“Sikur Shqipëria të bëhej si Australia do ktheheshim të gjithë” Historia e familjes shqiptaro – australiane e kardiologut Zekri Palushi

187
Sigal

Një familje shqiptaro australiane:  Zekri Palushi, Tina Palushi (gjyshërit me origjinë nga Puka), Jano, (dhëndri australian) Anisa, (vajza e tyre) dhe tre nipat ishin sot  studion e “Ditë e Re” në RTV Ora.

Jetojnë në Australia por kanë marrë Shqipërinë me vete. Jetojnë çdo ditë me të, me traditat, kulturën, kulinarinë edhe me problemet e saj politiko-sociale dhe ekonomike,

 “Australia është vend i largët por shumë mirë. Do të kishim qejf që Shqipëria të bëhet si Australia e të kthehemi të gjithë” na tregon mjeku kardiolog Zekri Palushi.

Batutës së Arjonit se ‘kangurë kemi dhe ne këtej, edhe pse nuk ngjajnë si të tillë” mjeku duke buzëqeshur i thotë: Ju i keni të blerë, ne i kemi autoktonë”

Bashkëshortja e tij Tina Palushi drejton një sipërmarrje në Australi.

Tina Palushi: “Drejtojmë dy kopshte fëmijësh. I ngritëm për fëmijët tanë. Ka qenë I sukseshshëm falë demokracisë së Australisë që ofron të gjitha mundësitë. Ne kemi shkuar pa gjë”

“Fillimi ishte i vështirë, sidomos kur nuk di gjuhën.Por kemi pasur vullnet. Mësuam gjuhën, rregullat dhe kulturën e Australisë. Por kemi pasur gjithmonë parasysh të marrim më të mirat e Australisë por të ruajmë dhe traditat e mira tona. Madje edhe dialektin.

Një australian në Shqipëri

Dhëndri i familjes është senatori Australian Janno Dunian. Me Anisën u njohën kur ishin në universitet dhe studionin bashkë juridik. Tani janë prindër të 3 djemve

Shqipëria është e bukur, thotë  Dunian por çfarë nuk pëlqen?

Janno Dunian: “Ka shumë gjëra që shumë vende mund ti përmirësojnë kurdo dhe të bëhen më mirë, por trafiku. Shoferët sidomos në Tiranë ecin drejt pa pyetur nëse në krah të tyre ka makina të tjera.

Fillimi i vështirë

Familja Palushi është shembulli i familjeve shqiptare që e nisën nga zero, por në një vend si Australia falë punës së fortë, këmbënguljes, vullnetit dhe besimit në Zot ia dolën. Sepse Australia të jep shansin të shijosh frytet e punës tënde.

Mjeku kardiolog në Shqipëri që në Australi e nisi si pastrues spitali

Zekri Palushi iku në Australi në 1995. Vitet e para ishin të vështira. Ai mjeku kardiolog në Shqipëri iu desht të punonte pastrues në spital në Australi

Zekri Palushi: “Mjek jam bërë në Shqipëri. Krijova PD-në e Pukës. Në vitet 1990 erdha në Tiranë si këshilltar i kryeministrit. Më pas shkova me shërbim diplomatik në Australi. Por punët nuk shkuan aq mirë dhe bëra dorëheqjen dhe qëndrova atje.  Më duhej të nisja nga zero. Shkollimi im nuk njihej fare. Në fillim mësova gjuhën dhe punoja si pastrues spitali. Madje në spital thonin që është spitali më i mirë në botë sepse edhe pastruesi është kardiolog. Ishte e vështirë por faji ishte i imi dhe jo  Australisë. Edhe sikur të më jepnin të drejtën e punës nuk dija të komunikoja. Pasi dhashë provimin e gjuhës hyra në provimin e profesionit. Kam pasur fat dhe vullnet. Në 1995 kam ikur dhe në 1998 u bëra doctor dhe që nga ajo kjo reputacioni im u rrit dhe pacientët më identifikonin si doktori shqiptar”

