Siguria e furnizimit me gaz / Plani i veprimit në raste krizash, furnizim konstant për përdoruesit

438
Sigal

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik disa ndryshime në ligjin “Për gazin Natyror” , të cilat parashikojnë përditësimin dhe krijimin e elementëve të rinj që kanë të bëjnë me sigurinë e furnizimit me gaz natyror. Ndër të tjera, ndryshimet e propozuara parashikojnë planin e veprimit parandalues dhe një plan emergjence, i cili konsiston në masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e furnizimit me gaz.

Sipas relacionit shoqërues, përgatitja e një plani veprimi parandalues do të sillte një reagim më efikas në përballimin e ndonjë krize të furnizimit me gaz. “Duke pasur një vlerësim mbi sigurinë e furnizimit dhe aplikimin e masave parandaluese do të sillte avantazhe në përdorimin me efikasitet të një furnizimi konstant në situata emergjence”,-thuhet ndër të tjera në dokument. Gjithashtu, projektligji parashikon dhe bashkëpunimim me shtete e anëtare të Komunitetit të Energjisë në përballimin e situatave emergjente, duke rritur sigurinë e furnizimit me gaz.

Për ndryshimet ligjore nuk ka ende një përllogaritje të efekteve financiare që do të prodhohen. Ndërkohë që, sipas relacionit “duke konstatuar edhe faktin që shteti shqiptar nuk zotëron një rrjet të mirëfilltë të furnizimit, transmetimit, shpërndarjes dhe depozitimit të gazit natyror, vlerësohet se ky projektligj në fazën aktuale, por edhe në një të ardhme afat-mesme nuk do të prodhoje efekte financiare për buxhetin e shtetit”.