Sindikata ka simbol datën 1 Maj, sindikalizmi është “avokati sociale” për punonjësit

1289
Vjollca KUTA

Flet Bilbil Kasmi, President i Sindikatës Autonome të Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë 
– Nuk mund të themi që po bëjmë “namin” si sindikatë, por nuk po bëjmë “nani-nani” përballë zgjidhjeve që kërkojnë punonjësit
Vendosëm, që këtë 1 Maj të zhvillojmë një bisedë me zotin, zotin Bilbil Kasmi, President i Sindikatës Autonome të Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë, të vetmit formacion sindikal aktiv e produktiv në Shqipëri, që është pozicionuar dhe po vepron si “avokat” real i punonjësve, duke zhvilluar partneritet social ligjor me punëdhënësit shtetëror e privat. Në bisedë me zotin Kasmi, mësuam se ai ka bërë gjithë përpjekjet institucionale e private dashamirësie, për të krijuar një lëvizje sindikale të bashkuar, por që nuk ka mundur ta arrijë këtë synim, jo se nuk ka pasur platformë konkrete funksionale për këtë unifikim sindikal shqiptar, por sepse krerët e dy grupimeve “kalbësira sindikale”, nuk kanë pranuar të bashkohen në një grupim kombëtar, për shkak të pasurive që kanë futur në kthetra dhe prej 25 vitesh po i shfrytëzojnë si pronë private, duke qëndruar si “principata” që kanë vetëm një produkt: Shkatërrim të lëvizjes sindikale me akrobacitë e tyre, kundër interesave të punonjësve! 
Zoti Kasmi, si themelues i lëvizjes sindikale, mendojmë se duhet kujtuar misioni i krijimit të sindikatave 27 vite më parë….
Patjetër që duhet kujtuar, madje duhet ballafaquar misioni i krijimit të tyre dhe qëndrimi që sindikatat shqiptare, sidomos dy formacionet bazë BSPSH e KSSH, kanë mbajtur në këto 27 vite… Përse u krijuan këto grupime sociale? Sindikatat shqiptare, u krijuan për të qenë avokate të interesave të punonjësve, në partneritet me punëdhënësit shtet e privat, me ketë program bazë: Për të monitoruar e bllokuar çdo vendim, udhëzim, ligj dhe qëndrim apo veprim që do të binte ndesh me problemet e punonjësve e të krejt shoqërisë shqiptare si papunësia, punësimi në të zezë, varfëria, largimet e paligjshme nga puna, korrupsioni, abuzimet e drejtuesve shtetërorë dhe subjekteve private me punonjësit, dhuna ndaj protestave ekonomike, lejimi i informalitetit në treg, transport e kulturë, mungesa e kushteve të punës, pagat e ulëta, privatizimet e paligjshme, pensionet e munguara prej punës ilegale, shpërndarja e padrejtë e produktit shoqëror, asfiksimi i prodhimit vendas me monopolet e importit, shfrytëzimi i të miturve në punë të rënda, në rrugë për lypje e vjedhje, të drejtat e minatorëve, invalidëve, naftëtarëve, jetimëve dhe pensionet e tyre lëmoshë… Sindikatat u krijuan, për të qenë pjesë partnere reale (jo lëpirëse) të çdo pushteti e qeverie, për ta detyruar të hartonte ligje në shërbim të konsolidimit të marrëdhënieve të punës! Por edhe për shumë probleme të tjera. Sindikata jonë ka punuar dhe po sillet në përputhje me këtë mision
Sot, pas 27 vitesh, pyesim: A u respektua dhe a u përmbush ky mision nga drejtuesit e sindikatave?
Fatkeqësisht… JO! Dy formacionet e mëdha BSPSH e KSSH rreth të cilëve u mblodhën vullnetshëm dhe me besim punonjësit dhe sindikatat e profesioneve, i tradhtuan interesat e punonjësve, duke u kthyer në qendra biznesi me pronat që iu dha shtetit, të cilat dihet se si u shfrytëzuan e si përfunduan dhe në çfarë derexheje janë katandisur. Sindikatat e profesioneve që kishin dhe kanë mision mbrojtjen reale të punonjësve, u shkëputën nga këto dy grupime, duke u riorganizuar brenda sektorëve të profesioneve përkatës, por duhet pranuar që janë shumë pak të tilla…
Sindikata që ju drejtoni është një e tillë me strukturë dhe veprimtari autonome, cilët sektorë përfshinë?
Në jemi të organizuar në Sindikatën Autonome të Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë, me përfaqësim territorial në të gjithë vendin, me organizata në çdo shërbim e prodhim që përfshijnë sektorët ushqimit si miell-buka, restorantet, barë-kafet, turizmin, tregun e brendshëm, fabrikat dhe linjat e prodhimit ushqimor, peshkimin, fermat e çdo lloji në bujqësi e blegtori, hotelerinë e deri tek qendrat profesionalet përgatitjes së punonjësve për këto shërbime, ku vlen të përmend Akademinë e Kuzhinës Shqiptare, të administruar nga mjeshtri i artit të gatimit, “profesor” Reshat Taku… Nuk mund të themi që po bëjmë “namin” si sindikatë, por nuk po bëjmë “nani-nani”: Pra, jemi në aktivitetet konkret sindikal, si pjesë serioze dhe produktive e partneritetit social me institucionet shtetërore, duke respektuar të drejtën dhe misionin tonë si përfaqësues të interesave ligjore e jetike e të punonjësve, përballë punëdhënëse shtetëror e privat. Aktualisht, kemi nënshkruar dhe po zbatojmë me korrektesë reciproke 100 kontrata pune të nënshkruara me Ministritë dhe drejtoritë përkatëse shtetërore qendrore e lokale, si dhe me punëdhënësit privatë të cilët kam detyrim t’i falënderoj për bashkëpunimin, kontrata që mbrojnë 12 mijë punonjës të sektorëve ku ka përfaqësim Sindikata Autonome e Ushqimit, Agrikulturës, Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë! 
Sot në 1 Maj, çfarë mesazhi do t’u drejtoni punëdhënësve?
Të jeni dashamirës ndaj veprimtarisë sindikale, të jenë zbatues të detyrimeve ligjore ndaj punonjësve, ta konsiderojnë sindikatën si palë bashkëpunuese për mbarëvajtjen e punëve dhe interesave të të dy palëve… në këtë 1 maj përshëndes gjithë punonjësit e sektorit ku zhvillon veprimtari sindikata jonë dhe gjithë punonjësit e Shqipërisë.
Po për krerët e sindikatave “kukulla”, që vardisen pas pushteteve e partive politike? 
Ata e kanë marrë mesazhin nga punonjësit, të cilët nuk i besojnë më, duke i shpërfillur… Duhet kujtuar mesazhi, që na kanë përcjellë shpesh krerët e sindikatave në Evropë e në Botë: “Sindikata ka simbol datën 1 Maj, sindikalizmi është “avokatia sociale” për punonjësit
Sigal