Po si e shihte bashkëshortja e tij Tina këtë fillim të vështirë

Tina Palushi:  Kur ke një familje të bashkuar dhe burri e gruaja duhen çdo gjë arrihet. Ne kur shkuam ishim më keq se këtu. Fillimi ishte shumë I vështirë por mbështetja për njëri tjetrin na bëri të ecim përpara. Nëse unë e doja Zekrinë, kur e kam parë që arrin të bëjë dhe punën e pastruesit të mbajë familjen me punë të ndershme dhe djersën e tij kjo ma ka forcuar edhe më shumë dashurinë”

Anisa kur shkoi në Australi ishte 11 vjeçe

Anisa Dunian: “Australia është vend shumë i mirë por kur shkuam ishte vështirë. Nuk ishim vendosur në lagje të mira. Por prindërit e mi kanë punuar fort dhe ne kemi studiuar shumë dhe kemi arritur të jemi këtu.

Australia është një vend që i jep të gjithëve mundësi. I inkurajon. Nuk ka rëndësi nëse ti s’ke lindur atje nëse punon fort ia del.

U martuan të rinj, ai 22 vjeç dhe ajo 21 vjeç. Kanë gati 18 vjet martesë dhe kanë tre djem.

Po si u njoh me Jannon?

U njoha në Universitet. Të dy studionim në juridik. Ai po garonte për një post në Universitet dhe ndërsa më dha fletën e votimit më tha: “Nëse më voton do të martohem me ty! Unë shkova të votoja por nuk e mbaja mend emrin e i thoja shoqeve të mija, si e kishte emrin ai djali me sy blu” kujton Anisa duke qeshur.

Po mjeku a ka pasur dëshirë një dhëndër shqiptar?

Zekri Palushi:” Ëndrra e çdo shqiptari jashtë është që fëmijët e tyre të martohen me shqiptarë. Por ky është një mendim egoist, pasi mendojmë se duke martuar fëmijën me shqiptarë lajmë gjynahet që kemi bërë duke lënë këtë vend. Por unë kam qenë i hapur.

Takimi i parë


Zekri Palushi: Ne jetonim dy orë larg me avion. Tina më tha se do vinte Anisa të prezantonte shokun e saj. Unë e pyeta: Çfarë djali ajo s’ka mbaruar shkollën? Atë ditë lashë punën dhe kur u takova u impresionova. Është më shqiptar se shqiptarët. Kemi pasur fat Anisa por dhe ne. Madje ai është dhe senator dhe ministër.

Junian është senator në mandatin e dytë dhe është gati të ofrojë falas ndihmën e tij por dhe të miqve të tij për reformat në mjekësi, reformat ligjore në Shqipëri.

Po e dinte Janno se ku binte Shqipëria kur njohu Anisën?

Janno Dunian: “Kur më tha se ishte nga Shqipëria kërkova në google për të zbuluar, por nuk dija shumë. Por tani di historinë, politikën, betejat. Madje në tavolinat e mbrëmjeve flasim shumë për Shqipërinë, çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh. Dua që dhe fëmijët e mi të dinë më shumë”

Dhimbja në shpirt

Mjeku kardiolog Zekri Palushi nuk e fsheh zhgënjimin për gjëndjen politiko – ekonomiko – sociale ku ndodhet Shqipëria.

Zekri Palushi: “Shqipëria është vend i mrekullueshëm por një popull fatkeq. Fatkeqësia jonë nisi qysh me pushtimin otoman. Më pas 30 vite në komunizëm. Kanë kaluar edhe 30 vite të tjera dhe ende nuk është përmirësuar. Njerëzit nuk e kuptojnë sa dëm i kanë bërë Shqipërisë. Është fatkeqësi e madhe që ka një luftë mes të majtëve të të djathtëve. Në fakt unë nuk mendoj se është kjo luftë, por është luftë mes të mirës dhe dreqit. Më vjen keq ku ndodhemi, jam i zhgënjyer se shqiptarët janë njerëz të mirë”

Cili është ushqimi që u pëlqen më shumë fëmijëve kur vijnë në Shqipëri?

“Bakllavaja, byreku me mish i nanës dhe moti”

A ka komunitet shqiptarësh në Australi?

Shqiptari i parë që ka mbërritur në Australi është rreth 1875. Në Tanzmani janë 4- 5 familje. Shqiptarët janë përqëndruar kryesisht në Melburn, tregon Palushi