Sihariq, gjeta një punonjës shteti!

607
Enver CAKAJ
Mos kujtoni se po bëj humor. Na kishte marrë malli për një punonjës shteti. Dhe me në fund e gjeta. Po ngjitja me përtesë shkallët e bashkisë në qytetin e Çorovodës, sepse puna më e vështirë tani është të kesh punë nëpër zyrat e shtetit. Nëse ke një hall ai të trefishohet, se fillimisht do të kërkosh zyrtarin nëpër lokale, pastaj do t’i përvishesh një varavingoje për të gjetur ato që të kërkon zyrtari i shtetit, edhe pse janë brenda institucionit. Me apo pa dashje zyrtari ka harruar syzet në shtëpi dhe je i detyruar ta presësh, por kur vjen ai ora ka shkuar 12 dhe zyrtarët kanë një orë pushim, të cilin e zbatojnë me përpikmëri. Do të kishim dëshirë, që kështu të zbatonin orarin dhe mënyrën e shërbimit. Të mos keqkuptoheni, në bashkinë e Çvodës ka vërtet shërbim shtetëror. Unë nuk vete kurrë nëpër zyrat e shtetit, se e di çfarë durimi duhet të kesh, por këtë herë i ngjita shkallët për një mikun tim. Në katin e fundit të godinës së bashkisë bëra një pushim për të përballuar varavingot e zakonshme. Në zyrën që hyra u ndodha përpara një djali të panjohur me emrin Bajram Ajdini. Shtrova kërkesën dhe djali më tha, se kisha punë vetëm me atë. Më nxori dokumentin që do të merrja, po nuk ma dha. Ai më kërkoi falje për pritjen dhe shkoi e plotësoi dokumentin me firma e vula dhe ma solli. Në të vërtetë unë e mora përsipër vetë firmosjen e vulosjen, se kështu ishim mësuar, po djali nguli këmbë: “Ju erdhët atje ku duhet të vinit, faji është i imi, prandaj më prit këtu. Atë ditë unë kam qenë i qetë, sepse gjeta nëpunësin e vërtetë të shtetit. Jam i sigurt që kështu shërbejnë të gjithë punonjësit e bashkisë në Çorovodë. Mirë që bashkia e qytetit të Çorovodës ka vendosur shtetin, por njerëzit i shpie puna edhe në disa anekse, që janë në vartësi nga dikasteret qendrore, por janë hergjele. Ato janë krejtësisht private dhe venë në punë kur të kenë nge. Dhe hallexhinjtë e shkretë vijnë vërdallë e thonë: “Nuk kemi shtet.” Administrata e këtij lloji janë shemra e qeverisë. Nëse doni të rrëzoni qeverinë, e gjithë administrata të braktisë punën si këta lloj dhe çdo gjë shkretohet. Më thoshte një ditë një miku im, se kam nja një javë që kërkoj një punonjës aneksesh dhe nuk e gjej dot. Edhe një ditë që e gjeta nuk më shërbeu, se kishte ditëlindjen e vjehrrit. Ne e pyesim këtë farë zyrtari: Po populli kur e ka ditëlindjen e zgjidhjes së hallit? Njerëzit nuk e dinë, që këto anekse nuk kanë varësi nga bashkitë dhe të gjitha rrufetë i lëshojnë mbi to. Ne do të bëjmë një pyetje tjetër: A janë bashkitë zonja të qytetit? Në të vërtetë pushteti qendror ka bërë disa kalime të shërbimeve në vartësi të bashkive, po kryesoret janë të pavarura prej tyre. Ka qenë një rregull në sistemin e kaluar,që të gjitha institucionet që i shërbejnë më shumë se një qyteti ose fshati ishin në vartësi nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit. Ato ishin nën kontroll dhe nuk mungonte shërbimi. Tani kemi vetëm një pushtet lokal, që ka në vartësi të gjitha fshatrat, atëherë përse të mos jenë në vartësi të bashkive të gjitha ato shërbime që e ushtrojnë veprimtarinë brenda tyre? Pastaj ndodh ajo, që njëri ndërton sipas qejfit e tjetri prish si të dojë.

Nga paaftësia e punonjësve të kuadrit janë deformuar emrat ose mbiemrat e punonjësve, sepse regjistrimi në punë nuk është bërë duke i kërkuar punonjësit pasaportën, por janë mjaftuar me deklarimin e tij. Mirëpo, nëse një punonjës e kishte emrin zyrtar -Myftar, në regjistrat e punës është regjistruar Tare, siç i kanë thirrur me përkëdheli. Mirëpo ky njeri e ka marrë rrogën dyzet e ca vjet me atë emër përkëdhelës dhe është quajtur i besuar, tani i duhet t’i drejtohet drejtësisë. Të tillë ka shumë. Por çfarë bëhet? Të gjithë i drejtojnë për në gjykatë. Mirëpo gjykata është në Berat dhe do para, do dëshmitarë, do dhe kohë përveç durimit, sepse mund të vesh nja dhjetë herë. Kjo ndodh se një herë nuk është gjykatësi, një herë sëmuret sekretarja, një herë sëmuret kërkuesi, një herë kanë sebepe dëshmitarët. Çfarë bën gjykata? Vetëm pyet dëshmitarët për të vendosur. Po punonjësi i shtetit në rreth, që e ka gjendjen civile aty, ka dhe regjistrat e punës, nuk mund t’i thërresë këta për të dëshmuar pa bërë asnjë sorollatje e shpenzim? Populli po vuan paaftësinë e punonjësve të shtetit, por edhe ngathtësinë për të gjetur mënyra lehtësuese për hallexhinjtë. Vete të marrësh librezën e invalidit, por kanë nxjerrë ca yçkla, se duanë një vërtetim se kur ka filluar pensioni, duan dhe një certifikatë, kur i kanë brenda institucionit dhe s’kanë asnjë vlerë përse duhen, edhe pse ke nja dhjetë vjet që e merr librezën pa këto. Zoti Rama po i mëshon çdo ditë pastrimit të administratës nga kontrabanda në zyrat e shërbimit publik. Shumë mirë. Po a do të shkulen dot nga zyrat këta batakçinj,që i kanë kthyer zyrat e shtetit në tmerr për hallexhinjtë? A e di zoti Rama,se të tillët janë bredharakë partie, që kanë ikur nga një parti, që e ka hequr si drejtor dhe kanë kaluar në partinë tjetër për t’u bërë drejtor? Të tillët janë shkatërrues të partisë dhe shtetit. Populli është durimmadh ,por jo pafundësisht. Një ditë ky durim do të soset dhe nuk dihet se nga nisë stuhia.
Sigal