerësve “anonimë”. Ushtrojnë aktivitet: Shkolla Private “Horizonti”, Fabrikë vaji “O&B shpk”, Disko-PUB “VENY”, Shoqëria e reklamave “GENIA”, të cilat kanë marrë me qira dhe kanë blerë nga sindikatat dhe blerës të dytë e të tretë, sipërfaqet që disponojnë. Nuk ka asnjë informacion nga BSPSH për fatin e pasurive të paluajtshme, objektet e tjetërsuara nuk ekzistojnë në hipotekë.
Shtëpia e Kulturës “Josif Pashko”-Tiranë
Në inventarin e BSPSH. Ndërtesa pallat kulture me 150 vende nuk ekziston më fizikisht, mbi truallin e saj është ndërtuar një objekt, pronar i të cilit është Agim Estrefi, i cili ushtron aktivitet privat “Punime duralumini dhe druri”. Nuk ka asnjë dokument nëse është blerë, është dhuruar apo është dhënë me qira. Sindikata nuk ka asnjë dokument për fatin e pasurive të luajtshme nuk u konstatuan. Nuk figuron në hipotekë.
Ish-Ofiçina e Automjeteve e Bashkimeve Profesionale
Objekti 1700 metër katrore nuk ekziston as fizikisht dhe as në letrat e sindikatave BSPSH e KSSH, që e kanë pasur me aksione përkatëse 55% e 45%
Pallati i Kulturës “Tekstilisti” kombinat-Tiranë
Ndërtesa është në inventar të Konfederatës Sindikale (KSSH), objekt me 2 kate. Kati i parë është kthyer në kafene, dyqane, restorante, parkingje, kioska qoftesh. Është dhënë me qira nga KSSH. Kati i dytë është dhënë me qira nga KSSH, aktualisht është Shkollë e Formimit dhe Studimit Sindikal (Fondacion Privat Italian). Nuk ka asnjë dokument mbi fatin e pasurive të luajtshme. Pasuri të luajtshme, nuk u konstatuan. Nuk ekziston në hipotekë.
Shtëpia e Kulturës “Marikaj”-Vorë
Objekt i KSSH. Ndërtesa është me 2 kate, i është transferuar në pronësi Bashkisë Vorë me Ligjin 8744, datë 22. 02. 2001, por edhe pse ka kaluar në pronësi të bashkisë Vorë, më parë kjo pronë i është blerë sindikatës nga Qemal Mara, pronar ligjor i truallit, ka sipërfaqe 516 m2 dhe është kthyer në si Bar-Restorant. Nuk ka inventar për pasuritë e luajtshme
Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”-Qendër Tiranë
Pronë e përbashkët BSPSH (55%) dhe KSSH (45%), me 3 kate, me 1 kat nëntokë, sipërfaqe harte 1700 m2, i është kthyer ish-pronarëve Shyqyri, Qazim e Haver Haveriku në sipërfaqen 1372 m2 ku ushtron aktivitet Universiteti Privat “UFO”, pjesa tjetër prej 328 m2 është ende pronë e BSPSH e KSSH, dhënë me qira. Nuk ka asnjë dokument, për pasuritë e luajtshme.
Shtëpia e Kulturës Kamëz
Pasuri e BSPSH, godinë 2 kate, ndodhet në qendër të Bashkisë Kamëz, shitur nga BSPSH në vitin 1996, blerësit ia kanë shitur Kishës Katolike, aktualisht objekti funksionon si Kishë Katolike, në pronësi të kishës, me truall prone shteti. Nuk ka asnjë dokument për fatin e pasuri të luajtshme.
Shtëpia e Kulturës “Valias”
Pasuri e Sindikatës së Pavarur të Naftës (SPN), pjesa “Sallë Kulture” është shitur nga sindikata, kthyer në shtëpi banimi. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk figuron në hipotekë.
Shtëpia e Kulturës “Mushqeta”
Pasuri e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, me vendndodhje Komuna Kërrabë, ndërtesë me 2 kate, aktualisht i shkatërruar Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk figuron në hipotekë.
Shtëpia e Kulturës “Kërrabë”
Objekti pronë e sindikatës është shitur zotit Astrit Vaka, nga drejtoria e Minierës e Qymyrgurit Kërrabë, trualli i është kthyer pronarit nga KKP-Tiranë, aktualisht është bërë njësi tregtare. Nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.
.
Kampi i punëtorëve Dajt
Kampi i Punëtorëve “Dajt”, Vila Rezidenciale Qeveritare dhe Kampi i Pionierëve “Dajt “(Pallati i Madh), pronë e BSPSH e më pas dhuruar Sindikatës së Pavarur të Ushtrisë, Policisë e SHISH. Dy nga objektet janë shitur nga sindikata dhe janë në pronësi e administrohen nga Shoqëria Anonime “DAJTEL” (Teleferiku), kthyer në resort turistik, në pronësi të së cilës është edhe 8 hektarë truall. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme.
Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve “Dajt” (Barakat)
Sindikata e ka dhenë objektin me qira, për një periudhë 20 vjeçare, kthyer në objekt shërbimesh turistike me emrin “King Park”, kompleks Bar-Restorant, hotel dhe administrohet me qira nga Sejdin Zëre. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk ekziston në hipotekë.
Sallat e lojërave ”Nr. 1 e 2”-Kavajë
Nuk ka asnjë gjurmë fizike objekti dhe as një copë letër dokument prej sindikatave për fatin e këtyre objekteve pronë e BSPSH.
Shtëpia e Kulturës “Gosë” Kavajë
Objekti nuk ekziston fare. Mbi një pjesë të truallit të tij janë ndërtuar zyrat e Gjendjes Civile të Komunës Gosë, pjesa tjetër e truallit ngjitur me ndërtesën e komunës është e lirë. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme, nuk ekziston në hipotekë.
Kampi i Pionierëve-Golem
Pasuri e BSPSH, kanë qenë të regjistruara pasuritë 305/3, 305/2, 305/1, 304/1 por është shitur prej sindikatës, aktualisht regjistruar si pronë private nga blerësit, konform ligjit të regjistrimit, konkretisht me këtë përbërje pronësie në hipotekë: Pasuria 305/1 në emër të 5 personave, Pasuria 305/2 në emër të 28 personave, Pasuria 305/3 në emër të 1 personi, Pasuria 304/1 në emër të 2 personave. Objektet Kampi Ditor i Pionierëve dhe Kampi i Punëtoreve janë prishur, nuk ekzistojnë më, mbi truallin e tyre janë ndërtuar vila dhe pallate private. Në pronën ish-kampin e studentëve ekzistojnë disa baraka e objekte të rindërtuara, ku jetojnë familjarë. Sindikata nuk ka asnjë dokument për pasuritë e luajtshme. ( vijon )
Sigal