Si u zbulua se ishte Ronida Hysi që boshatisi llogarinë e pacientit tek Infektivi

190
Sigal

Gjykata ka lënë në burg disa ditë më parë infermieren e Infektivit Ronida Hysi me akuzën e “vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës” për shkak se akuzohet se i mori nga karta 60 000 lekë një pacienti sapo ai u fut në intubim.

Dy ditë më vonë pas futjes në intubim, pacienti Kamber D. ndërroi jetë, ndërsa kur tërhoqën trupin dhe panë sendet personale, familjarët kuptuan se atij i mungonin 10 000 lekë si edhe karta e debitit në portofol.

Pas denoncimit, prokuroria filloi hetimet duke zbuluar përmes kamerave të sigurisë së bankomateve ku infermierja kishte tërhequr lekët identitetin e personit të dyshuar se kishte kryer këtë akt.

“Abc News” ka siguruar dosjen e prokurorisë ku shpjegohet me detaje se si vijoi hetimi deri në zbulimin e infermieres që i kishte zbrazur llogarinë pacientit që ndërroi jetë nga koronavirusi.

Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë të një bankomati në QSUT kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor “një vajzë me flokë të kapura, që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit Kamber D.”.

Pas kësaj, prokurorët kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë së Infektivit ku në orën 07:53 duket duke dalë nga ambientet e spitalit e njëjta vajzë që është parë 7 minuta më vonë tek bankomati në QSUT.

Pasi kanë bërë krahasimet dhe kanë marrë regjistrimin e personave që ishin në shërbim në turnin e tretë tek Infektivi gjatë natës së datës 24 dhjetor, prokurorët kanë konstatuar se e dyshuara ishte pikërisht Ronida Hysi.

Në dosje shkruhet se kur është marrë në pyetje, Ronida Hysi nuk ka mohuar përdorimin e kartës së pacientit duke thënë se portofolin e kishte gjetur në ashensorin e repartit Infektiv gjatë punës ku aty brenda ishte edhe kodi PIN.

“E gjeti, nuk e vodhi” ka qenë edhe thelbi i mbrojtjes së Ronida Hysit nga avokati i saj në gjykatë, gjë të cilën gjykatësit nuk e kanë marrë parasysh duke dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.