Sinan Tafaj: Ne nuk mund të përjashtohemi nga sistemi i qeverisjes

719
Në lidhje me reagimin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, kundër-reagoi edhe Sinan Tafaj, Kryetari i Shoqatës të të Verbërve Shqiptare, nëpërmjet një letre, drejtuar të gjitha shoqatave të PAK, ku ndër të tjera shkruan: 

“Të dashur miq,
Bashkëngjitur do të gjeni komunikimet publike të shoqatës së të paaftëve me Shërbimin Social Shtetëror. Ndoshta ju e keni lexuar dhe unë po ju bezdis, por unë do të doja të rindaja me ju shqetësimin e të drejtës së përfaqësimit dhe të vetëvendosjes. Fakti që roli i shoqatave tona po injorohet, duke mohuar çdo lloj koncepti bashkëpunues me arsyetimin, se kompetencat janë shtetërore dhe shoqatat nuk mund të kenë asgjë të tillë. Shoqëria civile, padyshim, nuk është pjesë e qeverisë, por padyshim, gjithashtu, është pjesë e qeverisjes. Injorimi i librezave që lëshohen nga shoqatat po i vë ato në krizë identiteti dhe do t’i çojë drejt zhdukjes. Ne nuk mund të pranojmë që të përjashtohemi kategorikisht në mënyrë preferenciale nga sistemi qeverisjes dhe i bashkëpunimit publik, duke ia njohur këto të drejta organizatave të tjera preferenciale, veçanërisht atyre që punojnë për ne. Çdo kush nga ne duhet të përballohet me forcë kundër çdo akuzë që lidhet me shpërdorimin e përdorimit të librezave të anëtarësisë. Shpresoj që ky është shqetësim i përbashkët i yni dhe ne duhet të takohemi sa më shpejt për të qartësuar qëndrimet tona. Nuk e konsideroj të dobishme që ne të mbajmë qëndrime publike individuale pro apo kundër njeri-tjetrit apo qoftë dhe të vijave të përgjithshme politike, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me interesin tonë të përbashkët e të përgjithshëm të çdo individi me aftësi të kufizuar”.
Sigal