Sindikata e UBT, mbështet studentët shqiptar në Maqedoni, për përdorimin e gjuhës shqipe në diploma dhe punimet shkencore

Sindikata e UBT, sapo vendosi njëzëri për mbështetjen e reagimit të studentëve, për një të drejtë bazike, sikurse shprehim shqetësim të madh edhe për shpërdorimin dhe spostimin që po i bëhet gjuhës shqipe në sistemin arsimor të Shqipërisë, nga ku buron vetëm varfëri akademike dhe nivel i ulët profesional. Studentët, prodhuesit, sipërmmarrësit dhe mesusit duhet të informohen, të lexojnë, të dëgjojnë e të merren në provim në gjuhën amtare, në atë që njohin më mirë. Tendenca për ta fshirë gjuhën shqipe nga shkrimi dhe prezantimi i punimeve shkencore të doktoraturave nuk ka asgjë akademike, vetëm sa e shton konspiracionin dhe tenton me fsheh mugesën e profesionalizmit dhe të formimit kombetar, tenton të fsheh plagjiaturat që janë bërë belaja e të gjithë sistemit, e që zakonisht përdoren nga njerëzit e tarafit.

Në këtë deklerat kemi shprehur një të drejtë hyjnore, që edhe në Shqipëri, në sistemin arsimor të përdoret gjuha shqipe bazë, ndërsa përmbledhja apo botimet ndërkombëtare të jenë në gjuhën që kërkojnë botuesit, sipas rregulave të revistave dhe institucioneve të huaja.

Sigal

Nuk e pengon ndërkombëtarizimin gjuha shqipe, përkundrazi duke mënjanuar gjuhën shqipe, dashje apo padashje po thellohet izolimi. Sepse konstatojmë që në disa senate është vendosur në mënyrë jo ligjore referimet dhe prezantimet në gjuhën angleze, nga ku publiku nuk merr vesh asgjë, e kjo nuk i shërben askujtë

DEKLARATË MBËSHTETËSE

Sindikata e Pavarur e Universitetit Bujqësor të Tiranës shpreh mbështetjen e saj të plotë për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë zbatimin e plotë dhe të drejtë të legjislacionit në fuqi lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në procesin akademik.

Ne besojmë se kërkesat e studentëve për të zhvilluar provimet në të dyja gjuhët, ashtu siç parashikohet nga ligji, është një e drejtë legjitime dhe themelore. Respektimi i gjuhës amtare në arsim nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një standard i rëndësishëm i barazisë, dinjitetit dhe përfshirjes në një shoqëri demokratike. Moszbatimi i këtyre të drejtave përbën një cënim të parimeve bazë të arsimit cilësor dhe të drejtave të njeriut. Studentët duhet të kenë mundësinë të demonstrojnë njohuritë e tyre në kushte të barabarta, pa pengesa gjuhësore që bien ndesh me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Njëkohësisht, ne theksojmë rëndësinë e mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës shqipe edhe në sistemin arsimor në Shqipëri. Gjuha shqipe duhet të gëzojë përparësi në proceset akademike, kërkimore dhe shkencore, si një element themelor i identitetit kombëtar dhe i komunikimit publik. Vlerësojmë se edhe punimet e doktoraturave dhe studimet shkencore duhet të hartohen dhe të prezantohen në gjuhën shqipe, në mënyrë që të jenë të kuptueshme dhe të aksesueshme për studentët, specialistët dhe publikun e gjerë. Përdorimi i gjuhëve të huaja, përfshirë anglishten, nuk duhet të zëvendësojë apo të zbehë rolin e gjuhës shqipe në jetën akademike, por të mbetet një mjet plotëstues për bashkëpunim dhe komunikim ndërkombëtar. Ne shprehim shqetësimin se përdorimi i tepruar dhe i panevojshëm i gjuhëve të huaja në disa raste rrezikon të krijojë distancë midis kërkimit shkencor dhe publikut, si dhe të ulë transparencën dhe cilësinë e debatit akademik. Ne i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin menjëherë masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e ligjit dhe për të respektuar të drejtat e studentëve shqiptarë. Sindikata jonë qëndron në solidaritet të plotë me studentët protestues dhe mbështet çdo përpjekje të tyre për të siguruar një arsim të drejtë, të barabartë dhe në përputhje me ligjin.

Sindikata e Pavarur e Universitetit Bujqësor të Tiranës

           Seretari:                                                                                         Kryetari

Prof. Dr. Kastriot Korro                                                              Prof. Dr. Lush SUSAJ